Auditi për CEZ, KLSH i kërkon
Kuvendit komision eskpertësh

Auditi për CEZ, KLSH i kërkon<br />Kuvendit komision eskpertësh
TIRANE- Si asnjëherë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një grupi të posaçëm pune për hetimin e marrëveshjes për shmangien e arbitrazhit me kompaninë “CEZ”.

Përmes një shkrese dërguar Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi, kreut të PD-së Edi Paloka dhe kreut të grupit të LSI-së Petrit Vasili, kreu i KLSH argumenton se për shkak të dëmit shumë të rëndë që i është shkaktuar shtetit shqiptar, nevojitet jo vetën hetim nga një komision “ad-hoc”, si dhe një seancë të posaçme dëgjimore, në të cilën KLSH do të raportojë në lidhje me këtë auditim.

“Shtrohet si domosdoshmeri ngritja e një komisioni të  pavarur ad-hoc, me ekspertë të ndryshëm teknik, jurist dhe ekonomik, të cilët do të  vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin ekonomik të shkaktuar Shtetit Shqiptar gjatë dhe nga aktiviteti i CEZ a.s, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale të të gjithë aktorëve dhe faktorëve që çuan dhe lejuan në degradimin e financave dhe keqmenaxhimit të kësaj shoqërie, si dhe evidentojnë koston totale oportune që tashmë do t’i duhet OSHEE për  t’u rikthyer në parametrat normal të funksionimit”, thekson shkresa që mban firmën e kreut të KLSH, Bujar Leskaj.

Politizimi
Në shkresë, Kontrolli i Lartë i Shtetit komenton edhe politizimin e qëndrimeve të tij ndaj çështjes CEZ, si dhe kallëzimin penal të bërë prej këtij institucioni ndaj Ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri. Për këtë arsye Leskaj propozon “organizimin nga ana Juaj të një seance të posaçme dëgjimore në të cilën ne si KLSH do të  raportojmë në lidhje me këtë auditim, gjetjet dhe konkluzionet e tij, si dhe do t’i kthejmë përgjigje të gjithë atyre që kanë keqinterpretuar punën tonë”.

“Ne nuk dëshirojmë t’i kundërpërgjigjemi me të njëjtën gjuhë dhe jashtë kontekstit institucional, çfarëdolloj aludimi apo përpjekjeje për ta transformuar dhe etiketuar punën tonë audituese si një goditje e qëllimshme politike karshi ekzekutivit, dhe nga ana tjetër, as nuk mund të tolerojmë përbaltjen e qëllimshme të integritetit tonë institucional, për më tepër nga ata zyrtarë të lartë të administratës shtetërore që janë akuzuar drejtpërsëdrejti në raportin tonë të auditimit” thekson shkresa.

Dëmi 479 milion euro
Sipas KLSH, në referencë të gjetjeve kryesore të auditimit të zhvilluar në Ministrinë e Energjitikës, përsa i përket procedurave të ndjekura dhe vendimmarrjes së Grupit të Punës në lidhje me negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Zgjidhjes me Mirëkuptim, në Raportin Përfundimtar të Auditimit të KLSH, evidentohet fakti që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milion euro.  

 PD në Kuvend: Për paktin me CEZ duhet hetim ndërkombëtar.
Pas akuzave të ashpra lidhur me paktin e Qeverisë me kompaninë “CEZ”, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një projektligj ku kërkoi hetim ndërkombëtar për këtë marrëveshje. Drafti i PD “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e bëra publike për çështjen CEZ”, i kërkon Kuvendit miratimin e një ligji që të përcaktojë rregulla që të garantojnë hetimin e pavarur me prokurorë të huaj lidhur me akuzat e bëra publike.

Projektligji parashikon që prokurori i Përgjithshëm të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose vendeve të Bashkimit Europian për të caktuar prokurorë për të hetuar çështjen e CEZ. Objektivi i ligjit është përcaktimi i rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse, nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ Shpërndarje sh.a.” me Qeverinë shqiptare.

Drafti përcakton që Prokurori i Përgjithshëm, brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi ligjit, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës. Pas kësaj kryeprokurori vendos në dispozicion të organeve ligjzbatuese të huaja të gjitha dokumentet, faktet, provat apo të dhënat e siguruara deri më tani nga organi i prokurorisë në kuadër të hetimeve mbi çështjen “CEZ”.

Rama: Ekspertizë ndërkombëtare
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh mbi këtë çështje duke konfirmuar vullnetin e qeverisë për ta zbardhur këtë çështje përmes një hetim penal të kryer nga prokurorë shqiptarë me ekspertizë ndërkombëtare. Rama theksoi se marëveshja me CEZ, nga ana e qeverisë shqiptare, po sulmohet nga personat e gabuar, nga ata njerëz që deri dje abuzuan në mënyrën më të skajshme me të gjithë sektorin e energjisë.

“Është një marrëveshje e negociuar jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, si pazaret e faktuara me dokumenta, që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, por u negociua në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga qeveria shqiptare dhe me seanca të regjistruara”- tha Rama.


  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)