Furia e mesazheve mbi një shkrim timin për statujën e Teutës më befasoi disi. Nuk e dija se Shqipëria kishte kaq shumë ekspertë të historisë. Dhe, të them të drejtën, kjo më bëri te ndihem mire.

Por, mes gjithë atyre mesazheve ne telefon, më bënë më shumë përshtypje disa zëra që i vlerësoj dhe që kishin një keqkuptim mbi atë që kisha shkruar.

Dua ta them qartë, shkrimi im, i cili ishte shkruar me nota humori dhe satire, nuk kishte për qëllim të hidhte poshtë përpjekjet e një grupi njerëzish që, me përkushtim, kanë dashur të ndërtojnë një simbolikë historike.

Përkundrazi.

Fakti që pas këtij projekti ka pasur një investim serioz tregon se qëllimi ka qenë i mirë dhe se ka ekzistuar dëshira për te dhënë një simbol historik.

Po kështu, përfshirja e një njeriu që e njoh prej kohësh dhe që e vlerësoj për punën në ndihmë të trashëgimisë, si Marin Mema, më bën edhe më të matur në ato që shkruaj. E di se në kohët që po jetojmë, çdo përpjekje për të sjellë historinë më pranë publikut duhet vlerësuar.

Por gjithë kjo histori më dha dy mësime të thjeshta, por shumë thelbësore.

E para, në Shqipëri kemi humbur analizën kritike.

E dyta, shumë prej veprave publike shqiptare që kanë mbijetuar artistikisht i përkasin periudhës socialiste.

Pse ka vdekur analiza kritike?

Sepse duket se kemi harruar se një analizë kritike e një vepre publike është pjesë e vetë procesit krijues.

Një analizë e ndershme, profesionale dhe pa paragjykime nuk e dëmton veprën dhe as autorin. Përkundrazi, e ndihmon. Çdo vepër e vendosur në një hapësirë publike bëhet, në mënyrë të pashmangshme, pjesë e debatit publik. Dhe sa më i shëndetshëm të jetë ky debat, aq më shumë mund të rritet vlera e veprës.

Në fund të fundit, koha është kritiku më i madh i çdo vepre publike. Ne se vepra I qendron kohes ajo I ka tejkaluar kritikat.

Problemi është se sot shumë pak njerëz janë të gatshëm të bëjnë një kritikë të sinqertë. Kritika shpesh interpretohet si sulm personal, si mungesë respekti apo si përpjekje për të rrëzuar dikë.

Edhe autorët, jo rrallë, e marrin kritikën si ofendim dhe kjo është një kulturë që duhet ndryshuar.

Një autor serioz duhet të kuptoje se një kritikë parimore dhe profesionale nuk është kundër veprës së tij. Në shumë raste, ajo është shërbimi më i mirë që mund t'i bëhet.

Dhe pyetja e dytë që më lindi nga ky debat.

 Pse shumë prej veprave tona më të mira i përkasin periudhës socialiste?

Si ka mundësi që një sistem që kishte një kontroll  ideologjik kaq të fortë, prodhoi vepra publike që vazhdojnë të jetojnë artistikisht, ndërsa një sistem pluralist, plot liri krijuese, shpesh prodhon vepra që harrohen shpejt?

Kjo mendoj une sepse I gjithe procesi  I nje vepre publike kalonte neper nje sistem filtrash.

Ato diskutoheshin, analizoheshin dhe kontrolloheshin nga institucione dhe profesionistë të ndryshëm. Duke theksuar kontrollin  ideologjik, i cili është një çështje tjetër, vetë ekzistenca e një procesi me disa nivele vlerësimi profesional bëri që një pjesë e veprave artistike të asaj kohe të  rezistojnë.

Sot, shumë prej këtyre filtrave nuk ekzistojnë më dhe kjo na çon te problemi kryesor mbi ceshtjen.

Kush vendos se cilat janë simbolet tona kombëtare?

Sot shteti shqiptar nuk duket se ka një politikë të qartë, të unifikuar dhe afatgjatë për mënyrën se si përcaktohen dhe vendosen simbolet historike në hapësirat publike.

Shpesh procesi i Statujave nis nga dëshira e njerëzve dashamirës, nga iniciativa private, nga bashki, shoqata apo individë që duan të nderojnë një figurë historike. Dhe qëllimi mund të jetë krejtësisht pozitiv.

Por dashamirësia nuk mund të jetë kriteri i vetëm për përcaktimin e simbolikës kombëtare.

Një shtet serioz duhet të ketë institucione që merren me këtë çështje.

Akademia e Shkencave, institutet e historisë, institucionet e trashëgimisë kulturore, historianët, arkeologët dhe specialistët e artit publik duhet të jenë pjesë e një procesi profesional që përcakton.

1. cilat figura kanë rëndësi kombëtare

2. cilat ngjarje duhet të përfaqësohen në hapësirat publike dhe sa te bazuara jane ne fakte historike?

3. çfarë simbolike duhet të përdoret

4. dhe, mbi të gjitha, si duhet të paraqitet ajo figurë në raport me historinë.

Nuk mund dhe nuk duhet që simbolet historike të një qyteti apo të një kombi të përcaktohen vetëm nga dëshira e grupeve apo individëve, sado dashamirëse të jenë qëllimet e tyre.

Nëse kjo nuk bëhet, rrezikojmë të krijojmë një situatë jo vetëm komike, por në fund edhe tragjike, Një komb nuk mund te ngreje simbole të historisë së vet pa pasur një marrëveshje profesionale se çfarë historie po përfaqëson.

Për ata që nuk e kanë kuptuar mesazhin e shkrimit tim për Teutën në Lezhë dhe që e kanë ngatërruar historinë me një debat mbi OJF-të feministe, do të them vetëm këtë

Teuta është një figurë historike.

Ajo duhet parë me të mirat dhe gabimet e saj, brenda kohës në të cilën ka jetuar. Për të dimë relativisht pak dhe nuk mund ta gjykojmë me mendësinë e shekullit XXI.

Por pikërisht për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm me mënyrën se si e paraqesim atë në hapësirën publike.

Nëse vendosim një simbol historik në një hapësirë publike, duhet të pyesim se çfarë duam të simbolizojmë përmes tij.

Nuk është çështja nëse Teuta ka apo nuk ka vend në historinë shqiptare. Sigurisht që ka.

Çështja është, çfarë Teute duam të përfaqësojmë?

Një mbretëreshë? Një figurë të rezistencës? Një simbol të fuqise se shtetit ilir? Një figurë të luftës kundër Romës? Apo thjesht një figurë femërore historike?

Këto  dhe te tjera janë pyetje që kërkojnë debat serioz.

Dhe, nëse një figurë historike vendoset në një shesh publik, mendoj se duhet të ekzistojë një kriter institucional dhe historik për mënyrën se si ajo përfaqësohet.

Jo unë, jo një gazetar, jo një OJF dhe as një individ tjetër duhet të vendosë i vetëm se cila figurë duhet të nderohet dhe si.

Këtë duhet ta përcaktojnë institucionet.

Dhe derisa institucionet të zgjohen dhe të ndërtojnë një politikë serioze për simbolikën historike në hapësirat tona publike, figurat tona kombëtare do të vazhdojnë të trajtohen nga dashamirësit e historisë.

Disa me shumë pasion. Disa me shumë zhurmë.

Por jo domosdoshmërisht me aq shumë histori.