Ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen kryeinspektori i përgjithshëm i Inspektoratit Qëndror, Shkëlqim Hajdari.

Megjithëse ende nuk dihen shkaqet e dorëheqjes së tij, ditën e djeshme, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkroi se ndihej i lumtur që reforma ligjore ne fushën e inspektimeve është finalizuar.

Po ashtu, ai falënderoi të gjithë stafin e tij dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë, të cilën e cilëson vizionare sipas standardeve më të mira të inspektimeve në BE.

Hajdari shkroi më tej se nga ky moment e tutje, paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm do të marrin fund.

“Bac u kry! Jam thellësisht i lumtur për finalizimin e reformës ligjore në fushën e inspektimeve.
Rezultatet e kësaj reforme janë tashmë konkrete: pesë masat e para administrative janë shfuqizuar nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, mbi bazën e ligjit, objektivitetit dhe transparencës. Ky komision përbëhet nga përfaqësues të Inspektoratit të Përgjithshëm, Inspektoratit Qendror që ka vendosur gjobën, ministrisë së linjës, si dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit.

Nga ky moment e tutje, paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm do të marrin fund. Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë stafin e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë të lodhshme dhe të vështirë, por vizionare dhe në përputhje me standardet më të mira të inspektimeve në Bashkimin Evropian”, shkroi ai ditën e djeshme në një reagim në rrjetet sociale.

Shkëlqim Hajdari e mbante postin e kryeinspektorit të përgjithshëm që prej korrikut të vitit 2016.

Ai e mori detyrën e kryeinspektorit të përgjithshëm pasi më herët u dorëhoq nga posti i prokurorit, pas një konflikti me kryeprokurorin Adriatik Llalla, pas transferimit të tij në Shkodër.

Emërimi i Hajdarit në postin e kryeinspektorit të përgjithshëm u bë atë kohë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sjellim në vëmendje se kryeinspektori i përgjithshëm, i cili është përgjegjës për të gjitha inspektoratet e tjera, është në varësi të kryeministrit.