KLOS- Autopsia e bërë ndaj 23- vjeçarit të vrarë në Mat, Fatjon Barmeta ka zbuluar një fakt tronditës. Ai ka vazhduar të jetojë për 48 orë edhe pas groposjes që i kanë bërë nën zhavorr vrasësit e tij. Ky fakt është konfirmuar dje edhe nga drejtues të lartë të policisë, të cilët kanë thënë se krahasimet e dëshmive dhe akteve mjekësore vërtetojnë se 23-vjeçari ka pësuar një vdekje të mundimshme dhe makabre.

Në aktet e autopsisë është përcaktuar koha e saktë kur 23- vjeçari ka ndërruar jetë.
"Nga kqyrja e mushkërive të viktimës rezulton se mushkëritë kanë qëndruar dhe kanë ndalur funksionin e tyre në intervalin kohor rreth orës 17:00-19:00 të ditës së hënë datë 19 Nëntor 2012. Deri në këtë moment viktima ka qenë në gjendje jete dhe ka marrë frymë", - shkruhet në raportin e firmosur të mjekut ligjor. Këtë të dhënë shkencore hetuesit e kanë krahasuar me njërën nga dëshmitë e dhëna prej tre të arrestuarve, më konkretisht Astrit(Elis) Bojës. Ai kur ka pranuar krimin është shprehur se kishte goditur me sende të forta 23- vjeçarin dhe e kishte mbuluar me zhavorr pasditen e së shtunës më datën 17 Nëntor.

Gjatë marrjes në pyetje në polici ai është shprehur se kishte menduar se e kishte vrarë në vend viktimën, fakt ky që rezulton i pavërtetë nga autopsia e bërë dy ditë më parë. E kundërta ka ndodhur, sipas autopsisë viktima ka humbur fillimisht ndjenjat për shkak të goditjeve të marra në kokë dhe në trup, por pas mbulimit me zhavorr viktima duket se ka luftuar për të jetuar pasi zhavorri ka lejuar qarkullimin e oksigjenit.

AUTOPSIA
Burime nga policia kanë dhënë shpjegime të mëtejshme në lidhje me orët e fundit dhe tejet të mundimshme të 23- vjeçarit Barmeta. Ata kanë deklaruar se nga konsultat me mjekët këta të fundit janë shprehur se 23 vjeçari fillimisht ka humbur koshiencën pasi është goditur me mjete të forta por organet e tij jetësore kanë funksionuar normalisht dhe frymëmarrja nuk është ndërprerë. Me kalimin e orëve trauma e goditjeve ka kaluar dhe viktima ka rifituar koshiencën por e ka gjetur vetën të pamundur për të reaguar. Sipas mjekëve kjo fazë duhet të ketë zgjatur rreth 3 apo 4 orë dhe mendohet se viktima ka humbur sërish koshiencën por pavarësisht këtij fakti organet e tij jetësore kanë vazhduar funksionimin e tyre pasi mbulimi me zhavorr nuk kishte mundësuar dot pengimin e oksigjenit.

Madje mjekët u kanë thënë hetuesve të policisë se nëse viktima do të ishte gjetur 24 orë pas varrosjes së tij të gjallë, pra ditën e dielë, mund të kishte shanse të mira për shpëtimin e tij.

Të njëjtat burime kanë sqaruar dje për Shqiptarja.com se autorët e dyshuar ndonëse kanë patur si qëllim eleminimin fizik të 23- vjeçarit nuk kanë patur qëllim një vdekje të mundimshme për të. Burime policore thanë dje se autorët kanë menduar se e kanë vrarë viktimën përpara se ta mbulonin me një masiv zhavorri.

MOTIVET
Familjet Barmeta dhe Boja japin dy versione diametralisht të kundërta përsa i takon motiveve të kësaj vrasje. I ati i viktimës Liman Barmeta ka deklaruar edhe publikisht se i biri i tij kishte punuar deri në muajin janar në lokalin e shtetasit Përparim Boja. Sipas të atit ai gjatë punës kishte kapur në flagrancë bashkëshorten e Përparimit, Flora Boja me një mikun e Përparimit të quajtur Fatjon Cana. Sipas të atit të viktimës, Përparimi, vëllai i tij Astriti (Elisi) dhe Fatjon Cani kanë kryer në bashkëpunim krimin. Por policia ka mundur të marrë deri më tani vetëm rrëfimin e Astrit Bojës ndonëse mban të arrestuar dhe Përparim Bojën dhe Fatjon Canin, duke i lidhur me ngjarjen falë provave të marra me metoda speciale hetimi.

Nga ana tjetër të afërm të familjes Boja japin një tjetër version të ngjarjes. Ata shprehen se viktima Fatjon Barmeta ishte kthyer në një shqetësim për bashkëshorten e ish-pronarit të tij, pasi e përndiqte sidomos nëpërmjet thirrjeve dhe mesazheve telefonike duke synuar një lidhje me të dhe madje duke i kërkuar dhe lekë në këmbim të heshtjes mbi faktet që ai dinte për të. Zyrtarë të policisë së Matit thanë dje se faza aktuale e hetimit nuk ka qartësuar ende një zbardhje të qartë të rrethanave në të cilat është zhvilluar kjo marrëdhënie komplekse. "Presim dhe zbardhjen e elementëve të tjerë dhe në këtë moment nuk jemi në gjendje të përcaktojmë saktësisht se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe 'lufta e nëndheshme' mes palëve apo në ç'formë mund të jenë ngatërruar punët në kuptimin e lidhjeve apo marrëdhënieve intime. Presim që në një moment të dytë falë hetimeve dhe dëshmive të protagonistëve të arrijmë edhe te kjo e vërtetë", - thanë dje hetues të çështjes. Paraprakisht hetuesit dyshojnë se Përparim Boja mund të jetë organizatori i i kësaj vrasje por deri më tani nuk ka prova që e vërtetojnë këtë fakt, aktualisht nëpërmjet evidentimit të thirrjeve dhe tabulateve telefonike policia ka mundur të sigurojë prova paraprake që mund ta akuzojnë Përparim Bojën si bashkëpunëtor në këtë vrasje.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)