Spitali rajonal i Fierit është kthyer në shembullin më të mirë ku autonomia menaxheriale dhe financiare përkthehen në shërbime më cilësore për qytetarët, tha të enjten kryeministri Edi Rama. Ndërsa ndan pamje të vizitës së Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në këtë institucion, Rama ndau detaje për vizionin për të ardhmen e sistemit spitalor rajonal.
“Në vitin 2026 pritet të nisë një proces i thellë riformatimi, që synon më shumë efikasitet, menaxhim modern dhe kujdes dinjitoz për çdo pacient, kudo në vend” shkroi Rama në Facebook.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit hapi dyert në vitin 2021 duke ofruar shërbime të nivelit terciar, për të gjithë jugun e vendit.
Me një kapacitet prej 150 shtretërish spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.
Komente










