Çamëria ose Thesprotia ilire
Çamëria e sotme është Thesprotia e lashtë ilire. Ajo përbën grupin e katërt të krahinave etnografike që formojnë Toskërinë. Në Enciklopedinë e Madhe Helenike, vëll.XXIII, faqe 405, thuhet: “Çamëria përfshin krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës dhe Margaritit, si dhe disa fshatra të krahinës së Delvinës, që përfundojnë në bregdet, që prej grykave të Akeronit deri në Butrint”. Mehdi Frashëri, në librin “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, f.55, thotë: “Thesprotët (çamët e sotëm) me kryeqytet Dodonën, kanë qenë pellazgët autoktonë”. Studiuesi grek, Jani Sharra, në librin “Istoria periohis Igumenicas, 1500-1900, Athinë 1985, thotë: “Çamët me origjinë shqiptare, banorë të Çamërisë (Thesprotisë) nga shek. 17-18 përkrahën besimin mysliman”. Ndërsa V.Krapsiti, në librin “I muslimani Camidhes tis Thesprotias, Athinë 1986, thotë: “Pranojmë se në tërësinë e tyre myslimanët çamë të Thesprotisë rrjedhin nga të krishterët vendas”.
Sipas statistikave turke të vitit 1910 për sanxhakun e Çamërisë, numri i popullsisë jepet në 60897 shqiptarë, nga të cilët 31304 myslimanë dhe 29593 ortodoksë. Grekët në atë kohë përbënin 12% të popullsisë me 9840 frymë – (v. Besim Qorri: Shqipëria e vërtetë, f.136-137). Ndërsa më 1913, kur Çamëria iu shkëput trungut amë dhe iu aneksua shtetit grek, me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, sipas Charles Vellay: “Irredentisme Helenique, Paris 1913”, popullsia e Çamërisë ishte rreth 70 mijë frymë.
Çamëria dhe Epiri
Çamëria e sotme shtrihet në vendin që në lashtësi quhej Epir. Me emrin Epir quhej një zonë që shtrihej nga Malet Akrakeraune (Llogoraja e sotme (në veri), deri në gjirin e Ambakisë në Jug dhe nga malet e Pindit në lindje, deri në Detin Jon në Perëndim. Pra kap një territor rreth 15 mijë km katrorë. Emri Epir, që në greqisht do të thotë tokë, stere, ishte emri me të cilin banorët e ishujve grekë quanin ata që jetonin përballë tyre. Në kohën arkaike (shek. 8-6 p.e.s.) ky vend nuk njihej me këtë emër, por, sipas burimeve letrare, njiheshin vetëm kaonët dhe vendi i kaonëve, thesprotët dhe vendi i thesprotëve, molosët dhe vendi i molosëve etj. Por nuk ekzistonin Epiri dhe epirotët. Në luftën e Peloponezit, në vitet 432-404 p.e.s. kaonët, molosët etj., shfaqen si etnitete politike më vete. Në vitin 429 p.e.s. shfaqen si aleatë të Spartës, apo të Athinës. Gjatë sundimit të mbretit Tharypa, gjatë viteve 439-390 p.e.s. molosët vendosën hegjemoni mbi fise të tjera dhe krijuan Lidhjen Molose. Pas mesit të shek. 4 p.e.s. mbreti Aleksandër, i mbiquajtur Molosi (362-321 p.e.s.), e shtriu sovranitetin e tij deri te thesprotët. Aleanca e re u quajt në këtë kohë “Aleanca Epirote”. Kjo aleancë krijonte mbrojtje dhe barazi formale në federatë. Lavdinë e tij shteti epirot e arriti nën udhëheqjen e Pirros së madh të Epirit, gjatë viteve 307-272 p.e.s. Në këtë kohë Epiri u fuqizua dhe rriti gjithnjë e më shumë shtrirjen e tij. Marrëdhëniet me Ilirinë shteti i Epirit i kishte të mira për dy arsye: së pari, Pirroja ishte rritur në oborrin e mbretit Glaukia të Ilirisë dhe së dyti, Iliria e ndihmoi atë të kthehej në fronin e tij të uzurpuar nga kundërshtarët politikë. Roli politik i Pirros i kaloi kufijtë e Epirit, duke vendosur edhe për politikën e Greqisë dhe të Maqedonisë. Pas vdekjes së Pirros, Epiri u dobësua mjaft dhe në vitin 232 p.e.s. monarkia e Akidëve ra dhe vendin e saj e zuri Lidhja Epirote. Kjo ishte një formë qeverisjeje republikane. Shumë shpejt në kurriz të këtij shteti ranë pasojat e luftërave iliro-maqedonase, si dhe iliro-romake. Në këto luftëra Epiri nuk u ndie aspak si fuqi ushtarake, deri sa më 167 p.e.s. ra nën sundimin romak. Në ndarjen e re administrative të vitit 148 p.e.s., Perandoria Romake e konsideronte Epirin si tokë maqedonase. Ndërsa, duke kaluar në shekullin e dytë të erës sonë, Epiri doli më vete nga Maqedonia dhe në shek. e tretë p.e.s. u krijua Epiri i Ri, që shtrihej nga lumi Vjosë deri në Mat. Interesant mbetet fakti se si Epiri i vjetër (aty ku kish qenë) dhe Epiri i Ri përfshiheshin në të njëjtën prefekturë, në atë të Ilirikur.
