Diku nga fundi i vjeshtës së shkuar vendosa të shkelja një prej zonave më të panjohura të jugut

Zonë malore, me pyje dhe fshatra të vegjël ngjitur shpateve të maleve, ishte një vend që fati i mungesës së rrugëve e kishte shpëtuar disi nga vrulli i shqiptarëve modernë për të prerë pyjet apo për të marrë zhavorrin e përrenjve.

Pasi eca  mbi njëzet kilometra në këmbë në një natyrë ende të paprekur, ku vjeshta kishte filluar t’i spërkaste pemët me një të verdhë si bakër i vjetëruar, hasa fshatin e parë. Nga tetëdhjetë shtëpi dikur, sot kishte mbetur vetëm një oxhak që nxirrte tym. Ura otomane ende mbahej, edhe pse në dy a tri vende ishte shpuar nga kërkuesit e thesareve.

Kalova urën dhe iu drejtova shtëpisë që  kishte njerëz. Në të banonte vetëm një çift i moshuar. Bahçet e mëdha ishin plot me perime. Pemët të mbushura me fruta. Arrat ende të pavjela. Jetonin me lopët, që i mbanin në gjendje gjysmë të egër, si edhe me pak bagëti të tjera.

Fshati qe braktisur krejt, por natyra që nuk pyet për ikjen e njeriut, vazhdonte jetën e saj. Nëpër rrugicat ku bari kishte mbuluar kalldrëmet, rridhte ende ujë që vinte prej krojeve. Dukej sikur vendi merrte frymë pa njerëzit, si një trup që ka humbur kujtesën e vet, por jo shpirtin

Teksa po pinim kafe në sofatin e shtëpisë prej guri, që dikur duhej të kishte qenë mjaft e zhurmshme, muzgu po binte mbi fshat. Papritur, rrugicat u ndriçuan. Shtyllat e drurit ende kishin llamba dhe dukej sikur një dorë e fshehtë priste rënien e errësirës për të thënë se bota nuk e kishte braktisur ende fshatin. Në fakt, strukja e tij mes malesh dhe harresa e botës për ironi, kishte bërë që askush të mos vinte për të  vjedhur telat e korrentit që e lidhnin dikur fshatin me sistemin elektrik.

Të zotët e shtëpisë, pasi më treguan për jetën vetmitare në këtë fshat të harruar, sollën një kupë të mbushur plot me mjaltë. Kosheret i kishin në bahçen e fqinjëve, të cilët dukej se kishin dekada pa ardhur për të parë shtëpinë e tyre.

Ku janë fqinjët?  i pyeta.

Ah, nuk janë më,  u përgjigjën.  I zoti ka vdekur prej kohësh, ndërsa fëmijët janë shpërndarë. Nuk janë kthyer më.

Po vështroja i përhumbur muzgun që binte.

 I zoti i shtëpisë ka qenë korrier,  e ngau llafin mikpritësi.

 Korrier?  e pyeta i çuditur.

 Postier. Por ne, nga këto anë, ende i themi “korrier”, që nga lufta.

Ah… kuptova. Postieri i fshatit.

Jo, jo. Korrieri i gjithë zonës,  ma shpjegoi ai.   Për dyzet vjet  shkonte në këmbë në qendrën e qytezës, ku priste shtypin. Mbante një çantë të madhe lëkure në shpinë. E mbushte me gazeta, revista dhe telegrame të ndryshme, pastaj kthehej për t’i shpërndarë nëpër fshatrat përreth.

“Dyzet vjet…”   tha si i perhumbur, duke parë nga shtëpia e braktisur, sikur donte të theksonte sa shpejt kishte kaluar koha.  “Dyzet vjet në këmbë. Dimër e verë. Shi, borë, vapë. Ai shkonte përditë në qytezë. Mbushte çantën prej lëkure me rripat e trashë, e hidhte në sup dhe në dorë mbante një maliher, se kishte rrezik nga kafshët e egra. Shpërndante shtypin te vatrat e kulturës, por edhe telegramet. Mezi e prisnin të gjithë, se ai sillte lajmet e botës në këto fshatrat tona.”

“Kur ra sistemi, ai vazhdonte të shkonte çdo ditë në qendër të qytezës. Priste mos vinin makinat e shtypit… por asgjë. Gjërat u përmbysën dhe askush nuk u kujtua më për të. Vazhdonte të shkonte për disa muaj, pastaj duket se e kuptoi që gjithçka kishte ndryshuar. E kishin harruar. U mbyll në shtëpi. Vinte vërdallë nëpër bahçe, na fliste çdo mëngjes… dhe aq.”

Po mandej?  e pyeta me kureshtje.  Kur iku nga fshati?

Plaku më pa me habi.

Ç’thua?  Ku të shkonte?  pas ca muajsh  e gjetën të vdekur te sofati i portës, sikur priste ende të vinin gazetat.