Në qytetin Farmington Hills, në shtetin e Michiganit, ndodhet një nga muzetë më të njohur në SHBA, "Zekelman Holokaust Center". I ndërtuar nga komuniteti hebraik që i shpëtoi masakrës evropiane, ky muze është shndërruar në një Qendër të rëndësishme të kujtesës historike.

Në fund të nëntorit të vitit 2009, drejtuesit e këtij muzeu më kishin ftuar për një takim. Kishim shkëmbyer një sërë emailesh, pasi ata kishin shprehur dëshirën për ndihmën time në organizimin e shfaqjes së filmit “Shtëpia e Zotit”. Një produksion i mbështetur nga disa fondacione hebraike. Filmi synonte të tregonte se si një shtet i vogël mysliman, i pushtuar nga gjermanët, kishte arritur t’u siguronte strehë një numri jo të vogël hebrenjsh të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre. Ky dokumentar i shfaqur edhe ne Festivalin e famshem te SUNDANCE do te shfaqej edhe per publikun e shtetit te Michiganit ku ka nje numer te larte shqiptaresh.

Godina e muzeut ishte mjaft mbresëlënëse. Pasi parkova makinën, në hyrje më priste drejtuesja/kuratorja, një profesoreshë e cila, nëse nuk gaboj, kishte studiuar në Universitetin e njohur të Ann Arbor-it. Sapo hyra në sallën kryesore, vështrimi më mbeti te muri qendror i muzeut, ku një pishtar mbante flakën e përjetshme të kujtesës. Një faqe e stërmadhe graniti te zi me germa të mëdha ishin gdhendur emrat e vendeve që kishin dorëzuar apo masakruar hebrenjtë, së bashku me numrin përkatës të viktimave: Afrika, Franca, Lituania, Shqipëria, e kështu me radhë.

Nuk munda ta besoja që Shqipëria ndodhej në atë mur. Me shumë mirësjellje iu drejtova zonjës që më priste, duke e pyetur nëse emri i vendit tim ishte shkruar gabimisht.

“Jo,” m’u përgjigj ajo, “ne jemi shumë të saktë.”

Nuk kisha arsye të dyshoja në fjalën e saj. Unë vetë kisha ndihmuar ekipin izraelit gjatë filmimeve në vitin 1995 dhe më vonë, kur dokumentari ishte xhiruar në Shqipëri. Nuk kisha asnjë dyshim për dashamirësinë e atyre njerëzve që më kishin sjellë deri në dyert e këtij muzeu kaq të rëndësishëm për komunitetin hebraik në Amerikë. Por gdhendja e emrit të Shqipërisë në murin e kujtesës dhe fakti që vendi im akuzohej për vrasjen e 200 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte tronditëse, të paktën për mua, që kisha dëgjuar aq shumë histori për shqiptarë bujarë që kishin ndihmuar hebrenjtë në ditët e tyre më të errëta.

Përballë habisë dhe kundërshtimit tim, drejtoresha e muzeut nxori nga arkivi një libër, për të më treguar se shifra nuk ishte lajthitje dhe as një përpjekje dashakeqe për të akuzuar një vend të vogël. Ironikisht, fakti që unë ndodhesha aty për të promovuar një film dokumentar mbi një rast unik në Evropën e çmendur të viteve ’40 fliste vetë. Megjithatë, libri i arkivit nuk linte asnjë hapësirë që unë të kisha të drejtë.

Për të zbutur irritimin tim të ligjshëm, zonja mikpritëse më tha se, nëse autoritetet shqiptare do të ndihmonin me dokumente autentike për të sqaruar se Shqipëria nuk kishte dorëzuar 200 hebrenj, muzeu do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte.

Nuk dua ta lodh lexuesin me indiferencën dhe moskokëçarjen e autoriteteve shqiptare ndaj kësaj çështjeje. Askush në Shqipëri nuk i kushtoi dhe nuk i kushton rëndësi faktit se emri i Shqipërisë është i gdhendur në granit, në një nga muzetë më të rëndësishëm të Holokaustit në Amerikë, si një vend që ka dorëzuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Siç mund të shihet edhe në foton më poshtë, ose siç mund ta verifikojë kushdo duke kontaktuar drejtpërdrejt muzeun https://holocaustcenter.org/

Kjo histori më erdhi ndër mend sot, në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, në një epokë të servilizmit ekstrem shqiptar dhe të retorikës mbi “dashurinë vëllazërore” ndaj hebrenjve.

Nëse politika shqiptare e ka vërtet seriozisht shqetësimin për memorien historike të shqiptarëve, atëherë, përpara se të ngrejë muze për kultin e Besës, le të pastrojë emrin e Shqipërisë nga Muret e Kujtesës Hebraike.

Sic shkruante dikur Latini

Verba volant, scripta manent"

"e shkruara mbetet, fjalet i mer era./Marrë nga profili i autorit në Facebook