Atletico Madrid frenon në barazim Barcelonën në ndeshjen e javës së 33-të të La Ligas dhe i bën një nder të madh kushërinjve të Reali-t. Në “Camp Nou” katalanasit e kishin të ndaluar hapin fals por dueli u mbyll në barazim 2-2. Barcelona kaloi në avantazh falë autogolit të Diego Costa por barazoi menjëherë Saul me penallti. Leo Messi shënoi golin numër 700-të në karrierë me një penallti në stilin Panenka por gjyqtari kishte penallti për të tërë dhe i akordoi një tjetër miqve të cilën e shndërroi në gol sërish Saul. Barcelona duket e dorëzuar për titullin pasi Real nëse mposht Getafen të enjten shkon 4 pikë larg.
Në Serinë A Juventusi vijon vetëm me fitore dhe nuk pati asnjë problem as me Genoan të cilën e mposhti 3-1 në transfertë. Ashtu sikundër Lecce-s edhe mbrëmë pjesa e dytë solli golat dhe spektaklin e bardhezinjve me tre supergola të shënuar me radhë nga Dybala në minutën e 50-të, Cristiano Ronaldo tundi rrjetën 6 minuta më vonë dhe perlën e Douglas Costa. Për vendasit Pinamonti shënoi golin e nderit. Skuadra e Sarrit edhe pas javës së 29-të ka katër pikë më shumë se Lazio.
Ndërsa bardhekaltërit u mësuan me përmbysjet e rezultateve duke mposhtur edhe Torinon 2-1. Belotti mundi Strakoshën nga 11 metrat dhe u dha vendasve avantazhin por në fraksionin e dytë Immobile fillimisht dhe më pas Parolo përmbysën gjithçka dhe lënë Lazion me shpresa edhe për titullin kampion. /Përgatiti Andi Kapxhiu.

Komente

