AUSTRALI - Novak Djokovic e nisi me fitore rrugëtimin e tij në 'Australian Open' 2026. Tenisti serb mposhti pa shumë vështirësi spanjollin Martinez me rezultatin 3-0 (6-3, 6-2, 6-2), duke regjistruar suksesin e tij të 100-të në karrierë në Grand Slam-in australian.

“Nole” do të përballet në turin tjetër me italianin Francesco Maestrelli. Ndërkohë, një nga ngjarjet surprizë të këtij turi ishte tërheqja e Felix Auger-Aliassime, i cili u detyrua të braktiste ndeshjen me Borges ndërsa ishte në disavantazh 2-1 në sete.

Numri dy i botës, italiani Jannik Sinner mposhti francezin Hugo Gaston pas 1 ore e 7 minutash lojë. Sinner po udhëhiqte 2-0 me sete (6-2, 6-1), por Gaston nuk mundi të vijonte dhe u tërhoq nga gara për shkak dëmtimi. Sinner tha se i vinte keq për dëmtimin e rivalit dhe se ai është fizikisht gati për këtë turne. Sinner gjen në turin e radhës fituesin e çiftit Duckworth - Prizmic.

Në të njëjtin tur, Daniil Medvedev avancoi pa probleme, duke mposhtur holandezin De Jong në tre sete dhe duke siguruar duelin e radhës me francezin Halys, i cili kaloi Tabilo 3-0. Fitore bindëse realizoi edhe australiani De Minaur, që nisi përballë McDonald pas tërheqjes së Berrettini dhe triumfoi 6-2, 6-2, 6-3. Në turin e ardhshëm ai sfidon serbin Medjedovic.

Në kompeticionin e femrave, favoritet mbajtën ritmin. Iga Swiatek dhe Coco Gauff u kualifikuan në raundin tjetër, duke mposhtur respektivisht Yuan dhe Rakhimova në dy sete.