Autoriteti shqyrton dokumentacionin arkivor të Komisioneve ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’

Autoriteti shqyrton dokumentacionin arkivor të Komisioneve ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’

Pas ndryshimeve ligjore dhe interesit të lartë të publikut për mënyrën si është kryer verifikimi i figurave nga këto komisione, Autoriteti ngriti një Grup Pune me objekt  “Identifikimin dhe njohjen e akteve juridike dhe veprimtarinë e dy institucioneve përgjegjëse, lidhur me procesin e kontrollit të figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë në Republikën e Shqipërisë, listës me bazë të dhënash të dokumentacionit arkivor të krijuar, numrin e zyrtarëve të verifikuar prej tyre dhe rezultatin e verifikimit, procesin e grumbullimit, marrjes në administrim dhe përpunimit të fondit, dhe praktikat ndërkombëtare për verifikimin e figurave”. Në përfundim grupi ka hartuar një raport përmbledhës, i cili është me miratuar me Vendim. Për shkak të informacionit që përmban është me nivel klasifikimi.  

Disa nga gjetjet e këtij raporti përmblidhen shkurtimisht si më poshtë:

Fondi arkivor i shqyrtuar përgjatë periudhës 1996-2001 përbëhet nga 274 dosje dhe 24.034 fletë.

Komisioni Mezini e ka filluar punën me kërkesat e para në 27 mars 1996 me rastin e zgjedhjeve parlamentare. Përgjatë kohës së funksionimit të tij, në fokus ka qenë verifikimi i figurave të organit ligjvënës, Kuvendit.

Gjithsej, në dy zgjedhjet parlamentare dhe një lokale të viteve 1996 dhe 1997, kanë marrë pjesë 71 subjekte politike. Ndërkaq, ky komision ka marrë vendime për 4.964 kandidatë, duke vendosur konfirmim për 4.563 kandidatë dhe përjashtim nga kandidimi të 399 kandidatëve, ose 7 % e numrit total rezultoi me probleme të pastërtisë.

Nga 399 e kandidatëve të përjashtuar nga kandidimi, 45 kanë paraqitur ankimim në Gjykatën e Kasacionit, nga këto në 37 raste Gjykata e Kasacionit ka lënë në fuqi vendimin e komisionit.

Në komisionin Mezini, grupi i punës ka identifikuar të paktën 40 raste, me vendime kontradiktore që u përkasin subjekteve të ndryshme politike të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe 1997. Nga këto 40 raste, 21 kandidatë rezultuan me ndalesë për të kandiduar, ndërsa 19 prej tyre u lejuan të kandidojnë, edhe pse duket se figuronin me të njëjtat probleme me pastërtinë e figurës.

Komisioni Bezhani e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1998 deri në fund të vitit 2001 duke shqyrtuar pastërtinë e figurës për 3.759 zyrtarë të lartë. Ky komision, ndryshe nga ai paraardhës, kishte në fokus të punës së tij kontrollin e figurës së funksionarëve të administratës shtetërore.

Për 278 zyrtarë ose 7% e numrit të përgjithshëm, për të cilët rezultonte se ka të dhëna për ta në dokumentet e ish Sigurimit, për të paktën 104 prej tyre, pra për 3% më pak të numrit, komisioni Bezhani ka vendosur të japë certifikatën e pastërtisë së figurës duke i konsideruar kandidatët si persona që nuk janë në kushtet e pengesës ligjore për të vijuar me emërimin në detyrë.

Nga analiza vihet re se përgjatë periudhës së funksionimit të dy komisioneve ligji i kontrollit dhe verifikimit të figurave ka pësuar ndryshime, duke lehtësuar barrierat për ndalimin e kandidimit në Kuvend apo Pushtet lokal, si dhe emërimit në detyra të larta shtetërore dhe institucione të pavarura të zyrtarëve të gjetur me të dhëna.

Të gjitha vendimet e komisioneve nuk janë shoqëruar me argumentim sipas dispozitave përkatëse të ligjit nr. 8043, por vetëm konfirmohet në se kandidatët janë ose jo në kushtet e ndalimit të neneve 1 dhe 2 të ligjit.

Kështu si rezultat i ndryshimeve ligjore, në maj të vitit 1997, të cilat ngushtonin rrethin e pozicioneve dhe cilësive që konsideroheshin kusht pengues, Komisioni Mezini ka marrë disa vendime të kundërta me ato të një viti më parë, duke i lejuar kandidatët të vijojnë me kandidimin, ndërkohë që një vit më parë të njëjtët kandidatë ishin në kushtet e pengesës ligjore sipas nenit 2 të ligjit. Ndryshime ligjore vijuan edhe në janarin e vitit 1998, kohë kur Komisioni Bezhani kishte vetëm 4 muaj që funksiononte dhe vepruan deri në dhjetor të vitit 2001 kur ligji me vendim të Kuvendit u abrogua.

Të dy komisionet kanë raportuar në mënyrë periodike për gjetjet e tyre, si edhe kanë informuar institucionet kërkuese për rezultatet e verifikimit dhe gjetjet.

Ndërkaq, Autoriteti, përgjatë viteve 2017-2022, ka verifikuar 2.399 zyrtarë lidhur me pastërtinë e figurës së tyre përpara emërimit/ngritjes në detyrë. Nga verifikimet, 77 zyrtarë, ose 3.2 % e numrit total kanë rezultuar me të dhëna në emër të tyre, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.

Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të verifikuar nga Autoriteti, 55 prej tyre ishin verifikuar më parë nga komisionet Mezini - Bezhani, kështu që për ta, Autoriteti nuk mund të kryente verifikim kur ishte dhënë çertifikata e pastërtisë. Por ndër to, në 9 raste të konstatuara përmes proceseve paralele, ose 16.3% e tyre, u gjetën rastësisht të dhëna që e lidhnin figurën e zyrtarit me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.

Tashmë me rënien e mburojës ligjore, Autoriteti ushtron kompetencën e tij edhe për ato raste kur është dhënë çertifikata e pastërtisë së figurës nga komisionet e mëparshme.

Por për të disiplinuar procesin dhe në kuadër të transparencës së mëtejshme, AIDSSH përmes ndryshimeve ligjore ka propozuar detyrimin që çdo funksionar i lartë të plotësojë formularin e vet-deklarimit, ndryshime të cilat janë tashmë në kalendarin e punës së legjislatorit. Kjo do të garantonte një shkëputje morale të plotë me të shkuarën.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë