Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kritikat për faktin që nuk iu dha Çmimi Nobel për Paqen, duke e cilësuar vendimin e Komitetit të Nobelit si të turpshëm dhe poshtërues. Ai deklaroi se ky vendim ka lënë një njollë të pashlyeshme mbi Norvegjinë, vendin ku ndodhet Komiteti që jep çmimin prestigjioz.

Trump lëshoi një valë të re kritikash ndaj Norvegjisë vetëm pak orë pasi Komiteti i Nobelit ia dha çmimin e këtij viti Navi Pillay, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila ka drejtuar një hetim të Kombeve të Bashkuara që arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid në Rripin e Gazës.

Gjatë një tubimi politik në Syracuse, në shtetin e Nju Jorkut, presidenti amerikan e cilësoi Pillay si një person të panjohur.

“Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë person. Askush nuk ka dëgjuar për të”, deklaroi Trump.

Gjatë çdo viti të presidencës së tij, Trump ka shprehur zhgënjimin që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen. Edhe këtë herë, ai nuk i kurseu akuzat ndaj Komitetit të Nobelit dhe Norvegjisë.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për Norvegjinë dhe për ata njerëz që morën një vendim kaq të turpshëm dhe poshtërues”, u shpreh presidenti amerikan.

Në fjalimin e tij, Trump renditi një sërë konfliktesh ndërkombëtare për zgjidhjen e të cilave pretendon se ka luajtur rol vendimtar.

Ai deklaroi se ka ndihmuar në parandalimin e shpërthimit të luftërave mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, Japonisë dhe Koresë së Veriut, si edhe Kinës dhe Tajvanit. Trump shkoi edhe më tej, duke vënë në dyshim besueshmërinë e vetë Çmimit Nobel për Paqen.

“Çmimi Nobel për Paqen e ka humbur përgjithmonë besueshmërinë për shkak të një grushti ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit. Dhe ne nuk do ta harrojmë këtë, Norvegji”, deklaroi ai.

Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2026 iu dha juristes 85-vjeçare nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe forcimin e së drejtës ndërkombëtare. Komiteti Norvegjez i Nobelit vlerësoi angazhimin e saj shumëvjeçar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Vendimi u përshëndet nga drejtuesit e BE-së, por shkaktoi reagime të ashpra nga Trump dhe Izraeli, të cilët e akuzojnë Pillay për qëndrime kundër tyre dhe mbështetje ndaj Hamasit. Vetëm pak orë pas shpalljes së çmimit, SHBA njoftoi sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke synuar kufizimin e burimeve financiare dhe veprimtarisë së saj.