Ka nisur në Tiranë në sheshin ‘Nënë Tereza’ edicioni i 4 i ‘Automative Fair Albania’, që si çdo vit bën bashkë të pasionuarit pas makinave dhe jo vetëm. Për 4 ditë rresht, nga mbrëmja e së enjtes e deri të dielën, kureshtarët kanë mundësinë të njihen me makina retro të llojeve të ndryshme, që nuk ndodhen në treg, motorë unikë apo edhe makina elektrike.
Jo vetëm ekspozita të dy apo katër rrotakëve, por të pasionuarit kanë mundësinë të mësojnë të rejat më të fundit mbi botën e automobilizmit.
Shfaqja nisi me një koncert artistik për të pranishmit, që ishin të të gjithë kategorive të moshave. Përpos motosportit në ekspozitë kishte edhe elementë të kulinarisë (verë).
‘Automotivë Fair Albania’ nuk ka për qëllim vetëm argëtimin e publikut, por edhe forcimin e kulturës së sigurisë rrugore dhe përgjegjësinë që nis pas timonit.
Në ditën e dytë të aktivitetin në program janë garat Go Kart për fëmijët, por edhe demonstrimi i aftësive nga shoferët e rinj. Mbrëmja do të jetë unike, pasi makinat më të çuditshme dhe spektakolare do shtojnë adrenalinën me shfaqje të rrezikshme nga pilotët profesionistë. Pothuajse i njëjti program është edhe të shtunën, ndërsa të dielën është parashikuar ceremonia përmbyllëse. Aktiviteti organizohet nga DPSHTRR dhe Auto Club Albania.
Komente










