Pesë lojtare të kombëtares së femrave të futbollit të Iranit, që mori pjesë në Kupën e Azisë në Australi, kanë lënë hotelin ku skuadra ishte akomoduar në Gold Coast dhe kanë kërkuar azil në Canberra. Kështu raporton Iran International. Drejtuesit që shoqëronin ekipin, shton e njëjta media, po i kërkonin ato, por tani sportistet “ndodhen në një vend të sigurt”.

Javën e kaluar, lojtaret shmangën këndimin e himnit të Republikës Islamike para ndeshjes me Korenë e Jugut, në shenjë solidariteti me protestat e janarit në Iran dhe me ata që janë vrarë, mes tyre edhe Sahba Rashtian, një asistente arbitre e futbollit të femrave, 23 vjeç. Që nga ajo kohë, sipas raportimeve, ato dhe familjet e tyre në Iran kanë marrë kërcënime për sigurinë.

Video në rrjetet sociale tregojnë se mbrëmë mbështetës iranianë, të cilët kishin pritur ekipin kur mbërriti me autobus, u përpoqën ta ndalonin mjetin pasi panë shenja kërkese për ndihmë nga disa prej futbollisteve. Më pas ata u mblodhën para hotelit duke thirrur: “Shpëtoni vajzat tona”.

Presidenti amerikan është përfshirë në këtë ccështje ndërkohë. Ai I ka bërë thirrje qeverisë australiane që tu vijë në ndihmë futbollisteve iraniane.

“Australia po bën një gabim të tmerrshëm humanitar duke lejuar që kombëtarja femërore e futbollit të Iranit të detyrohet të kthehet në Iran, ku me shumë gjasa do të vritet. Mos e bëni këtë, jepuni azil. Shtetet e Bashkuara do t’i marrin nëse ju nuk e bëni”. Kështu deklaroi Donald Trump në rrjetin e tij social Truth.

A.I/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 9 Mars, 15:01

    PS nuk jep aprovimin për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?