Aty prehet Dobby, “një elf i lirë”. Dhe askush të mos e prekë varrin e tij. “Nëse mund ta ëndërrosh, mund ta bësh realitet”, thoshte Walt Disney. Dhe nëse je fans i Harry Potter-it, beson vërtet te ëndrrat. Aq shumë, saqë përpiqesh t’i kthesh ato në realitet. Këtë e dëshmon një histori e pabesueshme që bëri xhiron e botës: fansat e sagës për magjistarin e vogël të krijuar nga J.K. Rowling arritën të bënin që të ndryshohej traseja e një kablloje nënujore me vlerë miliona.
Në Uells, në plazhin Freshwater West, në Pembrokeshire, ‘prehen’ mbetjet imagjinare të elfit shtëpiak Dobby, shumë i dashur nga magjistari i ri. Elfi, i vrarë nga Bellatrix Lestrange, vdes në breg të detit në krahët e Harry-t, në filmin Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes – Pjesa 1. Ajo pjesë e plazhit është shndërruar në një vend simbolik, ku fansat e sagës, të cilët e kanë vizituar si pelegrinë, kanë ngritur një varr përkujtimor.
Por me sa duket, mes fansave nuk bënte pjesë Simon Ludlam, themeluesi i Etchea Energy dhe përgjegjës për projektin e interkonektorit Greenlink, me vlerë 430 milionë paund që lidh rrjetin kombëtar elektrik me Irlandën.
Sipas trasesë fillestare, kablloja nënujore duhej të kalonte pikërisht pranë varrit. Këtë e kishte treguar vetë Ludlam gjatë një interviste për BBC: pa e pasur idenë se çfarë do të ndodhte, ndërsa shpjegonte projektin, ai kishte thënë se kablloja 200 kilometra e gjatë do të vendosej nën tokë pikërisht në Freshëater Ëest. Sapo intervista u transmetua, shpërtheu reagimi: Etchea Energy filloi të merrte qindra telefonata. Fansat e zemëruar kërkonin që varri i Dobby-t të mos përdhosej.
Ludlam, i intervistuar pak ditë më parë nga podkasti Energy Revolution, ka rrëfyer të gjithë historinë, duke pranuar habinë e tij fillestare: nuk kishte asnjë ide se kush ishte Dobby. A ishte e mundur të zhvendosej një vepër strategjike, me vlerë miliona, për të nderuar kujtimin e një personazhi imagjinar? Po, nëse ky personazh është një elf i Harry Potter-it dhe nëse në anën tjetër të telefonit, mes qindra telefonatave, ka shumë fëmijë që qajnë.
Kështu, nëse fillimisht kompania kishte menduar t’i injoronte protestat, pas një reflektimi më të kujdesshëm fitoi forca e dashurisë. Sepse shpejt e kuptuan se çështja ishte vërtet serioze. Kompania u ngarkoi projektuesve të ndryshonin trasenë e kabllos. Dhe le të jetë kështu, edhe nëse tani interkonektori kalon pranë mbetjeve arkeologjike që datojnë nga Epoka e Bronzit, ndër të cilat një urnë dhe skaji i një ene prej qeramike. “Shumë njerëz u gëzuan shumë dhe tani Dobby është i lumtur”, komentoi Ludlam.
Varri përkujtimor i ka rezistuar gjithçkaje. Në vitin 2022, National Trust kishte kërcënuar se do ta hiqte atë pas protestave të shoqatave ambientaliste: në plazh, vizitorët linin çorape, çorapja është simboli i lirisë së Dobby-t dhe guralecë me dedikime. Në fund u arrit një marrëveshje: mauzoleu do të qëndrojë në vendin e tij, me kusht që të ruhet pastërtia dhe dinjiteti i zonës.
Shtatë librat e sagës së Harry Potter-it janë ndër më të shiturit në botë, me mbi 600 milionë kopje. Filmat që pasuan kanë thyer rekorde në arkëtime. Magjistari dhe universi i tij fantastik tashmë janë pjesë e imagjinatës së fëmijëve dhe të rriturve. Aq të dashur, aq shumë të ëndërruar, sa janë shndërruar në personazhe të vërtetë. Pa ndihmën e Zanës së Kaltër./La Repubblica










Komente
Komento