Austria po përballet me kritika të ashpra për dhënien e vizave për ligjvënësit rusë të sanksionuar, të cilët do të marrin pjesë në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.
Delegacioni përfshin 15 ligjvënës rusë të cilët janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Pyotr Tolstoy dhe Leonid Slutsky. Tetëdhjetëenjë delegatë të OSBE-së nga 20 vende, përfshirë Francën, Kanadanë, Britaninë, Poloninë dhe Ukrainën, i kanë bërë thirrje qeverisë austriake të ndalojë pjesëmarrjen e rusëve të sanksionuar.
“Është e rëndësishme të mbani mend se parlamentarët rusë janë një pjesë integrale e sistemit të pushtetit dhe bashkëpunëtorë në krimet që Rusia kryen çdo ditë në Ukrainë”, thuhet në letrën, e cila u lexua nga agjenca e lajmeve Associated Press. Ata nuk kanë vend në një institucion që ka për detyrë të promovojë dialogun e sinqertë dhe kundërshtimin e luftës”, thuhet mes tjerash.
Delegatët e SHBA-së në Asamblenë Parlamentare nuk ishin në mesin e nënshkruesve të letrës.
Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, u tha gazetarëve të premten se delegatët rusë “nuk janë njerëz që e meritojnë të udhëtojnë në vendet perëndimore”. Megjithatë, Carpenter shtoi se "i takon qeverisë austriake të përcaktojë nëse do të japë viza apo jo". Zyrtarët austriakë nuk e kanë komentuar letrën.
Më 5 shkurt, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg mbrojti vendimin e Austrisë për të lejuar rusët e sanksionuar të hyjnë në vend, duke argumentuar se ishte e rëndësishme të mbaheshin hapur kanalet e komunikimit me Moskën, pavarësisht "sulmit brutal rus kundër Ukrainës". Austria, e cila e ka kritikuar Moskën dhe i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit të saj ushtarak të miratuar në vitin 1955. Qeveria i ka dërguar ndihma humanitare Ukrainës, por jo armë, dhe mbështetja për neutralitetin austriak mbetet e fortë mes publikut dhe strukturës politike.
Austria, e cila u aneksua nga Gjermania naziste në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklaroi neutralitetin pas luftës nën presionin e aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Ajo kërkoi një rol si ndërmjetës midis Lindjes dhe Perëndimit dhe zhvilloi lidhje me Moskën gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë./ REl
Lajmi kryesor: