'Aventurat e Tom Sojerit'! Magjia e ka emrin Mark Tuein

 'Aventurat e Tom Sojerit'! Magjia e ka emrin Mark Tuein

Mark Tuein

1.

Jo më kot, si parafjalë të këtij shkrimi, vura fjalët e mençura e emblematike të studiuesit Ardian Klosi. E kam njohur, kur ishte redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më kanë mbetur në mendje dhe në kujtesë, jo vetëm Ardiani, por edhe Brikena Çabej, Zerina Kuke, Kostandin Leli, Hyseinil Dume, Irena Dono e më vonë Odhise K. Grillo që i dha emër të merituar Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Për mua që vija nga Shkodra dhe isha krijues i ri, ata gjithëherë më ofruan respekt, dashamirësi e mirësi…

Ardiani, është nga të rrallët studiues shqiptarë që veprat për fëmijë të Tueinit i ka parë në poliedricitetin e tyre, në rrafshe interesante shënjimi, i ka përceptuar në shumësi të elementeve përmbajtësorë dhe kuptimorë. Ka shkuar edhe më tej: në nënshtresa formale, në nuanca të ngjyrave të jetësisë së këtyre veprave, të cilat kanë shekuj që udhëtojnë... duke mos e humbur aktualitetin. Ka shkuar edhe më tej: në thellësinë e mendimit përmes enciklopedisë së diturisë, në argumente filozofike e jetësore, analiza, krahasime e zbulime të fenomeneve, në faktet historike e poetike dhe anasjelltas, në sinteza dhe në njohjen e kodit se si jetojnë ende këto vepra… Na flet, kuptojmë e ndiejmë se sa na mungon e njëkohësisht se sa jeton: dijetari Ardian Klosi.

 Klosi e dashuroi Tueinin, krijimtarinë e tij letrare, dhe në mënyrë të veçantë ‘Aventurat…’ e tij. E njohu në thelb këtë krijimtari, që me kalimin e viteve dhe të shekujve u bë klasike. Shkroi për të ashtu siç dinte të shkruante realisht, pa stisje, stërhollime e fraza të tepërta Ardian Klosi ëndërrimtar... Plot ngjyra, plot ardhmëri e plot jetë! Njohu kohën e paskohën e veprës, formimin e botëkuptimin e shkrimtarit, kontekstin historik, peizazhin politik, etj. Të gjitha këto dukuri e plot të tjera janë pasqyruar në studimet e Ardianit, studime të cilat janë modele trajtese, se si duhet parë një vepër e pavdekshme e një shkrimtari të pavdekshëm.

Në shkrimet e Klosit rrezaton vëzhgimi i kujdesshëm deri në imtësi, si: cila ishte rruga e peripecitë e Tueinit, misioni, të papriturat e shkrimtarisë së tij, cila ishte metodika në ndërtimin e krijimit letrar, stili, gjuha, humori apo ëndrrat e prozatorit të madh amerikan. I shkroi me një shqipe të qartë, të bukur e të ëmbël, ku ndjehet aroma e saj edhe pas kaq vitesh. I shkroi me optikën e studiuesit e me poetikën e shkrimtarit. I ngriti një piedestal lavdie, ashtu siç e meritonte Mark Tueini. E për këtë Klosi shkruan: “Tek e shkruan si rastësisht, autori (nënvizimi im, - është fjala për Mark Tueinin) duket sikur as që nuk e çon nëpër mend që po i paraqet publikut të gjerë një nga librat më të mençur e më të guximshëm të kohës, kurse më të vegjëlve një roman aventurash (nënvizimi im, - është fjala për “Aventurat e Tom Sojerit”) që do t’ia rrëmbejë zemrën brez pas brezi.”

