Ka nisur në Kuvend seanca e radhës plenare, teksa para Parlamentit janë mbledhur protestuesit që kërkojnë largimin e Qeverisë dhe gjithë klasës politike aktuale.
Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur në seancë. Edhe disa prej deputetëve demokratë që shkuan në Kuvend, u kthyen sërish në selinë e PD-së. Me mungesën e deputetëve të PD në Kuvend, nuk zhvillohen as interpelancat e kërkuara nga grupi parlamentar. Ina Zhupa kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja dhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogun, e kërkuar nga Klevis Balliu. Për të dyja rastet, Niko Peleshi u shpreh se deputetët në fjalë konsiderohet se janë tërhequr.
Partia Demokratike njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme plenare, përsa kohë sipas tyre mazhoranca refuzon të përfshijë në rendin e ditës 4 projektligje të propozuara prej tyre, që janë pjesë edhe e kërkesave të protestuesve.
“Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend”, thuhej në deklaratën zyrtare të PD-së.
Katër projektligjet për të cilat bëhet fjalë:
1. Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
2. Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
3. Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
4. Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Lajm në përditësim...

Deputeti socialist, Ardit Bido dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u përfshinë në replika të ashpra ditën e sotme në Parlament.
Ishte fillimisht Bido i cili deklaroi se Muçi dhe Lëvizja Bashkë nuk e kanë ngritur zërin kurrë për çështjen Çame, pasi sipas tij, ata janë anti-shqiptarë.
Duke folur për çështjen e Zvërnecit, Bido tha se SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe paratë e sekuestruara (128 milionë euro) nga shitja e pronës, do i kalojnë atij që do të rezultojë pronari real.
“Sot ne miratojmë Rezolutën për punën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Unë dua të qëndroj vetëm në një aspekt. Në aspektin që në debatin tonë publik u zhduk befas javët e fundit nga këta sharlatanët dhe populistët e pafre, antishqiptarët e tradhtarët që mbysin debatin tonë publik. Për Zvërnecin, për atë që me gjasme u çuan këta sharlatanë dhe që me të drejtë u çuan mijëra shqiptarë, që pastaj këta mijëra shqiptarë ikën nga sheshi dhe pastaj mbetën vetëm këta sharlatanët. E drejta e pronës së banorëve të Zvërnecit është një e drejtë legjitime.
Si deputeti i vetëm që ka folur me emra bashkë me kolegë të PS-së kur këtë populistë antishqiptarë qepnin gojën, e them sërish, banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e plotë mbi pronësinë me ligjin 7501 dhe fiset Balliu e Moçka me dokumentet që kanë. Sot ne jemi në një ditë të mirë në këtë drejtim. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes e asaj prone është e bllokuar. Dhe kush të rezultojë në fund që është pronar i asaj prone, atij do i kalojë. Sot ne shohim në protestë sesi një grup prej 60 huliganësh, të frymëzuar nga sharlatanët politikë, mirëpresin këta 60 individë me vezë në xhep, Vangjel Dulrat e Red Muçrat, që i kam ftuar të flasin për Çamërinë, çohen dhe thonë një asgjë të madhe dhe vetëm për plagën tonë kombëtare nuk flasin dot. Antishqiptarët nuk kanë bri. Vorioepirotizmi nuk ka pri, por kanë fytyrë, kanë fytyrë brejtësi. Ka njerëz që nuk kanë din e iman dhe e vetmja gjë që dinë është si t’i bëjnë dëm vendit tonë”, tha Bido.
Nga ana tjetër, deputeti Muçi iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk kishte aspak kompleks që të denonconte nga salla e Kuvendit, gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilët i quajti ‘populli Çam’.
Muçi tha gjithashtu se ishte i vetmi deputet në Kuvendin e Shqipërisë që kishte denoncuar gjenocidin izraelit në Gaza.
“Mesa duket zoti Bido nuk më ndjek në rrjetet sociale. Lëvizja Bashkë ku unë bëj pjesë krenarisht, është e vetmja forcë politike që në programin e vet politik përmend në mënyrë specifike popullin Çam dhe të drejtën e tij për t’u njohur nga shteti grek. Këtë gjë nuk e bën as qafa ku është kacavjerr zoti Bido. Unë jam i vetmi nga Parlamenti që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit palestinez, sepse për ne në Lëvizjen Bashkë, padrejtësia ndaj një populli, është padrejtësia që i bëhet çdo populli. Prandaj s’kam asnjë kompleks që nga kjo sallë të denoncoj gjenocidin ndaj popullit çam nga shteti grek. Eksodin e imponuar nga populli grek ndaj popullit Çam. Nacionalizmi është skuta e fundit e maskarenjve”, tha mes të tjerash Muçi.
Por Bido rimori fjalën dhe akuzoi Muçin për përçarje Kombëtare, pas termit ‘populli Çam’ të përdorur prej tij. Më pas Muçi i kërkoi Bidos që të mos krahasoi shqiptarët e Çamërisë me Palestinën.
“Populli Çam thuaja ndonjë tjetri. Përçarje brenda Kombit tonë bëje jashtë këtij Kuvendi. Sepse je i pacipë dhe i paturp. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Sa jemi ne, PS, një forcë që juve do iu mbysë, ju nuk bëni dot përçarje”, tha Bido.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka replikuar ditën e sotme në Kuvend me deputetin socialist Ardit Bido.
Muçi tha se Bido, me urdhër të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës, e ka vendosur në shënjestër dhe i është ‘qepur me bukë në trastë’.
Më tej Muçi duke iu drejtuar Bidos i tha se nuk e merrte aspak seriozisht dhe me ironi shtoi se deputeti socialist i kujtonte komenditë e viteve 1990.
“Shoku Bido, me urdhër të Taulantit që para disa javësh tha se më ka vënë në shënjestër, më është qepur pas me bukë në trastë. Në atë kohë të rrasnin në hetuesi dhe të vërshonin përrenjtë e akuzave. Veçse unë ty o Bido, jo që s’të marr seriozisht, por ti s’më dukesh as si ata maskarenjtë që ishin hetues në kohën e Enverit. Ti mua më kujton vetëm komeditë e viteve 90. Më kujton Ceken që me radiomarrës në dorë dilte nga ferra. Prandaj Bido vazhdo me fushatën e kundërzbulimit dhe asnjë hap pas”, tha mes të tjerash Muçi.
Deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’, Redi Muçi tha sot në seancën parlamentare se i vjen turp që të vij në punë, kur populli brohoret parlament i krimit.
Në lajme lexova se kolegët e PS erdhën 2 orë para në punë sot. Mua më vjen turp që të vij në punë dhe të dëgjoj se populli aty jashtë bërtet parlamenti i krimiit. Është e padenjë dhuna që policia po ushtron ndaj tyre. Sot në ditën e 33 të protestës ku numri i tyre ka rënë ju bëni ndarjen sorra dhe flamingo. Jo mo jo ata janë populli i thjeshtë. Ju vazhdoni t’i mbyllni veshët edhe pse populli thërret ‘dorëheqje’. Nëse keni pak dinjitet jepnni dorëheqjen”, tha Redi Muçi.
Pas fjalëve të Redi Muçit se deputetët e PS erdhën në parlament dy orë më herët për t’iu shmangur protestuesve, Ardit Bido ia ktheu deputetit se kjo është rutinë pune për ata që janë mësuar të punojnë.
Më tej, i tha se është tradhtar pasi nuk flet për Çamërinë dhe është “vorio-epirot.”
“Kemi një parti të establishmentit më të rëndë. Vjen e na thotë që do të turpërohej pse vijmë më herët në punë. Jemi mësuar të vijmë në punë, të punojmë, të nxjerrim lekët me djersën e ballit, të mos shkojmë në zona të mbrojtura. Të mos themi që kemi bërë shkollën te Koto Hoxhi dhe dilnim nga shtëpia që mami i dha leje babit për ta bërë në oborrin e shkollës. Kështu jemi mësuar, jemi mësuar të punojmë. Ti s’ke punuar ndonjëherë, prandaj ta mirëkuptoj habinë tënde. Ti nuk je agjent, nuk e di, s’e vendos dorën në zjarr. Para një jave këtu ishte seancë për Çamërinë, ti s’erdhe, kisha aktivitet në Qafë-Botë, të kam ftuar, ti nuk erdhi. Unë me minoritarët nuk kam asnjë problem se janë pjesë e shëndetshme e kësaj shoqërie, janë shqiptarë patriotë e grekë të pashuar. Kam problem vorio-epirotizmin tënd dhe po të ishe ndryshe do të të hiqja kapelen, por ti nuk flet për Çamërinë. Ti je tradhtar!”, tha Bido.

