Trafiku i drogës në territorin shqiptar me avionë rrezikon të jetë rikthyer. Në orët e para të mëngjesit të 20 marsit Policia e Shtetit ka marrë informacion se në zonën e fushave të fshatit Akërni në Vlorë, po lëvizte në hapësirën tonë ajrore një avion i vogël, mbi të cilin ka dyshime se mund të transportonte lëndë narkotike.

Policia e Vlorës, e Kufirit dhe shërbimet e Delta Forcë nisën një operacion për të identifikuar avionin e për ta ndalur atë, ndërsa u kërkua edhe bashkëpunimi i homologëve italianë.

Pavarësisht informacionit të marrë në rrugë operative, deri më tani policia nuk mundi të gjejë vendndodhjen e avionit pasi ai u largua nga hapësira ajrore shqiptare, por për rastin në fjalë janë shoqëruar tre persona me inicialet N.M, A.M dhe K.M me dyshimin se janë të lidhur në këtë veprimtari kriminale.

Atyre u është sekuestruar edhe një automjet fuoristradë dhe një furgon në pronësi të tyre.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se tre personat janë shoqëruar në qytetin e Vlorës dhe dyshohet se pikërisht me këto makina do të çonin lëndë narkotike në fshatin Akërni për tu transportuar më tej me avion, nëse ai do të mund të ishte ulur në fshat. 

Por plani i tyre dështoi pasi policia u vu menjëherë në lëvizje duke nisur operacionin, çka ka bërë që avioni të largohet.

avioni

avioni

avioni
 
“Policia e Shtetit po bashkëpunon edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, dhe ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim, Veprimtaria hetimore është në vijim edhe nga homologët e policisë italiane për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, lajmin për avionin e dyshuar se transportonte drogë e konfirmojnë edhe mediat italiane. 

Mësohet se autoritetet italiane kanë qenë në gjendje alarmi pas informacioneve se mund të zbarkonte një avion droge.

"Dje, e diel, një aeroplan me përmasa të vogla është futur në territorin e Pulias". "Trupa ajrorë italiane kanë ndjekuar “mjetin fluturues të vogël me një helikë” deri sa ai ka dalë nga territori ajror i Italisë", shkruan Corriere Della Sera.

Menjëherë pasi avioni ka shkelë në hapësirën ajrore italiane, më konkretisht në qiellin e Puglias, në drejtim të tij janë nisur disa avionë gjuajtës të ushtrisë italiane, të cilët e kanë shoqëruar deri në dalje të hapësirës ajrore. 

Sipas raportimeve të mediave italiane, avioni me një helikë mund të jetë ngritur nga Greqia ose Shqipëria, ndërsa mungojnë të dhëna të tjera konkrete rreth tij. 

Edhe dyshimet e autoriteteve italiane, janë se ai mund të jetë përdorur nga trafikantët e drogës, të cilët kanë tentuar të trafikojnë një ngarkesë gjigante, të cilën siç duket e prisnin persona të tjerë në terren. 

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)