TIRANË - Avioni Ultra Legero Aeroprakt A22 i sekuestruar nga policia italiane me 120 kg marijuanë dhe i pilotuar nga shqiptari Vilson Lamaj tashmë i arrestuar, është një model aeroplani që fluturon pa u pikasur nga radarët.

Në një intervistë për A1 Report inxhinieri elektrik njëherazi pilot i një avioni të ngjashëm Bensik Likollari sqaron se si ky avion fluturon me busull në një lartësi të ulët dhe me pamje vizuale.

"Avioni nuk ka radar. Avioni Ultra Light nuk ka radar në të gjithë botën pra nuk disponojnë transponder. Nuk e disponon radarin, pra ky është i shmangur nga radari, nga momenti i parë që flasim. Ti mund të flutuorsh në hapësirën ajrorë të Shqipërisë me një GPS ku të dush pa i marrë leje asnjëriu."- shprehet Likollari.

Likollari po ashtu sqaron se ky model avioni nuk fluturon natën dhe nuk përdor pista të autorizuara por mund të ulet aty ku kushtet teknike mundësojnë një distancë të sheshtë nga 20-30 metra.

"Avioni Ultra Light nuk fluturojnë mbi pista të autorizuara. Avionët Ultra Light janë avion off-road që janë off-pist domethënë fluturojnë jashtë piste. Këto avion nuk duan pista dhe në asnjë vend të botës nuk ka pista të autorizuara e të certifikuara. Mjafton që dikush vendos një pistë në tokën e tij private, ky ulet në 25-30 metra, pse do duhet një pistë!"- tha Likollari.

Ndalur tek rasti i përdorimit të këtyre avionëve nga trafikantët, piloti shqiptar shprehet se është policia ajo që duhet të pajiset me teknologji qoftë dhe me avion për të ndaluar transportin e narkotikëve, pasi zgjidhja nuk është ndalimi i përdorimit për turizëm apo pasione sportive.

"A i kontrollon dot policia, shteti, ushtria e ku di unë, e shikoj ka një infrioritet kur vjen policia aty. Të vij të të kontrolloj ai nuk të kap dot, po nuk u ule ti ai nuk të kap dot. Për arsye se Shqipëria nuk ka avion fare, nuk mund të ndjekësh me autobuz një veturë ose me helikopter një avion."-shprehet Likollari.

Se si mund të fluturosh në territorin shqiptar me një avion të tillë, Likollari shpjegon se mjafton të plotësosh dokumentacionin e pronësisë dhe një leje drejtimi.

"Ka një çertifikatë regjistrimi siç ka një makinë, ka një siguracion siç kanë të gjithë makinat e tjera. Ka natyrisht një targë, një shenjë në regjistër siç kanë makinat targë dhe ka një leje fluturimi siç është një leje qarkullimi. Regjistrimi, leje e qarkullimit, njëlloj si makina. Identik."- tha Likollari.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)