- Më 27 gusht samiti i dytë i vendeve ballkanike në Vjenë -
VJENË, 3 shkurt /ATSH-ANSA/ - Vendimi i sotëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), që hodhi poshtë akuzat për gjenocid gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1991-95 të paraqitura si nga Serbia ashtu edhe nga Kroacia, jep mundësinë e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Zagrebit si edhe në Ballkan në përgjithësi, deklaroi ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.
"Në shumë bashkëbisedime me politikanë dhe njerëz të rajonit kam kuptuar që ka një dëshirë të madhe për të tejkaluar peshën e së shkuarës. Jam i sigurtë që shansi i sotëm do të shfrytëzohet", theksoi Kurz, i cituar nga media serbe.
"Austria është përfshirë aktivisht prej vitesh në paqtimin e Ballkanit nëpërmjet mbështetjes për integrimin evropian të vendeve të këtij rajoni", shtoi ai.
"Më 27 gusht në Vjenë do të organizohet samiti i dytë i shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve ballkanike, pas atij të Berlinit të gushtit të kaluar me iniciativën e kancelares Merkel", tha Kurz./ a.jor.