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është shprehur se Qeveria duhet të reflektojë, të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje.
Komentet Spiropali i bëri teksa po futej në Kuvend, ku jashtë po zhvillohej protesta e paralajmëruar.
Spiropali tha gjithashtu se është me rëndësi që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për vendin, për shqetësimet e qytetarëve dhe për të ofruar zgjidhje.
“Duhet të reflektojmë, të dëgjojmë dhe të ofrojmë edhe zgjidhje. Nuk duhet të merremi me protestuesit, por duhet të merremi me veten. Diskutimet vijnë nga të gjithë, nuk jepen këtu aty për aty. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për vendin, për njerëzit, për shqetësimet, për të ofruar zgjidhje, për të parë më shumë nga vetja. Dhe secila forcë politike, secili kah në atë Kuvend duhet të bëjë analizën e vetes, përpara se të bëjë analizën e kundërshtarit”, tha mes të tjerash Spiropali.

Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë të pranishëm në Kuvend, teksa seanca nuk ka nisur ende dhe jashtë dyerve të parlamentit, ka tensione mes protestuesve e policisë.
Në një reagim, grupi parlamentar i PD thotë se do të bojkotojë seancën e sotme plenare pasi mazhoranca nuk përfshiu shqyrtimin e 4 projektligjeve në rendin e ditës dhe rrëzoi mocionet me debat për rezolutën e PE dhe protestën në seancën e kaluar.
Gjithashtu thonë se nëse parlamenti vijon punimet kur jashtë ka protestë, humbet roli i tij si përfaqësues i qytetarëve.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.
Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.
Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:
1. Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
2. Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
3. Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
4. Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.
Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.
Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.
Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t'i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.
Komente









