Avokati Dorjan Matlija nëpërmjet një reagimi të bërë në rrjete sociale, shpreh distancim nga grupi organizator i protestës, por jo nga vetë protesta. Deklarata e tij është komentuar dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e quan një kthesë dhe vendim të duhur, “pavarësisht se me vonesë”.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë shkruan se kjo qeveri është e mandatuar për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një derë që nuk do të mbyllet nga protestat. Rama e mbyll postimin e tij duke shkruar se e vetmja rrugë drejt zgjidhjes, është dialogu demokratik me qeverinë shqiptare. 

Postimi i Edi Ramës

Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë:

1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar

2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet:

Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare