Autizmi, "Jemi si çdo fëmijë
tjetër...thjesht ndryshe!’

Autizmi, "Jemi si çdo fëmijë <br />tjetër...thjesht ndryshe!’
Për një kohë të gjatë vështirësia kryesore me fëmijët autikë mendohej të ishte pamundësia për të krijuar marrëdhënie me njerëz të tjerë. Fëmija autist duket i tërhequr nga bota e njerëzve. Sipas një studimi të fundit pranohet se autizmi eshte rezultat i defiçiteve të natyrës konjitive (njohëse). Natyra dhe origjina e këtij defiçiti nuk është shumë e qartë, por është e sigurt se ai shoqërohet me vështirësi të komunikimit.
Fëmijët autikë kanë vështirësi në të kuptuarit dhe të arriturit të konkluzioneve nga situata dhe ngjarje të ndryshme, veçanërisht situatat sociale. Si në të gjitha rastet apo të problemeve në zhvillim, ekziston një shumëllojshmëri sjelljesh që karakterizojnë fëmijët e etiketuar autist. Por këto sjellje jo gjithmonë prezantojnë të njëjtën shkallë apo manifestohen në të njëjtën mënyrë.
Ndryshimet në lëvizje
Fëmijët autikë arrijnë nivelet kryesore të zhvillimit motor pothuaj në të njëjtën moshë me fëmijët normalë, me një diferencë fare të vogël. Megjithatë disa aspekte të sjelljes motore janë normale, për shembull: ata kanë një mënyrë karakteristike të të qëndruarit në këmbë me kokën e përkulur përpara sikur duan të prekin dyshemenë. Kur ecin, shumë prej tyre ngrihen në majë të gishtave, pa i lëvizur krahët fare. Shpesh këta fëmijë shihen të përsërisin një lëvizje të caktuar herë pas here ( mund të rrotullohen rreth një këmbe, të shkund krahët, të tundë duart). Këto lëvizje të përsëritura bëhen zakonisht kur ata janë të acaruar apo kur mësohen me një eksperiencë. Në raste të tjera fëmijët autikë duket se i japin stimuj vetvetes, për shembull: lëvizin duart para syve, mund të rrotullohen për një farë kohe pa iu marrë mendja.
Kështu të rrotulluarit e vetes, dhe të rrokullisurit janë disa forma të stimulimit të vetvetes kur mungojnë stimujt nga të tjerët. Ata nuk preferojnë stimuj nga jashtë, por preferojnë stimuj që i prodhojnë vetë. Kjo mund të jetë si rezultat i paaftësive për të kuptuar ambjentin dhe për ta prezantuar atë në një mënyrë të kuptueshme. Veprimet e thjeshta e të përsëritura mund t’i japin fëmijëve autikë emocione të mundshme për tu përjetuar prej tyre.
Perceptimi te fëmijët autik
Reagimi i fëmijëve autikë ndaj ndijimeve të tyre nuk është shumë i qartë. Disa herë ata mund të sillen sikur nuk i përjetojnë zhurmat, dritat, aromat. Ata mund të reagojnë ndaj zhurmave të larta; mund të mos reagojnë ndaj një personi që e njohin mirë; mund të tregohen indiferentë ndaj dhimbjeve dhe të ftohtit. Por, në raste të tjera ata mund të reagojnë fuqishëm duke bërë të njohur se shqisat e tyre janë të kompletuara. Ata mund t’ia ngulin sytë një llampe të ndezur apo vetëm një pjese të caktuar të murit. Ata mund të pastrojnë me thua një sipërfaqe të vogël për orë të tëra. Fëmijët autikë kanë frikë nga objekte krejt të zakonshme, frikë që mund të eleminohet me largimin e objektit. Nga ana tjetër, fëmijët autikë mund të tregohen trima përballë situatave krejt të frikshme për fëmijët normalë. Këto rezultate mund të shpjegohen me faktin që fëmijët autikë kanë vështirësi për t’i dhënë kuptim ambjentit. Ata nuk e perceptojnë lodrën që ndërtojnë si përfaqësuese të diçkaje që ekziston në botën reale. Përsa i përket aftësive vizuale-hapësinore, fëmijët autikë duket se kanë aftësi të kujtojnë pozicionet e objekteve dhe kjo mbase ndikon në lojrat ndërtuese. Fëmijët autikë pëlqejnë rregullin dhe grumbullimin e lodrave në një vend. Dëshira për të ndërtuar mund të justifikohet me tendencën për të vendosur pjesët në vendin e tyre. Aftësitë vizuale-hapsinore tek fëmijët autik në krahasim me fëmijët normalë mund të justifikohen me aftësinë e kufizuar për të kuptuar ambjentin. Kështu për shembull një fëmijë autik e vë re një copë të vogël letre mbi qilim dhe do ta heqë me dorë për ta hedhur në plehra. Ndërkohë që një fëmijë normal nuk e vë re fare. Këta fëmijë harxhojnë shumë kohë për t’i vendosur objektet në një mënyrë të saktë, dhe vënë re çdo lloj ndryshimi, sado i vogël që të jetë ai. Ata duket se janë veçanërisht shumë të ndjeshëm në vendosjen hapsinore të objekteve. As objektet e as vendosjet e tyre nuk duket se kanë ndonjë kuptim të veçantë për ta. Për fëmijën autik theksi vendoset në vlerën perceptuale të objekteve të grumbulluara.
Sa inteligjentë janë fëmijët autiktë?
Shumica e fëmijëve autikë janë intelektualikisht të vonuar. Mendohet se koefiçenti intelektual i tyre mund të shkojë edhe nën 50. Gjenden pak fëmijë autikë që janë me inteligjencë normale, profili intelektual i fëmijëve autikë është krejt i veçantë. Një nga vështirësitë kryesore të fëmijëve autikë duket se është pamundësia për të përdorur eksperiencat e mëparshme për të kuptuar situatën konkrete dhe për të planifikuar të ardhmen e tyre. Ata duket se nuk janë në gjendje të organizojnë atë çka ata janë duke bërë. Megjithatë ata janë në gjendje të klasifikojnë në mënyrë sistematike objektet që i gjejnë në ambjentin e tyre. Ata duket se janë të fiksuar në të tashmen dhe ju mungon imagjinata.
Si ndikon autizmi në ndërveprimin me të tjerët?
Fëmijët autikë tentojnë të qëndrojnë larg prindërve, ata nuk reagojnë kur prindërit kthehen pas një largimi edhe të gjatë. Një nga karakteristikat e këtyre fëmijëve është paaftësia e tyre për të përdorur kontaktin trupor si mjet sigurie dhe rehatie. Ata nuk të përgjigjen me të qeshur kur dikush u jep një të qeshur, ata mundet të mos thonë mirupafshim kur dikush i thotë mirupafshim, ata mund të mos duartrokasin kur gjithë njerëzit e tjerë duartrokasin. Kështu një person autik nuk është në gjendje të kuptojë se personi të cilit po i flet është mërzitur me të dhe këtë e tregon fakti që ai po vështron nga dritarja për disa minuta tashmë. Ata tregojnë pak ose aspak aftësi për të përshtatur sjelljen e tyre ndaj nevojave dhe interesave të të tjerëve.
(Shkrimi eshte botuar ne te pervajshmen e gazetes Shqiptarja.com,  Almedicus)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza