MALAJZI - Publikohen foto të tjera nga sateliti, ku duket një tjetër objekt i identifikuar, i cili dyshohet se mund të jetë pjesë nga avioni i zhdukur më 8 mars, MH370, i kompanisë ajrore Malaysian Airlines.

Një foto e marrë nga sateliti dhe e shpërndarë sot nga Pekini, është bërë më 18 mars dhe ekspertët thonë se ky objekt ka një gjatësi 22 metra dhe një gjerësi 13 metra. Në një konferencë për shtyp, Ministri i Transportit të Malajzisë Hishammuddin Hussein, është shprehur se do të dërgohet një anije në zonë për të verifikuar objektin e identifikuar. 

Mediat kineze raportojnë se vendi ku është identifikuar ky objekt i ri, ndodhet në Oqeanin Indian 120 km ku sateliti Australian identifikoi dy objektet e tjerë. Ndërkohë edhe NASA është gati për të ndihmuar në kërkimet e këtij avioni. Enti hapsinor amerikan, brenda pak ditësh do të drejtojë në zonë disa satelitë, një ndërhyrje kjo që i përgjigjet kërkesës për ndihmë të ditës së premte nga Kuala Lumpuri, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Dy objektet e identifikuar më herët nga sateliti, përkatësisht 24 dhe 5 metra, ende nuk janë mundur të gjenden nga kërkimet e dy ditëve të fundit.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)