Pushohen hetimet për ish-kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Report Tv siguron dosjen e pushimit të miratuar nga gjykata. Hetimet nisën në vitin 2018, pas publikimit në një media pranë opozitës të një përgjimi me audio, sipas të cilit Biba akuzohej se ka shantazhuar në emër të qeverisë shqiptare gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku. Sipas prokurorisë, në argumentin për pushimin e hetimeve, thuhet se nuk ka asnjë ndikim të paligjshëm nga ana e Bibës tek gjyqtari.
Nga hetimet e kryera është pyetur vetë ish kreu i KQZ, Denar Bib, i cili ka sqaruar "se premtimet se po i ofronte ndonjë vend pune Biankut, janë qesharake"
"Kjo ishte një flluskë e madhe e një pjese të politikës shqiptare", thotë Biba.
Hetimet për këtë rast u ndoqën nga prokurori Adriano Dyrmishi, i cili kërkoi edhe nga gjykata të miratojë pushimin e hetimeve. Prokurori tha se Ledi Biankun nuk është marrë dot në pyetje pasi nuk ndodhet në Shqipëri.
"Bianku ka qenë në Shqipëri 9.8.2018 u largua më 25.8.2018", thotë prokurori.
Një tjetër argument është edhe fakti se kurrë prokuroria nuk mundi të identikojë materialin original të audio-përgjimit apo dërguesin e saj në mediat online. Për këtë çështje Denar Biba nuk u vendos ndonjëherë nën hetim, por prokuroria hetoi ngjarjen pa regjistruar procedim nominal as për Bibën e as për Biankun.
Gjykata miratoi pushimet e hetimit për Bibën më 15 shkurt 2019
Në përgjim flitej për mundësinë e shtyrjes së vendimeve për çështjen e pronave mes shtetit dhe qytetarëve shqiptarë në vitin 2014, dhe dalloheshin fjalët e nënkryetarit të KQZ-së, i cili thotë:
" A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç'të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë."
Pas kësaj fjalie pretendohet se Denar Biba po i kërkonte në emër të qeverisë, gjyqtarit Bianku të ndikonte tek Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut për të shtyrë vendimet që kishin të bënin me çështjen e pronave për Shqipërinë.
(Kliko këtu për të lexuar vendimin ndaj Denar Bibës)