Pasi Skënder Hita u zgjodh si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i menjëhershëm ishte reagimi i kryedemokratit Sali Berisha, i cili e cilësoi atë si të lidhur me krimin e organizuar.
Lidhur me këtë koment të Berishës, Spartak Ngjela tha se kryedemokrati nuk flet kurrë me fakte, por sipas tij, kërkon të njollosë figura të ndryshme përmes akuzave të paprovuara.
Më tej Ngjela nuk pranoi të komentonte mbi qëndrimet e Berishës, pasi sipas tij, kreu i PD-së është i shpallur non grata në SHBA dhe BE.
“Dua t’ju marr një koment në lidhje me zhvillimet e fundit. Bëhet fjalë pikërisht për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, teksa ka marrë detyrën, Sali Berisha e ka quajtur një njeri të lidhur me krimin. Ky është një opinion disi më politik, nuk e di a është normale ta bësh në ditën e parë të marrjes së detyrës ndaj një individi që ende nuk e njohim?”, e pyeti gazetari Ermal Qori avokatin Spartak Ngjela.
“Me Saliun do merrem unë ore, ku flet ai me fakte ore. Keni ndonjë pyetje tjetër? Atë e ka zgjedhur mazhoranca e shtetit ore. Hajde vazhdoni nuk merrem unë me broçkullat e Saliut. Nuk mund ta njollosë dot Saliu sepse është non grata në Amerikë dhe në BE. Keni ndonjë pyetje jashtë kësaj partie? Ç’punë kam unë kë zgjedh një parti ore. Opozitë nuk ka as sot, sepse nuk ka vota. Ore zotëri duhet t’i qëndrosh strikt kërkesës sime, nuk flas unë për parti politike. Politikë është kur flasim për kryeministrin dhe kompani ore”, tha mes të tjerash Ngjela.
Komente