 Tueini i bëri ‘skanerin’ jetës amerikane me “Aventurat…” e tij krijuese, ndërsa Klosi i bëri ‘skanerin’ tipologjisë së personazhit kompleks Tom Sojer, të marrëdhënieve të tij (veçantitë dhe njëjtësitë) me personazhin tjetër që quhet Hakëlberri Fin, një ‘skaner’ i bërë me klas… Ardiani konstaton kështu: “Janë pak, shumë pak, dy-tre tipa, për të thurur Tom Sojerin. Miliona fëmijë të botës gjejnë tek ai dhe te miku i tij, Hakëlberi Fini, një pjesë të vetvetes: etjen për liri dhe për liri dhe për aventura, frikën nga lugetër, vrasës e hajdutë, dashurinë e fshehur dhe xhelozinë përvëluese, rendjen pas lavdisë dhe thyrjet e përditshme, dackat e mësuesit, rrëngjet hakmarrëse, ëndrrat me shpella të errëta, me ishuj të vetmuar, me thesarë.

 Ndarja e prerë e letërsisë në dy fusha, në fushën e të rriturve dhe në fushën e fëmijëve, bëhet jo rrallë nga njerëz që vetë ndodhen jashtë letërsisë ose nga shkrimtarë që shkruajnë për fëmijë, por që kanë druajtje të flasin për natyrën e vërtetë të fëmijës. Tueini shkroi në atmosferën e ngrirë të moralit viktorian, që në Amerikë ashtu si dhe në Angli predikonte fëmijën shembullor, që ecën virtytshëm në hapat e prindit, që mëson me mijëra vargje përmendsh, që merr nota vetëm e vetëm të mira dhe nderon autoritetet, që bëhen gati, me një fjalë, të hyjë në vallen e madhe hipokrite të të rriturve; e pra në këtë ajër të ndenjur moralo-letrar Tueini i tregon fëmijët ashtu siç janë në të vërtetë së brendshmi, me gëzime, frikëra dhe brenga, shpesh të palarë, harrakatë e të panxënë, gojëprishur, rebelë ndaj autoriteteve.”

2.

 Shkrimtari i shquar amerikan Mark Tuen u lind më 30.11. 1835 në Hanibël, në një qytet të prapambetur dhe të harruar të shtetit Florida Misuri (SHBA). Emri i tij i vërtetë është Samuel Le(a)nghorm (Le(a)nghorme) Klemens.

 Pseudonimi i tij: Mark Tuein, është parulla, që përdornin vite më parë pilotët e anijeve në lumin Misisipi, e që do të thotë: “Çdo gjë në rregull, cektësi nuk ka, udhëto i qetë me anije”.

Samuel Klemens (emri i vërtetë) zgjodhi këtë parullë për pseudonim, sepse vitet e rinisë, kur ishte pilot anije në Misisipi, ishin vitet më me kujtime në jetën e tij, të cilat më vonë do të kishin reflekse pasqyruese në krijimtarinë letrare.

 Marku kaloi një fëmijëri të hidhur. Edhe pse e tillë kjo fëmijëri, deviza e tij ishte: Fryma e Lirisë që mbart Bota e Madhe, e cila u bë udhërrëfyese, dhe la shenjat e saj, të parat që u shfaqën ishin pikërisht te kjo fëmijëri, - siç thuhet e komentohet edhe në shënimet e biografëve. Pastaj shenjat u kthyen në modele, dhe qenë nëna e babai i Samuelit. Ai mori anën e të atit, që ishte një njeri i emancipuar, e që kishte studiuar për avokaturë. Çuditërisht, vite më pas, Samueli do të kishte të njëjtin fat si i ati; do të bënte punë nga më të ndryshmet, të cilat shpesh do t’i humbnin edhe buzëqeshjen. Kështu… me vdekjen e të atit, Samueli 12-vjeçar do të fillonte “Universitetin e Jetës”, siç e thamë: me një seri zanatesh. Por jetën e vërtetë bredharake, kishte fatin ta njihte e para, si një start: mosha 18 vjeçare. Samueli-Mark punoi si: shitës gazetash, ndihmës i të vëllait që kishte krijuar një gazetë të vogël lokale, ku boton satirat e tij të para; dhe më pas tipograf në bregun e Atlantikut e në perëndimin e mesëm (SHBA), pastaj tre vjet pilot anijesh në lumin Misisipi, pastaj gërmues argjendi në Nevada, pastaj gazetar në bregun e Paqësorit në San Francisko. Udhëtoi në Francë dhe Itali. Ishte tipi i shkrimtarit, që udhëtonte shumë dhe temat, të cilat i trajtonte me mjeshtri dhe kulturë, kishin të bënin me rendjen drejt Lirisë. Më vonë boton një libër me anekdota e tregime në Nju Jork. Kjo shkollë e ashpër e jetës i mësoi Samuelit-Mark qysh në moshë të re shumë gjëra dhe në memorie i la shumë vijëzime. Përshtypjet dhe mbresat e viteve të rinisë në punë dhe midis njerëzve të punës, u bënë themel i shëndoshë në formimin e paepur e mosnënshtrues të karakterit të Mark Tueinit. 