Autoktonia e Epirit
Për problemet etnike ndërmjet grekëve dhe epirotëve ekzistojnë dy pikëpamje: njëra e konsideron Epirin ilir dhe tjetra e konsideron grek. Për këtë çështje kanë shkruar në veprat e tyre historianët e lashtësisë greke, Herodoti e Tuqiditi. Herodoti thotë se ka dy histori. “Në vitin 576 p.e.s. tregohet se Kliseni, zoti i Sikionit, një njeri shumë i pasur, donte të martonte të bijën me një djalë të mirë ndërmjet grekëve”. Herodoti jep edhe listën e atyre që morën pjesë, rreth 13 djem, ndërmjet të cilëve ishte edhe një djalë me emrin Alkon. Fakti që ndërmjet djemve grekë kishte edhe një molos, ka shtyrë historianët të mendojnë se molosët janë grekë. Por Herodoti na jep edhe një pasazh të dytë. Në këtë dëshmi të dytë bën fjalë për “forca ushtarake greke që u mblodhën në Selaminë për të luftuar persët e fuqishëm të asaj kohe”. Duke i përshkruar ngjarjet, Herodoti thotë se: “Thesprotët janë fisi në kufi me ambrakasit dhe leukadasit, fiset më skajore greke, që dërgonin burra në luftën e Selaminës”. Pra, siç shihet, faktet që sjell Herodoti tregojnë se Molosët nuk ishin grekë. Kjo nuk është aspak e rastit, po të kihet parasysh se molosët banonin “këndej Thesprotisë”. Për më tepër sqaron Tuqiditi.
Për vetë rëndësinë e saj, lufta e Peloponezit përfshiu si botën greke, ashtu edhe një pjesë të botës barbare. Kjo është një e dhënë e rëndësishme për të sqaruar më qartë se cilat ishin zonat greke dhe cilat ishin zonat me popullsi jogreke. Me termin “barbar” grekët quanin të gjithë ata të cilët jetonin jashtë Greqisë. Por duhet pasur parasysh se në veprat e Tuqiditit nuk përmendet emërtimi “Epir, sepse në atë kohë nuk ishte krijuar ende ky term. Ekzistonin vetëm emrat e fiseve: Molosët, Thesprotët, Kaonët (këto ishin fiset kryesore) dhe disa fise të tjera. Duke përshkruar fushatën e luftës së Peloponezit, Tuqiditi thotë se: “Nga barbarët ishin kaonët, molosët, orestët dhe thesprotët. Pra nuk përmend emrin “Epir” apo “epirot”. Në kapitullin pasues Tuqiditi vë në dukje se “disa nga barbarët nuk kishin mbret dhe, ndryshe nga grekët që luftojnë në formacione të rregullta ushtarake, barbarët kaonë, megjithëse të zotë, luftonin në mënyrë të çrregullt”. Tuqiditi jep edhe të dhëna të tjera në lidhje me karakterin e barbarëve, por këto të dhëna nuk kanë shumë vlera. Rëndësi të madhe ka momenti kur historiani përmend se “barbarët nuk ishin greqishtfolës”. Pra, ai e ka thënë qartë se ata nuk ishin grekë. Prania e kolonive, kryesisht e korintasve rreth Gjirit të Ambrakisë dhe Gjirit të Jonit, deri në Korkyrë (Korfuzin e sotëm) dëshmon se kolonitë greke nuk janë krijuar as në Atikë dhe as në ndonjë zonë tjetër, por janë krijuar te barbarët. Ata që mbrojnë pikëpamjet e kundërta, nuk e kanë vlerësuar kurrë këtë fakt. Megjithatë janë gjeografë e historinë grekë që thonë se, “kolonistët grekë u vendosën në Korkyrë dhe u ndeshën në rezistencën e ilirëve Liburnë”. Kolonët që vendoseshin te barbarët, kur ndesheshin me rezistencën e vendasve, nuk kanë hezituar të përdorin edhe forcën kundër tyre… I