AUSTRI - Austria ka mbajtur dje zgjedhjet e përgjithshme, ku sipas rezultateve paraprake konfirmohet fitorja e koalicionit aktual mes socialdemokratëve dhe Partisë Popullore konservatore, partnere në qeveri prej vitit 2007.

Koalicioni i madh i konservatorëve dhe socialdemokratëve në Austri, pritet të mbetet në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare e diel 29 shtator. Por kjo fitore nuk mund të fshehë një rritje të dukshme të së djathtës ekstreme.

Werner Faymann dhe socialdemokratët e tij mesa duket do të vazhdojë të mbetet në krye të koalicionit si kancelar i vendit.

Nga pjesëmarrja në zgjedhje rezulton se kanë votuar më pak se 66 % e popullsisë dhe sondazhet tregojnë për Partinë Socialdeokrate 27, 1 % dhe për partinë Popullore Konservatore 23, 8 %. Kurse për ekstremistët e djathtë, Partinë e Lirisë, e cila është forca e tretë në vend, shifrat e para flasin për 21, 4 % të votave.

Dhoma e Ulët e Parlamentit përbëhet 183 deputetë ndërsa për tu përfaqësuar në këtë Dhomë një parti politike duhet të ketë më shumë se 4 % të votave.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)