Pasi kaloi javën e dhunës intensive 13-19 tetor 2026, të mbarsur me djegje dhe shkatërrime institucionesh dhe biznesesh private, pesë javë më vonë, më 25–26 nëntor 2026, Tirana u shndërrua sërisht në një qendër të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe të investimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor, duke pritur edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Pallatin e Kongreseve, me temën “Një kufi i ri investimesh : Ballkani Perëndimor”.
Mbi 600 investitorë të huaj, përfaqësues të Komisionit Evropian, institucione financiare ndërkombëtare dhe biznese nga rajoni e Evropa u mblodhën në kryeqytetin tonë, për të diskutuar potencialet e investimeve, mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Vërtet Tirana në qendër të saj nuk kishte semaforë si Podgorica, por sigurinë e kishte të plotë, njëlloj si kryeqyteti malazes
Fakti që Tirana u besua nga Brukseli si pritëse e një eventi të këtij niveli, pas trazirave të protestave të dhunshme, nuk është vetëm një vlerësim për vendin tonë dhe kryeqytetin e tij. Ai përfaqëson mirëbesimin dhe bindjen e Bashkimit Evropian se lufta politike në Tiranë, edhe në format më të dhunshme të saj, si protestat e 13-20 tetorit 2026, nuk arrin ta largojë dot një metër Shqipërinë tonë nga perspektiva e saj evropiane.
Besimi i BE-së, një kapital i rëndësishëm për Shqipërinë
Në ekonominë moderne, besimi është një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton vendimet e investitorëve. Kapitali ndërkombëtar nuk kërkon vetëm tregje me potencial, por edhe stabilitet, siguri, institucione funksionale dhe perspektivë zhvillimi.
Organizimi në Tiranë i një forumi të rëndësishëm të investimeve evropiane tregon se Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një platformë ku mund të zhvillohet dialogu ekonomik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Ky besim është i rëndësishëm, sepse investitorët nuk marrin vendime vetëm mbi bazën e kostove apo të fitimit të mundshëm. Ata vlerësojnë edhe klimën politike, cilësinë e institucioneve, infrastrukturën, fuqinë punëtore dhe mundësinë për të operuar në një mjedis të parashikueshëm.
Tirana, duke pritur mbi 600 investitorë dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, pati mundësinë të prezantojë potencialin ekonomik të vendit tonë, drejtpërdrejt përpara aktorëve që ndikojnë në lëvizjen e kapitalit evropian.
Tirana, një pikë takimi mes kapitalit evropian dhe tregut rajonal
Pozita e Tiranës në Ballkanin Perëndimor i jep kryeqytetit tonë një rol të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Shqipëria ndodhet në një hapësirë ku ndërthuren tregjet e Ballkanit Perëndimor, korridoret e transportit drejt Adriatikut dhe lidhjet me ekonomitë e Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, organizimi i forumit në Tiranë krijon mundësi për të promovuar vendin si një qendër rajonale për investime, shërbime, logjistikë dhe bashkëpunim biznesi. Një aktivitet i tillë nuk duhet parë vetëm si një aktivitet diplomatik apo institucional. Ai krijon mundësi për bizneset tona, që të dalin përtej tregut të brendshëm dhe të krijojnë partneritete me kompani evropiane.
Nëse bizneset shqiptare arrijnë të përfitojnë nga këto kontakte, atëhere forumi kontribuon realisht në rritjen e eksporteve dhe në përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë.
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor mund të shërbejë si një instrument për të promovuar sektorë të tjerë me potencial të lartë, si industria përpunuese dhe agropërpunimi, ajo e mineraleve të rralla, me të cilat nëntoka jonë është e pasur, si energjine e rinovueshme dhe teknologjitë e gjelbra.
Për ekonominë tonë, sfida nuk është vetëm të tërheqë më shumë investime, por të tërheqë investime që krijojnë produktivitet, eksporte dhe vende pune të qëndrueshme.
Tirana ka potencial të jetë porta e investimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor, por ne duhet të krijojmë kushtet që investitorët të mos vijnë vetëm për konferenca, por të qëndrojnë për të investuar dhe prodhuar.





Komente
Komento