tillë është rasti i apollonatëve kundër ilirëve, që shkatërruan pronat dhe tokat e tyre, në çerekun e parë të shek. të pestë p.e.s. Pra kolonitë greke për shumë kohë mbetën të bllokuara, për shkak të këtyre konflikteve, që kanë pasur popujt barbarë me kolonët grekë, por marrëdhëniet midis botës barbare dhe botës greke kanë qenë të hapura… Kjo vihej re në aspektin tregtar, kulturor etj. Bota moderne ia njeh këtë gjeni kulturës greke. Por marrëdhëniet kulturore nuk duhet të përzihen në çështjet etnike. Për këtë ishin të qartë banorët e këtyre vendeve. Si pasojë e marrëdhënieve të ngushta tregtare e kulturore dy botët, ajo greke dhe ajo shqiptare, u afruan shumë me njëra-tjetrën. Në zonën epirote banonin popullsi vendase barbare, si dhe koloni, të cilat jetonin në brigjet e Jonit dhe që preknin tangencialisht zonën epirote. Një historian tjetër grek, Teodor Skilaks, jep një paraqitje tjetër të zonës ndarëse ndërmjet botës greke dhe asaj barbare. Ai, duke përshkruar të gjithë Ilirinë, thotë: “Pas molosëve vijnë ambrakasit, të cilët janë në skaj të tokave greke. Pas kësaj fillon Ellada”. Pra shihet qartë se njëri pas tjetrit historianët grekë të lashtësisë kanë qenë të një mendimi për sa i përket kufirit midis grekëve dhe “barbarëve”. Më pas, për një periudhë më të vonshme, ka shkruar Straboni. Në këtë kohë, pra rreth shek. IV p.e.s. shfaqet për herë të parë termi “Epir” dhe “epirot”. Ky territor shtrihej në veri deri te malësia e Kurveleshit (sot), në jug deri në Gjirin e Ambrakisë dhe mbyllej në lindje në Malet e Pindit. Një fakt tjetër që jep Straboni, është edhe një përshkrim që i bën Homerit, duke shkruar se “ai (Homer) njihte mirë gjithë helenët, deri te thesprotët”. Emri Epir për Homerin kishte një kuptim të përgjithshëm, pra stere, siç është thënë më lart. Nga historianë të ndryshëm harta e Epirit del heterogjene, pra e lëvizshme. Kjo ndodh për shkak të lëvizjes së kolonëve, por popullsia kryesore ishte e barabartë. Nga burime të ndryshme del se popullsia “barbare” e kësaj zone nuk ishte greqishtfolëse. Por historianë të ndryshëm sot gjejnë pretekstin se, në qoftë se kjo popullsi nuk është greqishtfolëse, nuk është fakt bindës që ata janë ilirë. Por ky është një argumentim shumë i dobët. Duke u nisur nga prehistoria njihet fakti që në perëndim të gadishullit të Ballkanit u vendosën ilirët.
Toponimia e Çamërisë
Gjer më sot trajtesat më të hershme për toponiminë dhe prejardhjen e emrit Çamëri u takojnë studiuesve të huaj të shekullit të kaluar: M.Lake-Researches in Greece, Paris.1814.f/13. Poucqueville-Voyage de la Greece, Paris, 1820, f.22-23 etj. Vëmendja është drejtuar nga toponimia, pasi ajo ka natyrë konservative dhe ruhet relativisht gjatë, edhe kur ka zhvendosje popullsish. Është parë një lidhje e ngushtë e emrit Çamëri me emrin e lumit që e përshkon atë, Thiamis, i cili është identifikuar me Kalamajin, lumin që shkon pranë Shkallës së Filatit (Shkalla e Zorjanit). Çabej ka vërejtur se vazhdimësia e dy termave Thiamis – Çam shpjegohet në ligjëratë fonetike të shqipes.