 I shëtituri Mark Tuein martohet me Olivia Langdon në vitin 1870, pasi i kishte shkruar asaj 189 letra dashurie. Nis një jetë e qetë familjare. Për 20 vite në qiellin e letërsisë botërore për fëmijë e të rinj, do të ndrisin plot yje, fryte të një krijimtarie të lavdishme. Në këtë periudhë kohore, ata të dy Mark e Olivia do të ndërmerrnin udhëtime, ndërkohë që Tueini shkruante pa pushim. Shkruan “Aventurat e Tom Sojerit”, një nga veprat e tij më të njohura në botë. Më pas do të shkruaj “Hakleberry Fin”, një odise amerikane, që u konsiderua si roman për të rritur, por më pas nga popullariteti i madh, u bë libri më i preferuar i fëmijëve në të gjithë botën.

 Udhëtoi gjithashtu në Zelandën e Re, Australi, Indi dhe Afrikën e Jugut.

 Mark Tueini vdiq më 21 prill 1910, në moshën 74 vjeçare, pas shumë peripecive financiare dhe disa fatkeqësive në familje. Gjatë kohës që ishte në udhëtime, Suzi, vajza e tij më e dashur, u sëmur e vdiq në Hardfort, në vitin 1896. Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo fatkeqësi që e dërmoi shkrimtarin. Vdekja e gruas, Olivia, në vitin 1904 në Firence, si dhe e vajzës së tij të dytë, e zymtësuan akoma më tej jetën e shkrimtarit, i cili edhe më parë, siç del nga shënimet në autobiografinë e tij e botuar pas vdekjes në 1916 e më pas në 1924, kishin qenë plot tramvaje.

 Gjatë jetës së tij shkroi 28 libra, si dhe tregime të shumta të shkurtëra, letra dhe skica.

 Shtëpia e tij e fëmijërisë është e hapur për publikun si një muze në Hanibë(a)l. Vendet ku ka jetuar e plot shëtitore hijeshojnë nga bustet e Tueinit, si dhe disa rrugë kanë marrë emrin e tij. Vendet, të cilat Mark Tuein i bëri të pavdekshme në librat “Aventurat e Tom Sojerit” dhe “Aventurat e Hakëlberi Finit”, ruhen nga muzeumi. Shtëpia, ku Marku pati jetuar tërheq turistë nga e gjithë bota, ashtu sikurse gardhi i lyer me gëlqere të bardhë, që personazhi i tij, Tom Sojeri, e leu me përtesë.

