Kapja e avionit në luginën e Ishmit, ka detyruar dy shtete Italinë dhe Shqipërinë të kryejnë hetime paralele për të mësuar gjurmët e grupit kriminal që trafikon drogë me avionë nga Shqipëria drejt veriut të Italisë. Për këtë fakt, sipas akuzës, është kërkuar ndihmë nga zyra e Interforcës italiane në Tiranë për të verifikuar emrat e personave që piloti pretendon se e kanë kontraktuar për të kryer transportin e drogës. Paraprakisht, mësohet se prokurorisë i është konfirmuar se personat, emrat e të cilëve i ka dhënë piloti italian, janë me precedent kriminal në fushën e trafikut të drogës dhe armëve. Nisur nga këto të dhëna prokuroria e Barit dhe ajo e Milanos kanë nisur hetimet konkrete për shtetasit italian e shqiptar të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës. Burimet thonë se piloti italian ka treguar për takimet në Milano me shtetas italian e shqiptar të dënuar për trafik droge, si dhe për personat me të cilët është takuar në Shqipëri, në dy rastet e udhëtimit të tij para rrëzimit të avionit. Por për sa i përket emrave të personave në Shqipëri, piloti italian nuk ka qënë në gjëndje të thotë asnjë emër të trafikantëve, pasi nuk i kujtonte. Por edhe nëse do i kishte treguar, prokurorët dyshojnë se trafikantët shqiptarë mund ti jenë prezantuar me emra të rremë.

Takimi në Milano me trafikantët
Piloti italian u ka thënë hetuesve se pak muaj më parë,nëpërmjet një miku të tij italian, të cilin e ka identifikuar me emër konkret, dhe që rezulton ish-i dënuar për trafik droge, kishte takuar një shtetas shqiptar, të sapo dalë nga burgu italian, pjesë e rrjetit kriminal të Milanos. Takimi, sipas pilotit italian ishte bërë në Milano në një kafene, ku është treguar prej tij dhe rruga e vendodhjes së saj. Në këtë takim Guidi ka marë ofertën për të bashkëpunuar me grupin kriminal, ku ai do kryente vetëm transportin e lëndës narkotike, duke vënë në dispozicion avionin e tij. Si fillim sasia e drogës do ishte 200 kg, në mënyrë që të mos rrezikohej shumë. Në dëshminë e tij, piloti ka treguar para prokurorëve se këtë ofertë e ka pranuar sapo i kanë dhënë garancinë se për një rrugë do paguhej 20 deri në 25 mijë euro. Më tej piloti ka shtuar se ka pranuar për shkak të gjëndjes së vështirë ekonomike dhe problemet me drejtësinë italiane.

“Me pistën u njoha nëpërmjet fotove”
“Pas rënies dakord, jemi takuar dhe disa herë në Milano, ku është dakordësuar që unë të vizitoja Shqipërinë, për të parë vendin e saktë dhe marrë koordinatat e zonës ku duhej të ulesha. Ardhja ime në Shqipëri është financuar nga anëtarët e këtij grupi, ku unë në 2014 kam ardhur dhe kam parë vendin. Më kanë pritur disa persona shqiptarë, të cilëve nuk ua di emrin dhe më kanë çuar në zonën ku ishte projektuar ulja e avionit. Pasi jam njohur me terenin kam menduar se në këtë zonë mund të ulej avioni, por sërisht nuk kisha një bindje të tillë, pa e provuar. Kjo për shkak se vendi kishte shumë gropa dhe baltë. Unë kam këshilluar që një pjesë toke e vogël të punohet dhe përshatet si pistë, dhe këtë gjë e kanë marrë përsipër ta kryenin trafikantët shqiptarë. Më tej u kam kërkuar që të bënim një test ulje, pastaj të fillonim me transportimin e sasisë së drogës. Kësaj kërkese i kanë dhënë “ok” dhe trafikantët shqiptarë, të cilët e panë të arsyeshme të mos nxitoheshin” -është shprehur piloti italian para hetuesve. Ai ka shtuar se është larguar nga Shqipëria me një sasi të vogël lekësh, të cilët ja kanë dhënë trafikantët shqiptarë, si kosto rruge dhe karburanti për avionin, me të cilin do kryhej testi i uljes. Më tej, piloti ka treguar se me pistën e improvizuar është njohur nëpërmjet fotove që i kanë treguar në telefon shtetasi italian dhe trafikanti shqiptar në Itali.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com