Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për zhbllokimin e kredive për vendin në prag të asfiksisë financiare, konfirmoi sot një ditë para takimit të Eurogrupit, ministri grek, Euclide Tsakalotos.
"Pas disa javëve negociatash të vështira, nëse pala tjetër e dëshiron këtë, ne do të shohim që (...) një marrëveshje është shumë pranë dhe se do të arrihet sa më shpejt", deklaroi për të përditshmen "Avgi", Tsakalotos, emëruar së fundi koordinator i negociatave me kreditorët.
Megjithatë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i ngarkuar me çështjet ekonomike, Tsakalotos pranoi se Greqia dhe kreditorët mbeten politikisht shumë të ndarë për çështjen e reformave për punën dhe pensionet dhe se disa çështje do të qëndrojnë të hapura deri në minutën e fundit.
Greqia pret nga Eurogrupi të hënën në Bruksel një komunikatë pozitive për negociatat me kreditorët dhe shpreson për zhbllokimin e një pjesë të këstit të fundit nga kreditë e BE-së dhe FMN-së në kuadër të një plani të dytë ndihme 2012, me një shumë prej 7,2 miliardë euro.
Megjithatë, sipas presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, takimi i ministrave të Financave të vendeve të zonës euro nuk do të jetë vendimtar për Greqinë, edhe nëse janë bërë progrese.
"Nesër takimi i Eurogrupit nuk do të jetë vendimtar, duhet më shumë kohë", theksoi të premten Dijsselbloem./
/atsh/