Sa herë futem në një dyqan buke në Tiranë, apo në ndonjë qytet tjetër ku më çon udha, më kujtohet një histori e veçantë nga koha e Sulltan Sulejmanit, i njohur në histori si Ligjvënësi.
Thuhet se kur Sulejmani nisi të mendonte për një korpus ligjor në shërbim të Perandorisë Osmane, mblodhi njerëzit më të ditur të kohës për t’u këshilluar me ta. Megjithëse kishte zgjeruar kufijtë e perandorisë me pushtime të mëdha, ai i kushtonte rëndësi të veçantë vendosjes së një drejtësie shembullore për shtetasit e tij. Besonte se fuqia e një shteti nuk matet vetëm me territoret që pushton, por edhe me drejtësinë që u ofron njerëzve të vet.
Pas konsultimeve të gjata, për të ndihmuar në sistemimin e ligjeve, përzgjodhi Ebussuud Efendiun, dijetarin dhe autoritetin e shquar fetar e juridik të kohës, i cili më vonë do të bëhej Shejhulislami i Perandorisë.
Por vezirët nuk ishin të gjithë të kënaqur me mënyrën se si plaku e zbatonte ligjin. Në një mbledhje të këshillit perandorak, ata iu ankuan sulltanit se Ebussuudi po tregohej tepër i ashpër dhe i pamëshirshëm.
Si shembull sollën rastin e një bukëpjekësi, të cilin gjykatësi, sipas tregimit, e kishte ndëshkuar duke ia gozhduar veshët në mur, në mes të pazarit të Stambollit.
Sulejmani u shqetësua. E thirri plakun në sallën e vezirëve dhe i kërkoi të shpjegonte një sjellje kaq të pazakontë.
Ebussuudi hapi vëllimin e madh që mbante në dorë dhe nisi të shpjegonte rregullat që, sipas tregimit, përcaktonin peshën, cilësinë dhe përgatitjen e bukës. Buka duhej të kishte peshën e caktuar, të bëhej me miell të pastër, të piqej siç duhej dhe t’i shitej popullit pa mashtrim.
Bukëpjekësi ishte kapur duke shkelur këto rregulla dhe duke mashtruar njerëzit që blinin bukën e tyre të përditshme.
Plaku ngriti sytë nga sulltani dhe i tha:
Madhëri, një sundimtar që nuk është në gjendje t’u sigurojë shtetasve të vet një bukë të ndershme, nuk eshte i zoti te qeveris me drejtësi një mbretëri.
Sulejmani, nga i cili dridhej Evropa, përkëdheli mjekrën, u mendua për pak çaste dhe, sipas rrëfimit, vendosi që pikërisht ky plak të ndihmonte në sistemimin e ligjeve të perandorisë.
Ebussuud Efendiu luajti më pas një rol të rëndësishëm në harmonizimin e së drejtës osmane me parimet e jurisprudencës islame. Ndërsa Sulejmani hyri në histori me emrin Kanuni, Ligjvënësi.
Nuk e di sa e saktë është çdo hollësi e këtij tregimi, por mësimi që përcjell mbetet i qartë.
Dhe ja ku kthehemi në ditët tona.
Sa herë hyj në një furrë buke në Tiranë, kjo histori më vjen përsëri në mendje. Buka herë ka ngjyrën e thekrës, pa e pasur gjithmonë të qartë se sa thekër ka brenda, herë peshon aq pak sa të duket sikur po blen një kuti kartoni, e herë të tjera përbërja dhe cilësia janë një mister që vetëm bukëpjekësi mund ta zgjidhë.
Nuk pretendoj se çdo bukëpjekës mashtron, as se çdo bukë e keqe është vepër e ndonjë komploti. Por kur buka, ky ushqim i përditshëm i njerëzve, bëhet çështje besimi, peshe dhe cilësie, atëherë problemi nuk është më vetëm te furra. Është edhe te ata që duhet të kontrollojnë, të garantojnë standardet dhe të mbrojnë popullin
Dhe kështu, megjithëse bukë blej rrallë, më kujtohet plaku Ebussuud dhe fjalia që i atribuon historia,
«Një sundimtar që nuk u siguron njerëzve të vet një bukë pa hile, nuk është i zoti të sundojë një mbretëri"
Gravura “Bukëpjekësit e Stambollit”
-
Po kur e ke marë vesh këtë punën e bukës?Shkrim i drejtë e i saktë dhe për në kohën kur ju e milnit lopën .
Përgjigju-
sakte
-











Komente
Komento