Ndërhyrje në lidhjen e rrjetit të ri të ujësjellësit me rrjetin ekzistues po kryhen aktualisht në disa pika të ndryshme të qytetit të Vlorës. Kreu i sh.a. Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Ermal Murati, gjatë inspektimit të punimeve, theksoi se projekti për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit ka avancuar ndjeshëm. Sipas tij, këto ndërhyrje janë shumë të rëndësishme për të testuar funksionimin e rrjetit të ri.
Këto punime kanë sjellë edhe ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, kryesisht gjatë paradites të së martës.
“Projekti i ri i në Vlorë për sistemin e ri të furnizimit dhe shpërndarjes ka avancuar. Aktualisht po bëjmë lidhjet e rrjetit të ri me atë ekzistues. Është pjesë e parashikuar e projektit. Sot jemi në disa pika të qytetit. Ndodhemi në zonën e Cipajve, Coles dhe pranë qendrës. Këto pika janë shumë të rëndësishme për lidhjen e rrjetit ekzistues pasi do përmirësojë shpërndarjen dhe furnizimin me ujë të qytetarëve. Ne kemi bërë njoftimet për ndërprerjen. Kemi respektuar standarded. Nuk është hera e parë që kemi të tilla ndërhyrje dhe ato do vazhdojnë. U kërkojmë ndjesë qytetarëve për këto ndërprerje por jemi të detyruar që njëherë e mirë tu japim zgjidhje furnizimit me ujë në Vlorë” tha ai.
Ndërhyrje të tilla pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim. Sipas Muratit, sfida kryesore mbetet përballimi i sezonit turistik dhe sigurimi i furnizimit normal me ujë gjatë kësaj periudhe, duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve në Vlorë.
“Vlora po merr një zhvillim nga turizmi. Është një nga sfidat tona për të menaxhuar furnizimin me ujë për qytetarët dhe hotelerinë. Presim që të kemi zhvillime të mira duke parë ndërhyrjet që po bëjmë në projektin e Vlorës” tha ai.
Murati ka bërë të ditur se shumë shpejt një nga zonat do t’i nënshtrohet testit përfundimtar të rrjetit. Projekti është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2026. Megjithatë, një tjetër sfidë mbetet mbyllja e rrugëve dhe asfaltimi i tyre në kohë për sezonin turistik, duke u koordinuar edhe me projektet e tjera infrastrukturore në qytet.
“Mendojmë se shumë shpejt një nga zonat do të jetë pjesë e testit njëkohësisht për tu furnizuar me rrjetin e ri shpërndarës. Më pas do të fillojmë me zonat e tjerA. Projekti përfundon në 2026. Do të shikojmë hap pas hapi. Ky projekt prek 70% të popullatës së Vlorës. Një nga objektivat tona është të mbyllim problematikat e rrugëve të çara që mos të ndikojnë në trafik dhe në fluksin e turizmit. Projekti parashikon sistemin e ri të pompave, dhomën e ri të komandimit të depos së qytetit dhe një sistem të ri monitorimi për anomalitë dhe flukset e kërkesës për ujë. Kjo ndërmarrje duhet të rrisë pozicionin financiar që është i ndikuar nga arkëtimet. Ky është investim nga Gjermania dhe shteti shqiptar. Niveli i arkëtimeve për muajin që lamë ishte 100% por sfida është të rrisim të ardhurat dhe faturimet por edhe të ulim humbjet në rrjet. ” tha ai.
Projekti i ri i ujësjellësit pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës, i cili po përjeton një zhvillim të vazhdueshëm në sektorin e turizmit.
Komente












