Shtohen rastet e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi kanë shfaqur simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku disa banorë janë paraqitur në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Pas marrjes së serumit dhe ndihmës mjekësore, pacientët janë larguar drejt banesave, pa pasur nevojë për shtrim në spital.

Sipas burimeve, dyshohet se problematika mund të ketë lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm, pas një ndërhyrjeje riparimi në rrjetin e ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit në këto zona.

Ndërkohë, nga analizat e kryera në mostrat e ujit, në dy prej tyre raportohet se është konstatuar mungesë e klorit, ndërsa në disa mostra të tjera parametrat kanë rezultuar brenda normave.

Mbetet për t'u përcaktuar nëse ka një lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të personave që kanë shfaqur probleme shëndetësore. Deri më tani, shkaku nuk është konfirmuar zyrtarisht.