ATHINË, 25 nëntor /ATSH-ANSA/ - Rreth 150 refugjatë sirianë filluan një grevë urie para parlamentit grek, me kërkesën që qeveria e vendit ballkanik t'u japë leje qëndrimi dhe t'u sigurojë punë.
Greva e urisë paraqet kulmin e protestave të përditshme të refugjatëve sirianë në sheshin "Sintagma", që filloi javën e kaluar.
Refugjatët ankohen se janë të detyruar të paguajnë qira të larta për banesat me kushte mizore në të cilat qëndrojnë ilegalisht.
Grevistët paralajmëruan se gjatë grevës do të konsumojnë vetëm sheqer.
Greqia u bë pika kryesore tranzite për hyrjen në Bashkimin Evropian të imigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Afërt, të cilët me anije të vogla dhe varka mundohen të hyjnë në vend nga Turqia fqinje./ a.jor.