PRISHTINE- Austria shprehet e gatshme për të mbështetur Kosovën në të gjitha fushat.
E këtë e ka thënë nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Austrisë, zotëri Karheinz Kopf gjatë një takimi me Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.
Në një komunikatë nga Presidenca, thuhet se Kopf u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe posaçërisht për kapacitetet dhe mundësitë që ofron Kosova për investime.
Kopf po qëndron në Kosovë me një grup të afaristëve nga Austria, që kanë shfaqur interesimin e tyre për investime në vendin tonë.
Sipas komunikatës, Jahjaga e vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën që Austria i ka dhënë Kosovës dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën ekonomike dhe posaçërisht të investimeve. Ajo tha se Kosova po punon në krijimin e një klime të mirë të biznesit për të tërhequr investitorë nga jashtë.
Presidentja Jahjaga shprehu besimin e saj se me ndërtimin e shpejtë të institucioneve të vendit, bashkëpunimi ndërparlamentar do të vazhdojë përmes shkëmbimit të përvojave. Ajo tha se ndihma e Austrisë në procesin e integrimeve evropiane për Kosovën është shumë e rëndësishme. /ATSH/