Çmimi “Nobel” në letërsi, çmimi më prestigjioz letrar në botë, këtë vit i është akorduar poetes dhe studiueses kanadeze, Anne Carson.

Akademia Suedeze e vlerësoi autoren për veprën e saj të guximshme dhe inovatore.

Komiteti i Nobel-it u shpreh se “dialogu lozonjar i Carson-it me traditën klasike ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”, ndërsa shpalli çmimin pak më herët në Akademinë Suedeze në Stokholm.

E lindur në Toronto në vitin 1950, Carson ka ndërtuar një karrierë të shquar ku gërshetohen poezia, përkthimi nga greqishtja e lashtë dhe mësimdhënia universitare. Me një përkushtim të thellë ndaj etimologjisë dhe fuqisë së fjalës, ajo ka sjellë përkthime dinjitoze të tragjedive të Sofokliut e Euripidit, si dhe të fragmenteve të poetes Safo.

Ndër veprat e saj më të vlerësuara është “Autobiografia e së kuqes” e vitit 1998, një roman në vargje që rikoncepton mitin antik të Gerionit në një rrëfim modern përvojash e ndjenjash.

Krijime të tjera si “Erosi, i ëmbli dhe i hidhuri”, apo “Nox”, dëshmojnë aftësinë e saj unike për të kapërcyer kufijtë mes gjinive letrare dhe arteve pamore.

Një tjetër vepër e saj, eseja “Bukuria e burrit” fitoi çmimin T.S. Eliot. Vepra eksploron shpërbërjen e dhimbshme të një martese, inteligjencën dhe bukurinë e një partneri shkatërrues.

Në garën e sivjetshme, poetja kanadeze Carson dhe shkrimtarja eksperimentale kineze Can Xue kryesonin listën e favoriteve për të fituar, përkrah emrave të njohur si Haruki Murakami dhe Margaret Atëood.

Me këtë trofe, Anne Carson vulos ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në skenën e artit dhe letërsisë ndërkombëtare.