Toponimet në Çamëri janë bllok në të gjithë Krahinën, por ato nuk janë ngulime të izoluara, ku dallohet njëlloj kontinuiteti në të gjitha fushat dhe malet e saj, duke përfshirë gjithashtu edhe hidronimet në tokë e në det. Në Çamëri ka emra shqip si: lis, gur, shpellë, burim etj. Pra kjo popullsi e lashtë autoktone i ka vënë emra dhe një are, një cepi, rrëze, birre, guri, gjurme, shkëmbi, spithari, gryke, vije, rrëkeje, përroi, lumi, zalli, deti, kënete, vau, ure, monopati, kishe, xhamie, pylli, përcëllime etj. Autori grek, Markopullos, në librin: “Llaografika – Llakas – Suli – Epirotiqi Estia”, Janinë 1982, f. 348-349”, thotë: “Fshatrat e Sulit emërtoheshin shqip si: Vetëtimë, Grope, Kali, Bardhi, Murrizi, Burima, Palovreshti, Arvanita etj”. Në vendosjen e emrave është mbuluar në mënyrë totale çdo kënd i trevës, gjë që do të thotë se kjo popullsi nuk përbën një minoritet, por një shtrirje etnike.
Nga toponimet në Çamëri po japim:
Oronime: Mali i Hilës (Filat), Çuka e Palit (Gumenicë), Mali i Bardhë (Sharat), Mali i Buzëziut (Arpicë), Mali i Bozhurit (Margëlliç), Mali i Dhëmbasit (Sul), Mali i Glatë (Bedelen), Mali i Ugurgarës (Nistë), Mali i Kladhit (Nuneshat), Malashinji
(Karbunarë), Mali i Kurorës (Nikolicaj), Mali i Llogarajit (Agji), Mali i Mëllezit (Konispol), Mali i Murgut (Sul), Mali i Qytezës (Mazrek). Mali i Shkodrës (Njihuar-Paramithi), Mali i Verdhëlës (Grikëhuar), Malet e Sheshtagjonëve etj.
Siç dihet shqiptarët i ndërtojnë toponimet duke u nisur nga një cilësi: nga ngjyra, forma etj. Si p.sh., Mali i Bardhë, sepse zbardhon, Mali i Murgut, sepse është i murgët, nxin. Mali i Dhëmbasit, sepse brezat shkëmborë i ka dhëmbë-dhëmbë, të thepisur. Mali i Gjatë, ngaqë është i gjatë etj. Vëmë re se ata janë të ndërtuar si përcaktorë pronësie shqiptarësh: Mali i Hilës, Çuka e Palit, Mali i Buzëziut, Mali i Shëndëlliut, Malet e Sheshtagjonëve etj. Pra shkalla e pronësisë tregon se këtu të zotët e vendit kanë qenë shqiptarët. Më shumë interes paraqet toponimi “Qafa e Lirive”, e cila duhet të jetë Qafa e Ilirëve, nga fakti që çamët e kanë zakon në shumë raste ta hanë zanoren, apo rrokjen e parë të një emri, si bie fjala te njerëzit me emrin Llaz, përdorin formën e shkurtër laz, duke ngrënë i-në për elimët, limët etj. Po kështu edhe te sendet: Brik, për ibrik, pra dhe të lirëve për ilirëve, përndryshe nuk mund të jepet asnjë kuptim tjetër që të tregojë përkatësinë e kësaj. Për Qafën e Lirive nuk na mbetet rast të dyshojmë për iliricitetin e emrit të cunguar, nga fakti se ky toponim i lashtë ruhet gjer sot në kujtesën e popullit, krahas atyre ku përmenden elimët, fis pellazgo-ilir. Këto lloj emërtimesh nuk mund t’i ndeshim në tokën greke, por vetëm në Çamëri dhe në Shqipëri. Kjo do të thotë se grekët nuk kanë ekzistuar në Çamëri. Vërejmë se në vendosjen e emrave është e njëjta mendësi, i njëjti mekanizëm. Nga paralelizmat për malet, si në Çamëri dhe në Shqipëri, kemi: Mali i Bardhë, Mali i Shëndëlliut, Mali i Kurorës, Mali i Llogorait, respektivisht në Vlorë, Tepelenë, Kudhës, Dukat. Po kështu, në të dyja anët, në Çamëri dhe në Shqipëri, kemi paralele emrash të fshatrave, p.sh. Gumenicë, Dushk, Lëkurës, Lopës, Varfanj, Vilë, Mazrek, Kurtes, Gravë, Karbunar, Drizë, Kuç, Currilë, Gurrëz, Neshat, Shëmrizë, Dardhë etj.
