DIBER- Llixhat e Peshkopisë prej dekadash mbeten një ndër destinacionet më të njohura të turizmit shëndetësor në vend.

Ujërat termale të pasura me minerale njihen për efektet kurative në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, problemeve të frymëmarrjes si bronshiti dhe astma. Pas një veres perveluese, te moshuarit jane ata qe zgjedhin Peshkopine per ujerat termale dhe freskine qe te ofron ky qytet.

“Unë kam qenë me shkop dhe tani eci normalisht. Vij prej 5 vitesh, cdo sezon. Jam shëruar prej llixhave”, shprehet një i moshuar.

 “Vij çdo vit sepse më bën shumë mirë për reumatizmën. Qendroj një javë por kam  përmirësim që në ditët e para, dhe ajri i pastër ndihmon shumë”, tha një tjetër visitor.

Sipas të dhënave nga autoritetet lokale, më shumë se 30 mijë vizitorë kanë zgjedhur këtë destinacion nga shtatori e deri më tani. Fluksi pritet të jetë i lartë deri në fund të nëntorit kur mbyllet sezoni vjeshtor i llixhave.

Mentor Prifti, mjek i qendrës balneare tha se “Pacientët që frekuentojnë llixhat tregojnë se ndjejnë përmirësim që në ditët e para. Përveç sëmundjeve reumatizmale dhe të lëkurës, trajtohen edhe bronshitet dhe ftohjet. Uji i ftohtë që ndodhet vetëm 300 metra mbi llixha ka përbërje të pasur minerale dhe veti të veçanta shëruese.”

Krahas ujërave termale, burimet e ftohta ujore të zonës kanë vlera të veçanta për forcimin e organizmit. Edhe pse infrastruktura është përmirësuar vitet e fundit, fluksi i vizitorëve shpesh tejkalon kapacitetet e akomodimit ne Peshkopi.