SIDNEI - Policia Australiane e anti-terrorizmit deklaroi se ka arrestuar dy persona në Sindei 8 ditë pas pengmarrjes prej 16 orësh në një kafene në qendër të qytetit, ku humbën jetën dy pengje dhe pengmarrësi i armatosur, një militant radikal islamik.

Të ndaluarit janë një 20 vjeçar të cilit i është gjetur një dokument ku organizohej një sulm terrorist dhe një 21 vjeçar i arrestuar pasi ka thyer një urdhër kontrolli të policisë. Sipas zëdhënësve të policisë Australiane dokumenti i gjetur përfshinte targetime sulmesh qeveritare por nuk ishin drejtuar ndaj kryeministrit të vendit.

Vetëm një ditë më parë kryeministri Tony Abbott deklaroi se oficerët e sigurisë kanë pikasur një rritje të kërcënimeve terroriste që pas pengmarrjes në kryeqytet, por pa kërcënime apo sulme specifike.

Zyrtarët policorë thanë se deri më tani kanë arrestuar 11 persona me akuza penale për përfshirje në terrorizëm që prej sulmeve masive në Sidney dhe Brisbane në shtator, kur dhe nisi për herë të parë rritja e kërcënimit terrorist.

Australia si një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe organizatës ndërkombëtare të formuar kundër militantëve të shtetit islamik në Siri dhe Irak, është vënë në gatishmëri të lartë për sulme të grupit radikal, por dhe nga luftëtarë të vendit që janë kthyer nga luftimet në Lindjen e Mesme.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)