Autoriteti i Dosjeve hap 'Fondin Kosova', mbi 11 mijë fashikuj tani nuk janë më sekret! Mes tyre dosja e Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Rugovës

Autoriteti i Dosjeve ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe kërkuesve shkencorë ‘Fondin Kosova’, një arkiv unik me 11,630 fashikuj, të ruajtur në 74 kasaforta, që mbartin dëshmi të rëndësishme mbi ngjarjet më të rëndësishme politike, sociale dhe kulturore të Kosovës nga viti 1944 deri në 1991, ku bien ne sy fashikuj mbi lëvizjet rinore kosovare dhe ato për mohimin e te drejtave të shqiptarëve të Kosovës, si dhe të tilla si dokumente dhe fakte mbi shpopullimin dhe largimin me dhunë nga territoret e tyre të shqiptarëve të Kosovës.

Fondi "Kosova" përbën një burim të çmuar për hulumtuesit, duke përfshirë dokumente mbi demonstratat e vitit 1981 dhe lëvizjet politike të viteve 1988-1989, por edhe mbi gjendjen e institucioneve arsimore e kulturore të asaj kohe. Mes tyre janë dhe dosja e Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Rrugovës.

Çfarë përmban dosja e Jusuf Gërvallës?

Në dosje janë dokumente të rëndësishme të Jusuf Gërvallës: politikan, shkrimtar, muzikant dhe themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës në vitet ’80, që u vra nga ish-shërbimi sekret jugosllav, në Shtutgart të Gjermanisë.

Dritë mbi ngjarje dramatike

Në dosje janë momentet kur ai ka jetuar në Tiranë, aktiviteti politik, pjesëmarrja në demonstrata, personat e dyshuar që mund të kenë lidhje me vrasjen e tij në Gjermani.
Drejtori i Arkivit, Anton Dukagjin shprehet se mes dokumenteve të shumta të ruajtura, veçohen disa dosje të rëndësishme, që hedhin dritë mbi ngjarjet më dramatike të historisë moderne të Kosovës:

"Të dhëna nga burimet tona" – Një dosje me tre vëllime dhe 687 faqe mbi demonstratat e Kosovës.

Dosjet mbi goditjet e mars-prill 1981 – Dy vëllime me 531 faqe, që dokumentojnë ndodhitë pas protestave.

Demonstratat e marsit 1982 – Një dosje me 2 volume dhe 593 faqe, që analizon lëvizjet e mëtejshme studentore.

Rezidenca e Beogradit (1972-1981) – Analiza dhe diskutime politike të ruajtura në 149 faqe.

Fashikulli mbi ngjarjet e Kosovës (prill-maj 1981) – Një dokument me 211 faqe, që përmban raportime të detajuara mbi zhvillimet e atyre muajve vendimtarë.

Seria e dosjeve të "goditjeve në Kosovë" (1975-1990) – Dokumente me qindra faqe që zbulojnë prapaskenat e represionit shtetëror.

Informacione sekrete të KQ të PPSH mbi arrestimet, dhunën dhe torturat e përdorura nga organet jugosllave ndaj shqiptarëve ; Dosje mbi spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe ndikimin e tij në zvogëlimin e kombit shqiptar; Komentet dhe analizat e diplomatëve të huaj për politikën shqiptare ndaj Kosovës në vitet '80.

Fondi ruan gjithashtu dokumente të rëndësishme mbi personalitetet të njohura në lëvizjet e Kosovës për pavarësi, si Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Rugova, e shumë të tjerë, duke ofruar një mundësi të rrallë për studiuesit që dëshirojnë të kuptojnë më thellë historinë dhe rezistencën e Kosovës.

Hapja e këtij fondi shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e historisë së Kosovës dhe ruajtjen e kujtesës historike, duke u dhënë studiuesve mundësinë të hulumtojnë mbi një periudhë që ka lënë gjurmë të thella në fatet e kombit shqiptar.

S.G/B.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë 'sherifi'

Skënder Minxhozi: Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë 'sherifi'