Vendet ku jetojnë akoma të gjalla mitet, toponimet, gojëdhënat, frazeologjitë, nga Labëria në Çamëri, fillojnë nga fshati Gumenicë i Vlorës, Tërbaç, Kallarat, Kudhës, Qeparo, Sasaj, Butrint, pastaj duke hyrë në krahinën e Çamërisë nënë, prej Koskës në Vërselë, Guman, Gurrëz, Varfanj, Grikëhuar, Sharat, Nuneshat, Kuç, Arvenicë, Arpicë, Arilë, Mazrek, Luarat, Margëlliç, Mur, Vrastovë, Karbunar, Grikë etj. Këto emërtime në kujtesën e shqiptarëve, këtu dhe në Çamëri, nuk do të ekzistonin, në qoftë se këta nuk do të kishin qenë bashkëkohës të këtyre vendasve. Atje ku kemi varre elimësh, kanë qenë protoshqiptarët, që e kanë përcaktuar varrin se ku ka qenë dhe ua ka përcjellë brezave. Prej këtyre fakteve të pakundërshtueshme provohet qartë se popullsia çame është e lashtë dhe e pakëputur. Çamët janë vazhdues të epirotëve. Nëse shqiptarët kanë shkuar vonë në ato troje, siç deklarojnë disa studiues grekë të pabesueshëm, si do të mund të trashëgonin këtë kujtesë mijëravjeçare? Pra, siç është e lashtë toponimia e Çamërisë, e lashtë është edhe popullsia e Çamërisë, sepse janë çamët që i ruajnë ato pasuri mendore e lëndore dhe jo grekët.
Hidronimet
Mund të themi se pothuajse gjithë hidronimia e Çamërisë është shqip. Shumë të rralla janë ato me prejardhje nga gjuhët e pushtuesve. Deti i Çamërisë, i cili thirret me dy emra: Deti Jon dhe Deti i Zonjës (apo Fusha e Zonjës), që të dy këta emra janë të gjuhës shqipe. Nga hidronimet e tjera mund të përmendim: Lumreja e Janinës, një lumë me zigzage që vjen nga Hani i Pllakës në Lefterhor, Lumi i Zi (Akeroni), Ujët e Verdhë (ngushticë deri ndërmjet Kakasë së Nisës dhe Marvenorës në Vilë), Di Krerët (Ngushtica e detit që ndan ishullin Pasko me antipasko-n) Lumi i Artës, Lluri, Kalamai, Lumi i Pavlit, Përroi i Miç Dukës, Përroi i Shkëmthit, Përroi Dushqez, Përroi i Katundit, Burim i Zërës, Burim i Labit, Burim i Kaninës, Kroi i Mirë, Kroi i Shurrës, Kroi i Ariut, Kroi i Sorrëzës, Pus’ i Mollës, Pus’ i Çalares, Uji i Bardhë etj.
Antroponimia
Në fillim të shek. 13, Çamëria ishte pjesë e Despotatit të Epirit. Sundimtari i Epirit në shekullin e 14 ishte Gjon Zenebishta, i cili, ashtu si Gjin Bue Shpata, sundimtari i Prevezës, quheshin “Zot”. Në gjysmën e dytë të shek. 15, Çamëria u bë shesh rezistence për ushtritë osmane. Kjo krahinë ra nën sundimin osman dhe u përfshi në Sanxhakun e Delvinës. Çamëria (Vajametia në Mesjetë) ishte një nga ato vende ku dallohej qartë vazhdimësia e zakoneve të antikitetit. Në shek. 16, në kohën që u bë regjistrimi i popullsisë në kadastra, të bie në sy fakti se në zonën e Delvinës, pra edhe në Çamëri, emrat ishin tipikë shqiptarë. Regjistri kadastral i vitit 1582-1583 i Kazasë së Delvinës, në regjistrin e Sanxhakut të Delvinës të viteve 1582-1583, përfshin dhe 64 fshatra. Aty janë të regjistruar të gjithë kryefamiljarët dhe të pamartuarit, meshkujt e vejushat e çdo fshati.
Le të analizojmë të dhënat për Fshatin Sharat, katund çam disa kilometra nga bregdeti Jon, faqja 24 b. Po japim emrat dhe mbiemrat e fshatarëve të këtij fshati, që janë përfshirë në këtë gurrë osmane: Nikë Nikolli, Nikol Gjini, Dol Nika, Pal Gjoni, Kostë Mëhilli, Gjikë Dedë Zhupa, Liko Nikolla,Nikë Gjoni, Progër Gjini,Dokë Gjini, Gjikë Gjoni, Martin Prifti, Gjikë Pali, Dokë Doli, Martin Gjini, Gjokë Deda, Martin Pali, Zhupa Pali, Dodë Pali, Jani Doli, Pjetri Qesari, Martin Komneni, Gjikë Teodori, Ahmet Shtrepi, Lisimed Meladeni, Martin Kola, Nikol Pali, Strati Lira, Dhimo Klea, Komnen Kondi, Dedë Gjini, Niklol Pali, Martin Andrea, Doli Komneni, Melkë Andrea, Nikol Qesari, Llazar Gjoni, Dod Nikolla, Lik Strati, Nik Andrea, Martin Loli.
Emra të periudhës ilire:
Emri Dhimo është zvogëlues i emrit Dhimitër. Ky shkurtim i tillë gjendet vetëm në gjuhën shqipe. Dhimitër është emër me origjinë pellazgo-ilire. Sipas Nermin Vlorës, ky emër rrjedh nga Dhe-Mitër, që do të thotë dhe-në-ne. Ky antroponim ndeshet jo vetëm para Krishtit në truallin tonë, por edhe në mesjetën shqiptare.
Emri Kostë buron nga Kostandin, është emër i pashquar me prejardhje ilire. Në shqip ka dhënë Koçi, Koço, Kostandin, Kondi Kosta dhe Ndini. Antroponimi Lik është emër ilir (V.Cumohovski. B.SH.Sh. Nr.2- Tiranë, f.147), po këtë pohojnë edhe H.Krahe, E. Çabej dhe Z.Mirdita. Dedë rrjedh nga Dida, emër vetjak ilir. H.Krahe kallëzon se Dida është emër ilir (Leksikon Alitillyricher personnamen) Heidelberg, 1929. Maksimilian Lamberci, emrin Deda e sheh si reflektim nga antroponimi më i hershëm ilir, Dida. Sipas R.Doçit, ai gjendet në formën e hershme edhe sot, buzë lumit Klinë, në Didë të Prizrenit. Emri Dedë është i përhapur në Mesjetë, në format Dedaj, Dedash, Dedë, Dedinë, Dedosh. (Shuteriqi L. SHBA faqe 3090). Këto antroponime tregojnë se kjo popullatë, e shtrirë në këtë trevë, i përket truallit gjeografik ilir e më pas arbëror, qysh në periudhat më të hershme ilire, që afirmojnë vazhdimësinë e banorëve çamë qysh para erës së re.
Emra të periudhës latine:
Dokë dhe Martin. Dokë rrjedh nga Antonius. Ka qenë Ndokë e së fundi Dokë. Bie në sy përdorimi i emrit vetjak latin Martin. Ky antroponim ka përhapje të madhe në Mesjetë. Atë e ndeshim të përdoret në mjaft persona. Në rrënjosjen e këtij emri rol të madh ka luajtur kisha dhe numri i madh i shenjtorëve të saj. Shën Martini ka jetuar në shekullin IV në Francë.
