INDONEZI - Skuadrat e kërkimit të avionit indonezian gjetën njërën prej kutive të zeza të avionit AirAsia që u rrëzua në Detin Java me 162 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit në bord, dy javë më parë.
 
Agjencia për kërkim dhe shpëtim e Indonezisë konfirmoi se kutia me informacione të rëndësishme lidhur me çfarë ka ndodhur në avion para se ai të zhdukej nga radari i kontrollit të trafikut ajror, ndodhej nën krahët e gjetur një ditë më parë.
 
Ndërkohë ende nuk është gjetur kutia e dytë e zezë, ajo me zëra të regjistruara nga kabina. Drejtuesi i kërkimeve tha se më tej do të përqendrohen në kërkimin e kutisë së zezë me zërat e regjistruara nga kabina e pilotëve dhe vazhdimin e kërkimit për viktimat e aksidentit të linjës QZ8501.
 
Kutia e zezë është gjetur të dielën në mbrëmje nga një anija detare në thellësi prej 30 deri 32 metra, mes rrënojave të avionit. Komiteti Kombëtar për Transport në Indonezi ka nisur hetimet për shkaqet e rrëzimit të avionit.

Fluturimi i linjës QZ8501 humbi kontaktin me kullën e kontrollin të trafikut ajror me 155 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit gjatë stuhisë më 28 dhjetor, kur ai fluturonte nga Surabaya në Singapor. Deri më tani, janë gjetur 48 trupa të pasagjerëve, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për pjesën e mbetur të viktimave të aksidentit të rëndë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)