Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në një konferencë për mediat, ka sqaruar një bisedë të publikuar në media, mes tij dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku. Biba ka thënë se biseda e publikuar në formën e audiopërgjimit, është e prerë dhe e manipuluar, duke u shkëputur nga konteksti për t’ja servirur ndryshe publikut.

I akuzuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha se shantazhoi gjyqtarin Bianku me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrit Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, për të ndikuar tek kryetari i Gjykatës së Strasburgut, Biba thotë se PD ka për detyrë ta publikojë bisedën të plotë. Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot nënkryetar, ka thënë se me gjyqtarin Bianku ka lidhje familjare, por në asnjë rast s’ka kërkuar ndikimin e tij në Strasburg.

Denar Biba, nënkryetar i KQZ

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi nënkryetarin e KQZ-së Denar Biba, se shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku që ky i fundit të ndikonte tek kryetari i Gjykatës, Dean Spelmann, me qëllim që të ndihmonte qeverinë, kundër interesit të popullit shqiptar. Sipas PD-së, Biba ka vepruar me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit Edi Rama, Ëngjëll Agaçi. 

Çështja e pretenduar nga Partia Demokratike, ka lidhje me dosjet e dërguara nga ish-pronarët në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. PD pretendon se qeveria shqiptare kërkoi nëpërmjet ndikimit tek kryetari i Gjykatës, Dean Spelmann, që të gjitha rastet e dërguara nga Shqipëria që kishin lidhje me kthimin dhe kompesimin e pronave të pezulloheshin ose të shtyheshin, deri në miratimin e një ligji pasi vendimet e Strasburgut do të ndikonin tek gjykatat shqiptare duke e vendosur qeverinë shqiptare mbi barrën e dëmshpërblimit. Por, deri më tani, në akuzat e artikuluara nga PD dhe në audio-përgjimin e publikuar, nuk ka në asnjë rast një provë të qartë që të tregojë se nënkryetari i KQZ-së, kërcënon apo shantazhon Ledi Biankun për të ndikuar tek Spelmann.