 A kishte “sekrete” Mark Tueini? Patjetër që po. Është një testament që flet edhe në heshtje… Janë shënime biografike të titulluara “Në kujtim të Olivia Susan Clemens” – dhe më vonë të quajtura “Skicë familjare”. Këto shënime, në të vërtetë, janë një panegjirik plot pasion e dhembje të Mark Tueinit për vajzën e tij më të madhe Suzi, e cila vdiq nga meningjiti në shtyllën kurrizore, në moshën 24-vjeçare. Aty del në pah një tjetër stil, krejt ndryshe prej librave të tij, që janë plot aventura e dritë. Ai në ato shënime përpiqet të ravizojë portretin e vajzës së dashur. Ja, si e përshkruan në disa pasazhe: “Ajo ishte një reflektim i ndjenjave dhe ato ishin të të gjitha llojeve: trishtim zemërimi, pendim, stuhi, diell, shi, errësira – ata ishin të gjithë aty. Ata shfaqeshin për një moment dhe iknin po ashtu aq shpejt. Në të gjitha veprimet ajo ishte intensive: kish një karakeristikë të veçantë, nuk ishte një shkëlqim i thjeshtë që jep ngrohtësi, por një zjarr që furishëm vetëdigjet.”

 E bija e vetme e mbetur gjallë pas vdekjes së shkrimtarit Tuein, Klara jetoi deri në moshën 88-vjeçare dhe kishte vetëm një vajzë. Vajza e Klarës ka vdekur pa pasur ndonjë fëmijë, kështu që nuk ka më asnjë pasardhës të drejtpërdrejtë të Mark Tueinit.

 Ndoshta shkrimtari gjenial, Babai i Letërsisë moderne amerikane, nuk e kishte parashikuar kështu zhdukjen e genit të tij, çfarë për fat të keq ka ndodhur me pjesën më të madhe të gjenive të kësaj bote, që në vijë gjenealogjike janë djegur e shuar plot shkëlqim si meteorë.

 Po i kthehem edhe një herë fëmijërisë së tij… Qe fëmija i gjashtë i Xhon Marshallit dhe Xhejn Lampton Klemensit. Kur Samueli ishte katër vjeç, familja e tij vendoset në qytetin e vogël Habibë(a)l, buzë lumit Misisipi. Qyteti buzë lumit i ngjan Samuelit të vogël me një vend përrallash. Së bashku me shokun e tij të fëmijërisë, Tom Blakënshipin, të birin e një pijaneci të varfër, të cilin e bëri më pas të pavdekshëm me romanin “Aventurat e Hakëlberi Finit”, ata kurdisin plot lojëra e aventura, ku hiqen si Robin Hudë e herë si piratë. Romantika dhe ashpërsia e jetës në lumë, avulloret e trapet, heroizmi i punëtorëve të varfër, që punojnë, mundohen e stërmundohen aty, i lënë mbresa të thella e të pashlyeshme Samuelit. Kjo mbresë e pashlyeshme, vite më vonë, shkrimtarit do t’i kthehet në shqetësim përvëlues, ku në “Aventurat e Hakëlberri Finit”, një roman realist, por jo vetëm në këtë vepër, do të trajtojë me talent, guxim e thellësi fjale, me ngjyra kontrastuese problemin e diskriminimit racial, një plagë që vazhdon ‘të jetojë’ edhe sot e kësaj dite, ndonëse shekujt i përcjellin njëri-tjetrin shpresën se, a do të ketë një ditë që bota t’i gëzohet një agimi fatlum mirësie, sinqeriteti e barazie midis njerëzve…

 Sa jetësor e i pavdekshëm është romani “Aventurat e Tom Sojerit”, po aq i tillë është dhe “Aventurat e Hakëlberi Finit”, të cilët fituan një famë të përbotshme.

 Tueini dhe Tomi – shpalim i një bote të bukur e plot aventura…

 Tueini – një qytetar guximtar, që me misionin fisnik të shkrimtarit zbulon rrënjët e së keqes. Flet troç e pa dorashka, pa iu trembur syri e pa iu dridhur qerpiku. Ky është dinjiteti artistik i këtij shkrimtari!