Vijojmë me emra kuptimorë: Doli, Melkë dhe Lisimadh. Doli buron nga emri kuptimor doli, Lisimadh është antroponim i përbërë nga emir Lis dhe mbiemri i madh. Në Mesjetë është përdorur dendur si antroponim. Melkë buron nga emri vetjak Mel-i. Në rastin tonë është përdorur me prapashtesën zvogëluese – kë. Ai del me këto trajta: Melas, Melash, Melkë, sipas Dh. Shuteriqit. Emrat e mësipërm nuk janë importuar në këtë territor. Popullsia shqiptare e kësaj kazaje kishte në Mesjetë një sistem të sajin emrash vetjakë dhe llagapesh popullorë përpara botës së parakrishterë, të dala nga fondi i gjuhës shqipe. Këto antroponime, trashëgesa të lashta, janë elemente rrënjësh qysh në lashtësi. Në këtë fshat emrat vetjakë, nga pikëpamja strukturore, dalin kryesisht si emra të parmë njëgjymtyrësh. Vetëm kompozita Lisimadh bën përjashtim. Më i përhapur në këtë fshat është emri Martin. Ai shoqërohet me antroponimet Kola, Andrea, Prifti, Pali, Gjini, Loli, Komneni etj. Antroponimet e patronimet Gjikë, Gjokë, Dodë, Mëhill, Toskë, Strat, Nikë, Pal, Kola, Komneni, Nikol, Pjetër, Kondi, Gjoni, Progir, Dokë etj. Janë emra tradicionalë shqiptarë. Emrat e mbiemrat Gjon e Gjin janë të njëjtë. Emri Gjon është emri në Europë në shekullin e parë, buron nga emri hebraik Johanani, që është emri i apostullit të Krishtit Shën Gjonit, i përpunuar ndër shekuj ka dhënë në këtë truall Gjon. Emri Gjin është një ndër emrat që është përdorur më shpesh ndër shqiptarët në Mesjetë. Ai ka dhënë këto forma: Gjinar, Gjinec, Gjinak, sipas Shuteriqit. Shën Gjini e Shën Gjoni e kanë festën më 24 qershor, kur kemi ditën më të gjatë e natën më të shkurtër. Nikolla ka dhënë zvogëluesin Kolë dhe Nikë. Mikel është kthyer në Mëhill. Në këtë fshat janë përdorur shpesh emra të truallit arbëror Nikë dhe Gjikë. Nuk ngelet pas emri Mikel, i përdorur katër herë. Në këtë fshat përfshihen edhe 6 emra me origjinë hebraike krishtere të futur në fondin antroponimik dhe patronomik si emra shenjtorësh Jani, Pjetri, Pali, që janë emrat e apostujve të Krishtit. Mikel është emër i hershëm biblik Mikael, Llazar e Nikolla janë emra të shenjtorëve sllavë. Emri i vetëm i këtij fshati me etimologji greke është Strati, por edhe ai bën pjesë në truallin arbëror. Më vonë në Shqipëri, me ardhjen e islamizmit, ky emër iu përshtat terminologjisë orientale dhe, kur u myslimanizua ky vend, u kthye në Sefer e Asqer, që kanë të njëjtin kuptim me emrin Strat. I vetmi antroponim oriental është emri Ahmet, por edhe ai është shoqëruar me llagapin shqiptar (Ahmet Shtrepi). Në këtë katund kemi një emër pellazgo-ilir, tre emra me prejardhje ilire, dy me origjinë latine, gjashtë me origjinë hebraike krishtere, tre emra kuptimorë, dhjetë të truallit arbëror, një emër me etimologji greke, kthyer në emër të truallit arbëror dhe një antroponim oriental. Vlen të përmendim që të gjithë emrat e Mesjetës së vonë të përdorura në fshatin Sharat, si dhe në fshatrat e kësaj kazaje, janë të ndryshëm nga ata që përdorin grekët. Emri Gjikë Zhupa nga ana e konstruktit i përket periudhës së Mesjetës. M.Shiflai vë në dukje se elementi shqiptar gjithnjë është rrudhur dhe është bërë si top iriqi. Ndërsa Çabej thotë: “Vendbanimi i shqiptarëve nuk është një zonë ekspansioni, por një zonë rrudhjeje, përfundimi i ngushtimit të paprerë gjatë historisë së tyre. Po t’i referohemi historisë dhe autorëve të vjetër grekë, kufiri verior i kombësisë greke dhe i gjuhës greke fillon në bregun jugor të Gjirit të Artës na bën të ditur Straboni. Prandaj këto toka të Çamërisë, ku bën pjesë ky fshat, janë troje autoktone shqiptare, të dhëna padrejtësisht Greqisë në vitin 1913. Deri më 1944 ky fshat, ashtu si gjithë fshatrat e Çamërisë, banohej nga shqiptarë etnikë. Fakte të tilla autentike vërtetojnë pa mëdyshje se Çamëria ka pasur gjatë gjithë historisë së saj një popullsi me një kompaktësi ekzemplare shqiptare.
