Avni Mula: Shteti ynë bëri
shumë pak për Agron Alinë

Avni Mula: Shteti ynë bëri <br />shumë pak për Agron Alinë
Mjeshtri i madh bëri shumë për Shqipërinë, por për fat të keq, shteti ynë “bëri shumë pak për Agron Alinë”, thotë në një invervistë për Shqiptarja.com Avni Mula.

Si e njihnit ju profesor Avniu koreografin Agron Aliaj?
-E njoh si një njeri tempull, si njeri i artit. Fjalët më të mira kam për të. Unë kam pasur shumë komunikime, biseda me të dhe kemi bërë shumë punë të artit së bashku. Me të kam bërë shumë turne brenda edhe jashtë atdheut. Ai shkëlqente kudo vinte këmbën. Agron Aliaj ka qenë njeri i mrekullueshëm. Ai ka punuar jashtë mase dhe është tipi i veçantë, i papërsëritshëm në baletin shqiptar. Është ai që ka dhënë jashtëzakonisht për këtë balet, ai që ka bërë më shumë nga të gjithë. Gjithë ato premiera, gjithë ato shfaqje, mendoni që janë ngjitur në skenë vetëm nga ai. Ai veç të tjerash ka qenë edhe vetë personi që i ka kërcyer me përsosmëri premierat në fillimet e baletit shqiptar.

Veç faktit se ishin artistë, kolegë, sa familjarë ishit me të?
-Agron Alinë e njoh që në vitin 1945, një djalosh shumë të ri, i shkathët. Ende nuk e kishim filluar artin. Pas bërjes së ushtrisë ai dhe unë e nisëm bashkë rrugën e artit. Unë kam qenë disa vjet më i madh se ai, por e mbaj mend sesi një djalosh aq i zgjuar kishte dëshirë të madhe për të kërcyer, lexuar, pikturuar. Kishte lindur artist. Kështu unë dhe Agroni shkuam dhe studiuam bashkë edhe në Moskë dhe u bëmë miq e pas shumë vitesh Artistë të Popullit. Jam e kam qenë familjar me të, patjetër. Kam një dashuri të madhe për të dhe për familjen e tij.

Këtë periudhë të gjatë në spital të Agron Alisë, keni mundur ta ndiqni. A bëri atë që duhet shteti dhe shoqëria për ta shpëtuar?
-Eh, ç'të them. Këto janë ndonjëherë pasoja të mospërfilljes së politikës për njerëzit e artit. I harrojnë njerëzit e artit këta njerëzit e politikës. Nuk i çmojnë vlerat, edhe pse ato mbeten pasuri e këtij vendi, nuk u japin rëndësi. Duhet ta kuptojnë se me ikjen e një njeriu të tillë ikën edhe një vlerë e përgjithshme. Agron Alija, këtyre studentëve që shihni ju me lot në sy, u nevojitej ende, baletit i nevojitej ende, operës i nevojitej, sepse edhe në opera ka pjesë që duhen vallëzuar. Dhe më falni, se po flas me emocione të mëdha për humbjen e tij... (Qan). Por atë që bënë për të shoqëria dhe shteti ishte pak. Bënë shumë pak për Agron Alinë.

Shumë pak bëri shoqëria dhe shteti thatë, apo jo zoti Mula?
-Unë dua të përmend një gjë: që ai ishte një njeri që investoi për kulturën e kombit 50 vjet dhe nuk mendoj që qeveria duhej ta linte Agronin këtu në Shqipëri. Mendoj se duhet ta çonte atje ku vlerat e mjekësisë botërore janë sa më të mëdha, atje ku kishte më shumë shanse për jetën, edhe sikur kjo të mos kishte pasur sukses. Ishte më e pakta gjë që do të bënte për Agron Alinë ky shtet.

Mendoni se kishte shanse që të shpëtonte koreografi?
-Njeriu shkon me shpresa dhe shpresat janë aty ku edhe justifikohen. Pikërisht atje ku janë medicinat më moderne, më bashkëkohore, më të zhvilluara, atij duhej t'i jepej mundësia. Pastaj janë punët e Zotit ato, jetojmë apo nuk jetojmë. Kjo s'do të thotë që të mos përpiqemi. Dhe të gjithë duhet të përpiqeshim për Agron Alinë, sepse ai ka dhënë shumë. E dha jetën duke dalë nga dyert e këtij teatri, këtu jetoi, këtu dha djersën dhe frymën, dhe sa pak është shpërblyer, sa pak mori (Qan sërish). Talentet nuk shpërblehen këtu.

Çfarë e bënte kaq të veçantë si artist Agron Alinë?
- Ai ishte një artist i mrekullueshëm, që rrallë vjen. Tek ai alternoheshin edhe vetitë intuitive, talenti natyral, por edhe ishte njeri që kulturohej në çdo kohë. Kështu ai ishte shumë i mirë si bashkëpunëtor në çdo gjini të arteve. Baleti shqiptar ka humbur një nga tempujt e krijimtarisë klasike. Akoma kujtoj me emocion disa balete shqiptare si "Gjergj Elez Alija" dhe disa balete të shkëlqyera ndërkombëtare që i realizonte me vlera, siç është "Liqeni i mjellmave", një nga kryeveprat e Çajkovskit që me vështirësi arrihej edhe në teatrin Balshoj të Moskës, dhe ai e arriti. Të gjitha i arriti ai.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut