Diku lexova sot mbi damkosjen e një moderatoreje të serialeve në TV për shprehjen e saj “pushka e jevgut”, thënë në një program televiziv. Debati i zhurmshëm i shoqërisë “namusqare” të shqiptarëve më kujtoi një ngjarje sa qesharake aq edhe domethënëse, se si edhe në Shqipërinë tonë të vogël ka hipur dalldia e disa njerëzve për të qenë në një hap me “Evropën”, në atë që quhet political correctness.

Domethënë, njerëz të cilët kërkojnë të jenë sa më korrektë me shprehjet fetare, racore, gjinore etj  duke zhdukur nga fjalori apo Trashegimia Kulturore ngjarje dhe aspekte te caktuara ne kontekstin kohor te tyre. Në fakt, kjo lëvizje ndërkombëtare e një segmenti shumë opak ka disa vite që kërkon një sterilizim të shoqërive, duke shtyrë përpara axhenda që në dukje janë pro lëvizjeve antiraciste, kundër përçmimit të ndryshimeve gjinore, futjes së ideve për përzierje racore e kështu me radhë.  Në këtë kontekst futet edhe “përpjekja” e shqipove në Tiranë, të cilët, nën ombrellën e mbrojtjes së lirisë së ndryshimit të gjinive, kundër racizmit etj., hapën me shpejtësi OJF për të mjelë fondet e ambasadave që mbështesnin ide të tilla.

Në fakt, për disa sezone pamë edhe se si ambasadorë të vendeve të rëndësishme dilnin rrugëve pa respektuar kulturen dhe traditat  duke mbështetur axhenda që as ishte puna e tyre dhe as nuk i shërbenin vendit ku ishin akredituar. Debat i gjatë ky, por le t’i kthehemi linçimit mediatik të moderatores.

Në fjalorët e vjetër të shqipes që kam në bibliotekë,shprehja “pushka e jevgut” përshkruhet në mënyrë përkufizuese si  dicka pa mase pa strategji pa vet permbatje, por qartesisht  pa asnje qellim denigruese.

Arsyet se përse popullata e ka perifrazuar në këtë mënyrë këtë shprehje sigurisht kanë shpjegimet e veta në kontekstin e kohës, përdorimit e kështu me radhë. Dukshëm që nuk ka pasur arsye të ofendojë një kategori të caktuar të atyre që ne sot i përcaktojmë si romë por per te shpjeguar nje fenomen apo menyre sjellje ne nje kontekst kohor.

Në fakt, miqtë e mi nga ky komunitet më kanë përshkruar shprehje të caktuara që ata përdorin për komunitetin e tyre dhe jam i sigurt se, kur dëgjojnë “dorën e bardhë” që zihen mes vetes për korrektesën politike të fjalorit, qeshin, sepse e dinë fare mirë që e gjithë kjo përpjekje për mbrojtje ndaj tyre është një fasadë.

Fasadë e ngritur nga një mori OJF-sh që përfitojnë fonde të dhëna për “shtresat e margjinalizuara”. Mjafton të gjurmosh fondet e dhëna për ta dhe të shikosh kushtet ku jetojnë, për të kuptuar se sa hipokrite është e gjithë kjo përpjekje për terminologji korrekte ne shoqerine tone.

Tani t’i kthehemi fillesës së këtij shkrimi. Diku nga viti 2023 isha ftuar në një emision televiziv për të folur mbi çështje historike të 28 Nëntorit. Aty përshkrova një fjalim, ndoshta i vetmi i regjistruar, të Fan Nolit në Boston, diku nga fillimi i viteve 1960. Noli, me një shqipe të mrekullueshme plot mallëngjim, kujtonte kohët e vjetra kur, si politikan në Tiranë, shkonte shpesh të shijonte muzikën e mrekullueshme të arixhofkave të Tiranës.Jo vetëm kaq, por Noli fliste për to me një respekt dhe mirënjohje, duke i krahasuar ato  me muzikantët “Gypsy” të Spanjës.

Pas disa muajsh nga ky emision, më vjen një shkresë nga Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi, ku më njoftonte se ndaj meje dhe emisionit ishte ngritur një padi për fyerje racore dhe etnike. Të gjithë këtë histori, që zgjati mbi një vit, e mora me sportivitet, por për kuriozitet mora në telefon numrin e OJF-së që pretendonte se mbronte të drejtat e “arixhofkave të Nolit”.

Pas disa ditësh telefonatash munda të lidhesha me personin në fjalë, i cili, nën zhurmën e goglave të bilardos në ndonjë klub fshati, nisi të më tregonte mbi OJF-në e tij. Për etikë nuk po e përmend bisedën shumë interesante, por kryesorja ishte se kjo OJF ishte një “one man show”, pa fonde, pa zyra, pa asnjë projekt konkret, dhe personi nuk kishte lidhje as me komunitetin e arixhofkave dhe as me komunitetin rom.

Kur e pyeta se çfarë kërkonte të bënte me OJF-në e tij (për të cilën nuk kishte paguar dot as sigurimet), më tha se kërkonte të ndihmonte banorët romë diku nga Shkoza, të cilëve bashkia kërkonte t’u priste dritat.  Për këtë shpresonte se ambasadat e huaja apo UNDP do t’i jepnin ndonjë projekt në të ardhmen.

Historia e kesaj padie ishte pertej humorit, por ndërkohë Komisioneri, i cili e kishte marrë më shumë seriozitet këtë punë, vazhdoi morinë e shkresave derisa më në fund lëshoi verdiktin e tij, duke konkluduar se nuk mund të dënonte dikë i cili i referohej dikujt që kujtonte plot nostalgji dhe mall muzikën e arixhofkave të Tiranës. Pra, si unë ashtu edhe emisioni televiziv nuk kishim pasur qëllim të fyenim askënd, por thjesht kisha cituar dikë tjetër ne nje kontekst dukshem pozitiv dhe aspak ofendus. E gjithë kjo histori m’u kujtua sot, kur lexoja linçimin e moderatores për një shprehje e cila, duam apo nuk duam, është pjesë leksikut te traditës  apo folklorit shqiptar.

Prandaj në një kohë kur zhurma e korrektësisë politike te namusqareve apo OJF qe presin parate e te huajve shpesh mbulon thelbin e gjërave, historia e moderatores dhe shprehja “pushka e jevgut” na kujton diçka themelore, fjalët nuk jetojnë veçse brenda kontekstit të tyre dhe nuk janë armë për të sulmuar, por dritare për të kuptuar të kaluarën. Muzika e arixhofkave, fjalimet e Nolit, dhe shprehjet e vjetra shqiptare të gjitha na flasin për një kulturë të gjallë, plot nuanca dhe jete. Ndaj, para se të linçojmë apo të gjykojmë ne emer te “korrektesise politike”, duhet të ndalemi, të dëgjojmë dhe të kuptojmë historinë që fshihet pas tyre. Vetëm atëherë mund të jetojmë si shoqëri që respekton të kaluarën, pa frikë dhe pa humbur thelbin e asaj që jemi.