Një defekt i rëndë në linjën e tensionit të lartë, i ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, shkaktoi probleme me furnizimin me energji elektrike në kryeqytet, duke prekur edhe disa pavione të Qendra Spitalore Nënë Tereza.

Sot ka reaguar zv/presidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, duke shprehur shqetësim për rrezikimin e jetës së pacientëve në reanimacionin qendror dhe në sallat kirurgjikale të spitalit më të madh në vend.

Sipas saj, ndërprerja e energjisë nuk ishte një rast i izoluar, por tregues i një problemi më të thellë në funksionimin e shërbimeve jetike. Xhixho deklaroi se mungesa ose mosfunksionimi i sistemeve rezervë në reparte kritike përbën dështim të rëndë në menaxhimin e shëndetësisë publike.

Deklarata e Erisa Xhixhos në Facebook

"Të nderuar qytetarë, 

Dua ta nis këtë komunikim me ju me një ngjarje që tronditi rëndë sigurinë shëndetësore të vendit dhe që ndodhi vetëm disa ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalin më të madh të Shqipërisë.Reanimacioni qendror dhe sallat kirurgjikale të QSUT-së mbetën për 30 deri në 40 minuta pa energji elektrike, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve dhe duke vënë në panik familjarët e tyre.Ky nuk është një incident teknik.Ky nuk është një defekt i rastësishëm.

Ky është një dështim i rëndë dhe i pafalshëm shtetëror. Në asnjë vend të botës, as në vende në luftë, nuk ndodh që reanimacioni, terapia intensive dhe sallat e operacionit të mbeten pa energji. Ajo që ndodhi në QSUT provon se sistemet rezervë ose nuk ekzistojnë realisht, ose janë jashtë funksioni.

Kjo nuk është avari. Kjo është paaftësi kriminale në menaxhimin e shërbimeve jetike. Një shtet që nuk mbron dot jetën e qytetarëve as aty ku ata shkojnë për të kërkuar ndihmë, nuk është shtet. Ky nuk është një rast i izoluar. Ky është realiteti i përditshëm i shëndetësisë shqiptare. Ndaj, kërkojmë hetim të plotë dhe vënien përpara drejtësisë të personave përgjegjës. Fakte të rënda dhe të dokumentuara: Urgjenca e QSUT-së ka funksionuar pa defibrilator, një pajisje bazike jetëshpëtuese.

Akseleratorët linearë kanë qenë tre ditë jashtë funksionit, duke lënë pa shërbim pacientët me kancer, të cilët nuk mund të presin. Në Spitalin Onkologjik mungon brakiterapia, një trajtim jetik për gratë me kancer gjinekologjik. Një pajisje që kushton sa gjysma e Kopshtit Eden në oborrin e Kryeministrisë, por që për qeverinë nuk është prioritet. Mungesa e këtij trajtimi i çon pacientet drejt vdekjes. Pacientët në Spitalin Onkologjik bëjnë kimioterapi në të ftohtë, për orë të tëra, sepse kondicionerët nuk funksionojnë dhe spitali është pa ngrohje. Kjo është panorama reale e shëndetësisë në Shqipëri.

Ndërkohë, Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së për shëndetësinë, niveli më i ulët në rajon. Jemi të fundit për mbështetjen ndaj shëndetit të njerëzve. Situata me furnizimin me ilaçe është skandaloze.

Pacientët trajtohen me barna të skaduara. Ka kontrabandë, mungesë transparence, paaftësi, mungesë protokollesh.

Kemi krim shtetëror, jo kujdes shëndetësor. Kjo qeveri nuk ka para për pacientët, por ka:

160 milionë euro për “Tigrin 1” dhe “Tigrin 2”, që nuk prodhuan asnjë kilovat energji;

50 milionë euro të zhdukura në tunelin e Llogarasë;

4.2 milionë euro për Kopshtin Eden në oborrin e Kryeministrisë;

420 milionë euro për inceneratorë fantazmë;

104 milionë euro për kontratat e grupit kriminal të AKSHI-t.

Fondi i barnave të Onkologjikut është 13 herë më i vogël se fondet për koncesionet korruptive në shëndetësi, sepse paratë nuk shkojnë te pacientët, por në gropat thithëse të korrupsionit, si Durana Tech Park, një skemë e legjitimuar me votat e maxhorancës.

Ky nuk është reformim. Ky është instrument grabitjeje. Shqiptarët paguajnë më shumë se çdo qytetar europian për një shëndetësi që Kryeministri ka guximin ta quajë “falas”.

Sipas Komisionit Europian, shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi, niveli më i lartë në Europë.

Sot, 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, dhe 40% e të ardhurave shkojnë vetëm për ushqim.

Në këtë realitet, qeveria zgjedh luksin, korrupsionin dhe propagandën, ndërsa qytetarët lihen të përballen me sëmundjen, varfërinë dhe pasigurinë.

Kjo është e vërteta e shëndetësisë sot. Ndaj me 24 janar ora 17:00, të gjithë në shesh të protestojmë bashkë për veten tonë, familjen tonë kundër grupit të strukturuar kriminal që vjedh qytetarët më të varfër në Europë" shkruan ajo.