Në një kohë kur shumë analistë flasin për një botë që po rrëshqet drejt konflikteve të reja, vëmendja e strategëve është shpesh te Tajvani. Pekini e përsërit pothuajse çdo ditë se ishulli duhet “pashmangshmërisht” të kthehet nën kontrollin e “atdheut”, ndërsa prej vitesh avionët luftarakë kinezë fluturojnë rregullisht pranë hapësirës ajrore të Tajvanit.

Që nga viti 2020, mbrojtja e Tajpeit ka regjistruar pothuajse çdo ditë hyrje të avionëve luftarakë dhe bombarduesve kinezë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit. Me kalimin e viteve këto inkursione janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

Në vitin 2024 u regjistrua një rekord prej 153 avionësh të parë brenda vetëm 24 orëve. Në vitin 2025 u numëruan gjithsej 3.764 inkursione, një mesatare prej mbi dhjetë fluturimesh në ditë, me raste kur dhjetëra avionë hynin njëherësh në zonë.

Këto operacione janë shtrirë edhe përtej vijës së mesme të Ngushticës së Tajvanit, një kufi simbolik i vendosur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1954 për të shmangur përplasjet mes dy palëve. Pekini nuk e ka njohur kurrë zyrtarisht këtë vijë, por për dekada ishte respektuar nga të dyja anët.

Pastaj ndodhi diçka e pazakontë.

Më 27 shkurt, një ditë para sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, radarët tajvanezë ndaluan së regjistruari fluturime kineze. Për dy javë me radhë nuk u raportua asnjë inkursion ajror.

Kjo pauzë e papritur hapi menjëherë një debat mes analistëve perëndimorë për arsyet e zhdukjes së avionëve nga radarët.

Vetëm më 15 mars Tajvani njoftoi se kishte identifikuar sërish 26 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit në 24 orët e fundit.

“Shumë njerëz kanë teori, por askush nuk ka përgjigjen”, tha Drew Thompson, ish-zyrtar i Pentagonit për çështjet Kinë-Tajvan dhe sot profesor në Singapor. Sipas tij, edhe vetë pasiguria mund të jetë pjesë e strategjisë. “Paqartësia është një armë”, shprehet ai.

Një nga hipotezat është se Pekini mund të ketë pezulluar përkohësisht fluturimet për të shmangur tensionet para samitit mes Xi Jinping dhe president Donald Trump, i planifikuar për fundin e marsit. Ky takim tani është vënë në dyshim për shkak të luftës me Iranin dhe krizës në Ngushticën e Hormuzit.

Një tjetër shpjegim lidhet me mbledhjet politike të njohura si “Dy Sesionet” që mbahen çdo vit në Pekin, gjatë të cilave Partia Komuniste kërkon stabilitet në të gjitha frontet. Megjithatë, gjatë këtyre takimeve kryeministri Li Qiang e ashpërsoi retorikën duke thënë se Kina është e vendosur të marrë kontrollin e Tajvanit dhe se “separatistët do të goditen”.

Edhe gjatë kësaj pauze në qiell, aktiviteti në det nuk u ndal. Anije luftarake kineze vazhduan patrullimet rreth ishullit, ndërsa satelitët zbuluan edhe grumbullime të mëdha peshkarexhesh kineze, deri në dy mijë anije, të vendosura në formacione që disa analistë i interpretojnë si prova për taktika të mundshme bllokade.

Në Tajvan qarkullon edhe një teori tjetër: se Pekini mund të ketë ulur përkohësisht presionin ajror për të krijuar përshtypjen se kërcënimi ushtarak është zvogëluar, me qëllim që Uashingtoni të ulë vigjilencën dhe të rishikojë furnizimet me sisteme mbrojtëse për ishullin.

Disa ekspertë përmendin edhe spastrime të fundit brenda ushtrisë kineze të urdhëruara nga Xi Jinping, të cilat mund të kenë ndikuar përkohësisht në aktivitetin e forcave ajrore.

Por teoria më shqetësuese është se Kina mund të ketë hyrë në një fazë të re përgatitjeje ushtarake. Sipas kësaj hipoteze, aviacioni kinez mund të jetë duke ndryshuar taktikat e depërtimit në hapësirën ajrore të Tajvanit dhe për këtë arsye po stërvitet larg ishullit, në zona më pak të monitoruara nga radarët e Tajvanit dhe të Shteteve të Bashkuara.

Analizat e radarëve kanë zbuluar gjithashtu një manovër të pazakontë. Në dhjetor, një avion luftarak kinez J-16 fluturoi shumë pranë një bombarduesi H-6 në një teknikë të quajtur “piggybacking”, që synon të fshehë avionin nga radarët duke e mbajtur shumë pranë trupit të avionit tjetër.

Sipas ekspertëve, kjo manovër është e ngjashme me taktikat që përdori Izraeli në vitin 1976 gjatë operacionit për lirimin e pengjeve në aeroportin e Entebbes në Ugandë. Për disa analistë, pauza dyjavore në qiellin e Tajvanit mund të mos jetë një shenjë qetësie, por një fazë përgatitjeje për diçka shumë më të madhe./CorrieredellaSera