Një avion i linjës Tiranë - Athinë i kompanisë ajrore Agean Airlines, bëri ulje të detyruar pasditen e sotme ndërsa ishte nisur rreth orës 17:00 nga aeroporti i Rinasit.
 
Shkak i uljes së detyruar mësohet se është bërë një alarm që piloti i avionit kishte marrë nga aparaturat elektronike që ai ka në bord.
 
Një prej tyre njoftonte me dritë të ndezur se një prej dyerve të avionit ishte ende e hapur ndonëse kishte më shumë se 15 minuta që avioni ishte në fluturim.
 
Sipas burimeve avioni kishte në bord rreth 90 pasagjerë shumica e të cilëve shqiptarë.
 
Po ashtu në avion ishte edhe administratori i koncesionarit të aeroportit të Rinasit, Rolf  Kastro Vaskuez (Rolf Castro Vaskuez)
 
Menjëherë pas këtij konstatimi piloti ktheu kurs në drejtim të Rinasit dhe njoftoi kullën e komandimit të aeroportit.
 
Burimet thonë se pas uljes është konstatuar se se sinjali i dhënë nga llampat në kroskotin e komandimit të avionit ishte false.
 
Kjo pasi pas verifikimit të teknikëve të avionit është vënë re se asnjë prej dyerve nuk ishte e hapur.
 
Pas këtij konfirmimi autoritetet kanë urdhëruar edhe nisjen e avionit në destinacionin e tij të mëparshëm, drejt Athinës.
 
Sipas burimeve ai është nisur rreth orës 19:12 minuta.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)