Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, pritën në Pallatin Quirinale në Romë kryetarët e komunave arbëreshe në Itali. Begaj vlerësoi rolin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar për më shumë se pesë shekuj, duke i cilësuar si një urë lidhëse mes dy vendeve.
“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Begaj.
Presidenti falënderoi Mattarellën për mbështetjen e Italisë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa u ndal edhe te shqiptarët që jetojnë sot në Itali.
“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, theksoi ai.
Begaj u bëri thirrje drejtuesve të komunave arbëreshe të përcjellin gjuhën, kulturën dhe traditat te brezat e rinj, me mesazhin: “Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”
Në fund të takimit, dy presidentët shkëmbyen dekorata në shenjë vlerësimi të ndërsjellë.







Komente
Komento