Avokatët e Fredi Belerit kanë paralajmëruar një tjetër kërkesë në SPAK për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës i cili ndodhet në burg i arrestuar prej 12 majit me akuzën e blerjes së votave. Duke iu referuar protestës së një grupi individësh në Himarë më 14 gusht, gazeta greke “Prototema” shkruan se në ditët në vijim avokatët do të dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion Shqiptar një kërkesë të re për lirimin e Belerit.

Sipas artikullit, ata do të kërkojnë lirimin me kushte shtrënguese, pasi data 15 shtator konsiderohet si  një ditë kritike. Nëse deri në këtë kohë i zgjedhuri në Himarë ende nuk është betuar, ai rrezikon mandatin ndërsa zgjedhjet për kryetar bashkie duhet të përsëriten. Pas prangosjes së Fredi Belerit më 12 maj bashkë me anëtarin e shtabit elektoral Alfred Kokoneshi, gjykata e Vlorës dhe më pas GJKKO, kanë refuzuar disa kërkesa të avokatëve për lirim. Edhe pse u shpall fitues me një diferencë të vogël votash, Beleri nuk arriti të betohej në mbledhjen e këshillit bashkiak më 26 korrik pasi gjykata refuzoi t’i japë leje dalje të përkohshme nga burgu.

Një grup i vogël personash protestuan në Himarë më 14 gusht në mbështetje të Belerit. Të pranishëm ishin edhe kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis dhe kryebashkiaku i Selanikut, Konstantinos Zervas. Kryeministri Edi Rama në një reagim një ditë pas grumbullimit në Himarë theksoi se akuzat ndaj Belerit janë çështje e drejtësisë. Ai vuri në dukje marrëdhëniet e mira me qeverinë dhe popullin grek por tha se ky është një rast i rrallë kur të zgjedhurit e një shteti protestojnë kundër vendimeve të gjykatave në një shtet tjetër.