 Tomi dhe Tueini – bashkudhëtarë: shkrimtar e personazh, ku në çdo hap të jetës ‘takojnë’ vese të tilla, si këto: hipokrizia dhe mashtrimi. Dhe kujtojnë… dhe sjellin ndërmend se si bota e shoqëria njerëzore, do të vuajnë serialin e tragjedive të reja… Kjo është dhe arsyeja kryesore që Tueini lëvron këtë fushë (letërsinë për fëmijë) me aq pasion e dashuri. Nëpërmjet kësaj bote ku mund të veprojë i shpenguar, Tueini thur ëndrrën e vet për një jetë më të pastër e më të mirë; ku fëmijërinë e Tomit plot çapëkënllëqe, bën që secili nga fëmijët ta përjetojë nga pakëz gjatë leximit, fëmijëri që nuk mund të venitet kurrë.

 Mark Tueini është njëri nga përfaqësuesit më të mëdhenj të prozës realiste amerikane. Ai qëndron dinjitetshëm përkrah Poes, Heminguejt, Folknerit, etj. Po ndalemi te figura madhore e Ernest Heminguejt. Proza e tij ka pasur si pararendëse prozën e Mark Tueinit, ku shndrit si një diell për mos t’u shuar kurrë vlerësimi i Heminguejt për këtë autor të madh, kur thotë se letërsia moderne amerikane fillon me një libër: “Hakëlberi Finin”!

 Mark Tueini është nga ajo tipologji shkrimtarësh, me të cilin lexuesi ynë shqiptar ka hyrë në dialog që në fëmijërinë e tij, nëpërmjet romaneve të mrekullueshëm, si: “Aventurat e Tom Sojerit”, e “Aventurat e Hakëlberi Finit”, etj. KUJTESË e fëmijërisë, KUJTESË e ripërsëritjes së fëmijërisë, K U J T E S Ë…

3.

 Mark Tueini, romanin “Aventurat e Tom Sojerit” e shkroi në vitin 1876 (në shqip u botua në vitin 1955, përkthyer nga rusishtja Bedri Dedja; 1990, 1998 “Mësonjëtorja”, përktheu nga anglishtja Ardian Klosi); kur romanin “Aventurat e Hakëlberi Finit” e shkroi në vitin 1884 (në shqip u botua në vitet 1957, 1976, 1998 “Phenix”, përktheu Gjergj Zheji).

 *Të dy romanet janë të lidhur me njëri-tjetrin, sepse dy personazhet kryesorë Tomi dhe H(a)eku janë shokë. Këta dy fëmijë janë të lidhur me njëri-tjetrin për kokë dhe së bashku kryejnë shumë aksione të guximshme. Janë fëmijë të shkathët e të zgjuar, zemërbardhë dhe ëndërrimtarë. Tomi ka një fantazi shumë të zhvilluar, sepse lexon libra. Kur H(a)eku jetim jeton thuajse në mëshirën e fatit, sepse babanë e tij e ka shkatërruar plotësisht shoqëria e kohës, duke e kthyer në një pijanec.

 *”Aventurat e Hakëlberi Finit” është një vepër ku gjen pasqyrim “ndërgjegjja” e një epoke, të mbrujtur me kontradikta dhe, për më tepër, të rëndësishme, sepse përbën rrënjët mbi të cilat ka hedhur shtat gjithë ai sistem tiparesh morale dhe etike i Amerikës së sotme.

 *Që te “Aventurat e Tom Sojerit”, Tueini arriti diçka thuajse të paparë te ai vetë në të kaluarën dhe në përgjithësi në letërsinë amerikane – ai e përdori humorin, për të cilin ai shquhet aq shumë, si mjet për shtjellimin realist të psikologjisë së njeriut (para së gjithash, të fëmijëve) dhe njëkohësisht si mjet për poetizimin e jetës. Me një vërtetësi të përkryer, ai riprodhon botën e brendshme të qenieve të njoma njerëzore që ende s’e kanë humbur pastërtinë shpirtërore dhe bukurinë poetike. Por vetëm me romanin e tij “Aventurat e Hakëlberi Finit” ai arriti të sigurojë atë vend nderi, që e bën atë, krahas Uollt Uitman, themelues të letërsisë së re realiste amerikane.

 *Shkrimtaria e Mark Tueinit, veçanërisht për fëmijë, pati këto tipare:

- Afrim dhe bashkëngjizje me folklorin. Ky i fundit i dhuroi bujarisht fantazinë e pafund krijuesit Tuein., - Rrëfyes i mrekullueshëm i përrallave popullore., - Një pjesë e mirë e tregimeve variojnë në mes të tregimit të mirëfilltë dhe të rrëfimit të thjeshtë nga jeta., - Theksin, gjithëherë, e vë te fabula e tregimit., - Syri i Tueinit dallon qartë edhe një grimcë jete., - Spikat shija e humorit dhe ngjyra e sarkazmës. - Koncepti, mënyra e të shkruarit sfidon skemat, shabllonet e letërsisë së më parshme., - Kompozicioni te “Aventurat e Tom Sojerit” ka rritje graduale të tensionit dhe lëvizin një numër i pakët personazhesh. Hasen skena ne dy, tre ose katër personazhe, jo më shumë. Shtimi i personazheve të rinj, nga një kapitull në tjetrin, bëhet si me ‘pikatore’., - Mjeshtëria artistike e Mark Tueinit qëndron në befasinë artistike. Mjeshtëria e tij shfaqet, edhe ku ndërpret rrëfimin e episodit në pjesën kulmore, e lë në tension lexuesin dhe kalon në një linjë tjetër të subjektit. Gjithashtu na paraqet herë-herë diçka që nuk pritet, një zgjidhje të beftë, që na qetëson e na gëzon për udhën e re që merr ngjarja.

Në periudhën e parë të krijimtarisë, Mark Tueini u ndikua ca nga rrethi i përfaqësuesve të letërsisë së atëhershme amerikane. Humori i veprave të para është humori i një njeriu shpirtmirë, që shumë pak ka dijeni për kontradiktat reale të jetës. Megjithë këtë në veprat e periudhës së parë ndihen edhe nota të tjera, notat demaskuese të anëve negative të shoqërisë. Në romanin “Shekulli i praruar” (të shkruar së bashku me C. Uornerin) Mark Tueini tregon se aparati shtetëror është i shitur, përshkruan metodat të sofistikuara, të ndotura (ndyra) të përdorura si e si të rritet ‘mali’ i pasurisë.

Pas kësaj Mark Tueini kalon në botën e fëmijëve. Shkruan “Aventurat e Tom Sojerit”. Në këtë libër shpalos një botë të madhe fëmijësh siç është ajo, një botë e marrëdhënieve të sinqerta e të pastra; por edhe shpalos pamje reale ku mohohet miqësia, trimëria, ndershmëria. Poezia e këtij libri nuk qëndron vetëm në aventurat e gëzuara të Tom Sojerit dhe shokëve të tij, jo vetëm në pasqyrimin e natyrës, por edhe në neveritjen e madhe për botën e grabitjes, hipokrizisë, e mossinqeritetit, gënjeshtrës. Tom Sojerit i lejohet të provojë ato ndjenja, që u ishin ndaluar të rriturve.

Po në periudhën e dytë të krijimtarisë, çfarë ndodh?.. Tema e botës së pastër të fëmijëve, Mark Tueini e zhvillon më tej edhe në veprën e tij “Aventurat e Hakëlberi Finit”, që i përket periudhës së dytë të krijimtarisë së tij. Këtë vepër realiste e shkruan në kohën, kur ai vë re se Amerika po kthehej gjithnjë e më shumë në një “monarki të dollarit”, - sikurse e theksonte, vetë, Mark Tueini.

Heronjtë me cilësi pozitive të këtij libri janë H(a)eku, si dhe Xhimi, një zezak i arratisur, të cilët Tueini i vë përballë botës përreth të gënjeshtrës dhe dhunës. Trapi, me të cilën lundronin H(a)eku dhe Xhimi nëpër Misisipi, është një qoshe e mirësisë në botën e madhe të të këqijave dhe padrejtësive.

