Një avion luftarak amerikan është rrëzuar mbi Detin e Kuq në një incident të dyshuar si "zjarr miqësor", ka njoftuar ushtria amerikane.
Dy pilotët e avionit F/A-18 Hornet të Marinës Amerikane arritën të shpëtojnë duke u hedhur me parashutë. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime të lehta, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.
Incidenti ndodhi pas një serie sulmesh ajrore të kryera nga SHBA kundër një magazinë raketash dhe disa qendrave komanduese në kryeqytetin jemenas, Sana, të operuara nga militantët Houthi të mbështetur nga Irani.
Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi gjithashtu se ka goditur disa dronë Houthi dhe një raketë lundrimi kundër anijeve mbi Detin e Kuq.
Në një deklaratë, Komanda Qendrore sqaroi se incidenti i "zjarrit miqësor" u shkaktua nga anija luftarake USS Gettysburg, pjesë e grupit luftarak të aeroplanmbajtëses USS Harry S. Truman.
"USS Gettysburg gabimisht hapi zjarr dhe goditi avionin F/A-18, i cili po operonte nga USS Harry S. Truman," thuhet në deklaratë.
Nuk është ende e qartë nëse avioni i rrëzuar kishte marrë pjesë në operacionet kundër Houthi-ve në Jemen.
Më herët, Komanda Qendrore kishte deklaruar se sulmet në Sana kishin si synim "të prishnin dhe dobësonin operacionet e Houthi-ve, përfshirë sulmet ndaj anijeve luftarake dhe tregtare amerikane në Detin e Kuq, Bab al-Mandeb dhe Gjirin e Adenit".
Ushtria amerikane po ashtu njoftoi se kishte neutralizuar disa dronë Houthi dhe një raketë lundrimi në Detin e Kuq, shkruan BBC.