TIRANË - Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Byroja Rajonale për Europën e Agjencisë Kineze të Lajmeve Xinhua kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e informacioneve dhe materialeve audiovizive.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica dhe Drejtori Rajonal i Xinhua, Wang Chaowen.
Kjo marrëveshje paashikon një shkëmbim të ndërsjelltë dhe intensiv të informacionit mes dy agjencive në të gjitha aspektet, duke pasur parasysh se agjencia Xinhua është një institucion shumë i fuqishëm dhe i madh i informimit jo vetëm për zhvillimet në Kinë dhe Azi, por për mbarë botën.
Marrëveshja e firmosur me agjencinë kineze pritet që të sjellë një pasurim më të madh të informacionit, por ajo që është më e rëndësishmja- hapja e një porte të re për Shqipërinë drejt Kinës, e cila është një vend shumë i fuqishëm ekonomikisht dhe ka interesa potenciale investimi në rajonin e Ballkanit dhe posaçërisht në Shqipëri.
ATSH dhe Xinhua kanë një traditë të hershme bashkëpunimi ndërmjet tyre që prej shumë vitesh dhe në kuadrin e 65 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë, kjo marrëveshje është një hap i mëtejshëm në këtë drejtim.
Agjencia Telegrafike Shqiptare prodhon një sasi të konsiderueshme lajmesh edhe specifike mbi zhvillimet në Shqipëri, mundësitë e investimeve dhe lehtësitë ekonomike që ofrohen për investitorët. Gjithashtu ATSH ka një prioritet edhe promovimin e turizmit në vend.
ATSH përveç faqes në gjuhën shqipe transmeton në gjuhën angleze dhe frënge, duke ofruar facilitet informativ për investitorët dhe institucionet diplomatike, apo dhe organizmat financiarë botërorë. /ATSH/