 Hakëlberi Fini është një tip që do të mbruhet në këtë roman, megjithatë ai ka marrë pamje që te “Tom Sojeri”. I zbathur, i “paedukatë”, zemërbardhë e zot i vetes, H(a)eku përfaqëson polin e kundërt me qytetarin e futur në këllëf dhe mendjengushtë. Lirinë që Tomit ia rrëmbyen teto Poli, shkolla ose kisha, ky e gjen në “gjirin e H(a)ekut”. Hakërlberi Fini ka një domethënie edhe më të madhe se kaq; siç e shpreh shkrimtari i shquar anglez T. S. Eliot, “…ai vë në pikëpyetje vlerat më të trumbetuara të SHBA, ai është në kundërshtim me nocionet ‘shpirt novator” e “shpirt sipërmarrës”. Në botën e biznesit H(a)eku mishëron njeriun moskokëçarës që ka kohë plot, në një botë të zhytur në ethet e investimit e të konkurrencës, atij i mjafton fare pak që të rrojë me sot e me nesër.

“Jo Tom, - thotë H(a)eku, nuk dua që të jetoj në ato shtëpi të livandosura. Mua më pëlqejnë pyjet, lumenjtë, vozat bosh dhe nuk ndahem më nga ato.”

Mark Tueini, sikur ta parandiente se ç’po i sjell zhvillimi kapitalist Amerikës dhe gjithë botës, u mëshon pikërisht madhështisë së natyrës dhe integrimit të fëmijës në të.

Jo më kot edhe peizazhi, i qeshur dhe plot diell në “Aventurat e Tom Sojerit”, bëhet më i zymtë në “Aventurat e Hakëlberi Finit”, pasi që nga koha e librit të parë për fëmijë shumë gjëra kishin ndryshuar në vetë Amerikën dhe në botëkuptimin e shkrimtarit.

Përshtypjet, konsideratat, analizat, gjurmët që lanë këto dy librat që kanë të përbashkët emrin “Aventurat…”, u përpoqa t’i reflektoja në këtë shkrim. Ajo, sigurisht, do të ishte e varfër, anemike, në qoftë se unë nuk do të konsultohesha, nuk do të mësoja diturinë e shumë studiuesve përmes botimit të tyre për jetën dhe veprimtarinë letrare të autorit e në veçanti për këto dy vepra të mrekullueshme, që shndrisin si gur xhevahiri, edhe kur nata si çdo natë bie mbi botën e qytetëruar dhe të paqytetëruar, me yje dhe hënë e pa yje e pa hënë. Qenë gur xhevahiri, pa ‘ndritën’ fëmijërinë time dhe e bën të lumtur. Po ashtu kishin mbetur: të xhevahirtë, kur iu ktheva për t’i lexuar (kushedi për të satën herë) herën e fundit (këto ditë) dhe mosha ime tregonte mbi të 60-tat. Vepra me dritë të përjetëshme!.. 

Si mbyllje të këtij shkrimi, dua, përsëri, të dëgjoj zërin (si një këshillë të urtë) të studiuesit Ardian Klosi, i cili thotë: “Hallet e fëmijës nuk janë aspak më të lehta për t’u duruar se hallet e të rriturit” – ja ku është një kyç i hollë që i hap shkrimtarit dyert me shumë brava të së vërtetës. Me naivitetin tonë prej të rriturish shpesh kujtojmë se, ngaqë fëmija e pushoi shpejt të qarën pas një shuplake ose një fyerjeje, edhe brenga e tij paska qenë e shkurtër dhe poshtërimi i lehtë për t’u gëlltitur; as nuk e mendojmë që te fëmija një veprim kaq “i thjeshtë” mund të zërë rrënjë thellë e të ndikojë në krijimin e personalitetit të ardhshëm. Këtë funksion të gjithhershëm të natyrës njerëzore Tueini, duke u paraprirë psikologjisë dhe letërsisë së shekullit tonë, e ka kuptuar në të gjitha levat e tij, ndaj ai e di se për fëmijët, gjera që neve na duken hiçmosgjëra, e zëmë një zar mermeri, një dorezë tunxhi, një brumbull në kuti, janë pasuri të mëdha, ndërsa një betim i vulosur me pika gjaku ose një shkarravinë me dy fjalë të fshehta për shoqen e bankës janë ndodhira serioze, me rëndësi të jashtëzakonshme. Kështu e ndien edhe fëmija “Tom Sojerin”, si një libër tepër të rëndësishëm. I shpëton pa vënë re, ashtu i përpirë nga leximi, ironia e autorit, si shprehje e distancimit të shkrimtarit nga fëmijëria e vet, një ironi e llogaritur për të rriturin, veçse jo që ky të qeshë me mendjeshkrepjet e kalamajve, por me bëmat dhe planet e veta madhështore që u ngjakan atyre të fëmijëve si dy pika uji.”