Përpjekjet për shkombëtarizim
Deri në mbarim të shekullit të 18, popullsia çame ka qenë e gjitha e krishterë shqiptare, pastaj aty filloi të hyjë myslimanizmi. Por megjithatë midis të krishterëve dhe myslimanëve nuk u shkaktua ndonjë përplasje fetare, siç ka ndodhur në vende të tjera të botës. Një pjesë e çamëve myslimanë mbajnë sot mbiemrat e kohës kur kanë qenë të krishterë, ndërsa të tjerë përdorin si mbiemra emrat e etërve apo gjyshërve të tyre. Emra fisesh të lashta: Bregu, Demi, Hunda, Kali, Merxhushi, Bollati, Pirro, Pronjo, Shurdhi, Nikëjani, Kurrushi, Barkanjari, Sherri, Spata, Burri, Pashkanji, Premti, Suloti, Zerva, Bardhi, Kondi, Preveza, Timka, Uthulla, Luli, Lluri, Matraku, Buzëbardhi, Derri, Gërra, Kokëbardhi, Çapari, Buza, Golemi etj.
Pas largimit të pushtuesve turq nga Çamëria dhe vënien e saj nën zgjedhën e re greke, procesi i asimilimit ndryshoi raportin teknik. Pushtuesit e rinj iu vunë në ethe punës për shkombëtarizimin e shqiptarëve: nga njëra anë filluan shkëmbimin e popullatës myslimane shqiptare me grekët e Azisë së Vogël (1923-1924), të krishterëve u mohuan identitetin kombëtar, ose u imponuan fshehjen e tij nga frika. Banorët e krishterë i quajti “grekë”. Pasi bëri spastrimin etnik të popullsisë myslimane, ashtu si hajduti që kërkon të mbulojë gjurmët, Greqia shpejtoi të ndryshonte emrat e vendbanimeve çame. Fillimisht ajo ndryshoi emrin nga Çamëri në Thesproti, për ta shlyer këtë gjurmë shqiptare dhe për të zhdukur njëherë e përgjithmonë nga kujtesa njerëzore emrin çam dhe Çamëri. Me emërtimin e ri Thesproti padashur i dha trevës autoktoninë e lashtë ilire. Edhe emrave të qyteteve të Çamërisë u është dhënë fytyrë greke, p.sh. Filatit sot i thërrasin Filites, Gumenicës – Igumenicë, Margëlliçit – Margariti, Paramithisë – Paramithja etj. Po kështu edhe gjithë fshatrave të Çamërisë ua kanë ndryshuar emrat si p.sh. Curilë në Kalithes, Dolani – Jeropllatano, Galbaqi – Koqino Lithari, Gurrëza – Ano Palo Klisi, Menxhari – Qiparisos, Lopësi – Asproklisi, Lllabanica – Ellataria, Spatari- Tri Korifo, Vila – Dhonates, Varfanji – Parapotamo, Vreshta-Ambalia, Rrëzanji – AjJorgji, Shëmriza – Ajia Maria, Shulashi – Krionri, Ledheza – Ladhohoti, Kuçi – Polineri etj.
Por të gjitha këto përpjekje nuk kanë mundur ta zhdukin identitetin shqiptar të Çamërisë, pasi në shtëpitë e tyre ende flitet shqip, respektohen traditat dhe zakonet. Atje jetojnë akoma të gjalla mitet, toponimet, gojëdhënat. Që në kohërat më të lashta, Çamëria ka qenë shqiptare dhe e tillë ka mbetur.
Marre nga gazeta Shqip
(sg/shqiptarja.com)