Shkodër, shtator 2019

Literatura e shfrytëzuar:

*Klosi, Ardian: pasthënie e romanit “Aventurat e Tom Sojerit” të M. Tuein, “Mësonjëtorja”, Tiranë, 1990.

*Bishqemi, Prof. as. Dr. Astrit: Letërsia për fëmijë (pjesa III: Nëpër botë), Sejko, (Elbasan), 1999; 3.10 Mark Tuein, 3.10.1 Aventurat e Tom Sojerit.

*Bishqemi, Prof. as. Dr. Astrit: Historia e Letërsisë botërore për fëmijë (botim i dytë, i përmirësuar e i plotësuar), Sejko, (Elbasan), 2006; shkrimi: 3.11 Mark Tuein (1835 – 1910).

*Sina, Margalina: parathënie, libri: “Është gjallë apo ka vdekur?” (tregime) të Mark Tuein.

*Dedja, Pandora: Kujtesë (studime, kritikë letrare, mbresa), shkrimi: Mark Tuein (1835 – 1910), Sh. B. UEGEN, Tiranë, 2006.

*Traboini, Kolec: ese Mark Tuein (30.11.1835 – April 21.04.1910), revista e përjavshme letraro-artistike “OBELISK”, Nr. 125, 28.11. 2010.

*Gaz. Shekulli, shkrimi: 100 vjet nga vdekja e Mark Tuein, 19 prill 2010.

*Dedja, Prof. Bedri: shkrimi “Të vlerësojmë më mirë rolin e letërsisë për fëmijë”, gaz. Drita, 08.04.1973.

*Dedja, Prof. Bedri: Thesaret e Letërsisë “Dua të njoh botën”, Enciklopedi fëminore, Vëllimi I, “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë 2001, Mark Tuein + Aventurat e Tom Sojerit (fragment).

*Dedja, Prof. Bedri: shkrimi “Mbi disa probleme aktuale teorike të letërsisë sonë të realizmit socialist për fëmijë”, nga libri: “Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë” (27 – 28 maj 1974).

*Gjokutaj, Dr. Tasim: Letërsia për fëmijë (tekst mësimor për studentët e degëve të Ciklit të Ulët dhe të Edukimit Parashkollor) Pjesa e parë, Toena, Tiranë 1997, 2010; M. Tuen: Pikëpamjet e tij për letërsinë për fëmijë, “Aventurat e Tom Sojerit”.

*Afezolli, Maqo: Dy fjalë mbi autorin dhe veprën e tij (parathënie pa autor e librit “Princi dhe i varfri” – Mark Tuein, Tiranë 1958, f. 3 – 6.

*Misha, Pirro: parathënie, “Aventurat e Hakëlberi Finit” (roman, botim i dytë, përkthyer nga Gjergj Zheji). Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1976.

*Tuein, Mark: “Populli – i vetmi kritik” (intervistë), Drita, 26.10. 1986.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Biden, falje presidenciale për djalin e tij Hunter

Biden, falje presidenciale për djalin e tij Hunter